
Katie Price ka rihapur konfliktin e vjetër me Victoria Beckham, duke bërë deklarata të forta në dokumentarin e saj të ri “Katie Price: Nothing To Hide”.
Modelja britanike kujtoi periudhën kur ishte në një lidhje me këngëtarin Dane Bowers dhe pretendoi se marrëdhënia e tyre ndryshoi pasi ai nisi të bashkëpunonte me Victoria Beckham në këngën “Out of Your Mind” në vitin 2000.
Sipas Price, ajo nuk u lejua ta shoqëronte partnerin në turneun promovues, diçka që e bëri të ndihej e lënë pas dore.
“Marrëdhënia jonë ishte perfekte derisa ai nisi të punonte me Victoria. Më bëri të ndihesha sikur nuk isha mjaftueshëm e mirë,” u shpreh ajo.
Katie Price pretendon gjithashtu se besonte se Victoria po përpiqej ta largonte Dane Bowers nga ajo dhe ta lidhte me një mike të saj. Megjithatë, ajo pranoi se Beckham kishte treguar edhe gjeste miqësore, duke i dhuruar një palë këpucë rozë.
Në intervistë, Price nuk kurseu as kritikat për dokumentarin e Victoria Beckham në Netflix, duke e cilësuar atë si “të kuruar, të montuar dhe të mërzitshëm”.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave të saj, Katie Price theksoi se vazhdon ta respektojë Victoria Beckham si grua.
Dokumentari “Katie Price: Nothing To Hide” do të publikohet më 8 korrik dhe do të trajtojë karrierën, marrëdhëniet dhe momentet më të vështira të jetës së saj.