Një tjetër shqiptar është bërë viktimë e koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bëhet fjalë për publicistin dhe përkthyesin e njohur Ilir Hashorva. Lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të intelektualit, e kanë dhënë miqtë e tij përmes postimeve në rrjetet sociale.
Mes tyre, dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, i cili ka konfirmuar vdekjen e kushëririt të tij nga koronavirusi si dhe botuesja e “Toena”, Irena Toçi. Ilir Hashorva ishte djali i mësuesit dhe përkthyesit të njohur Ali Hashorva. Ai ka botuar shumë libra vëllimi “Gandi – jeta”, “Gandi – filozofia dhe feja, Gandizmi” dhe “Analiza e komente për Gandin dhe Gandizmin”.
Në nder të 75-vjetorit e Çlirimit të Shqipërisë, ai zgjodhi të përkthejë dhe të sjellë në shqip “8 orë nga Anglia” të britanikut Anthony Quale – një dëshmi historike e ndodhive të Luftës së Dytë Botërore, hedhur në botim nga autori menjëherë pas fitores të koalicionit antifashist, me dëshmi autentike dhe të pandikuara nga ngjarje të tjera të mëvonshme.
Një punë të shkëlqyer bëri Iliri edhe për përgatitjen për shtyp të përkthimeve me shumë vlerë të realizuara nga i ati, Aliu: “Skënderbeu” i Alessandro Cuttolo, “Princi” i Niccolo Machiaveli dhe “Dekameroni” i Giovanni Boccaccio (në proces botimi). Të gjitha këto vepra u përgatitën nga Ilir Hashorva, ndërkohë që ai jetonte e punonte në Nju Jork.