Në mbledhjen e sotme të thirrur nga kryeministri Edi Rama, Kryesia e Partisë Socialiste pritet të zëvendësojë kryebashkiakun e dorëhequr të Shkodrës, Valdrin Pjetrin.
Mësohet se në fokus të diskutimeve me dyer të mbyllura do të jetë zgjidhja e ngerçit për këtë njësi vendore në kryeqendrën e veriut.
Televizioni “Top Channel”, duke cituar burime nga PS-ja, raporton per katër emra potencialë që mund të emërohen në postin e Pjetrit. Bëhet fjalë për ish-zëvëndëskryeminsitren Senida Mesi, ish-kreyetarja e FRESSH-it; Megi Ajtyresën që vjen si propozim i degës lokale të PS-së; Zef Çunin, ish-zëvëndësministër i Kulturës në Qeverinë “Rama 1” dhe Astrit Beci, mjek i njohur në Shkodër, si edhe dhe ish-deputet i PS.
Pjetri u tërhoq nga marrja e detyrës së kryebashkiakut pas publikimit nga ana e Partisë Demokratike të dokumenteve që dëshmonin arrestimin nën akuzën e trafikut të drogës, dënimin me 18 muaj burg dhe dëbimit të tij nga Italia. Këto të dhëna nuk ishin paraqitur nga Pjetri në formularin e vetëdeklarimit.
Në formular, Pjetri ka pasqyruar vetëm qendrimin në qytetin e Firences në periudhën 2001-2002 për kryerjen e studimeve universitare. Ndërsa socialisti iu është përgjigjur negativisht pyetjeve në kategorinë “të dhëna mbi gjendjen gjyqësore të personit”.