
Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar në rrjetet sociale një video të krijuar me inteligjencë artificiale (AI), ku ironizon disa prej figurave më të njohura të Hollywood-it, të cilët prej vitesh kanë qenë kritikë të tij.
Në video, Trump shfaqet në rolin e një mjeku të quajtur "Dr. Trump", duke pretenduar se po trajton pacientë që vuajnë nga ajo që ai e quan "Trump Derangement Syndrome" (TDS) – një term që ai e përdor për të përshkruar kundërshtarët e tij politikë.
Videoja, e realizuar në stilin e një reklame farmaceutike, përfshin versione të krijuara me AI të aktorëve dhe personazheve të njohur si Julia Roberts, Robert De Niro, Rosie O'Donnell, Whoopi Goldberg, John Leguizamo dhe Edward Norton.
Në klip, personazhet e gjeneruar me AI bëjnë deklarata satirike, duke pretenduar se "trajtimet" e Dr. Trump i kanë ndihmuar të shërohen nga TDS.
Në fund të videos, Trump jep edhe "recetën" e tij: "Fikni lajmet e rreme, bëni lutjet tuaja dhe, nëse ndiheni në ankth, pini një Diet Coke si unë. Do të shihni një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën tuaj."
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) July 2, 2026
Trump ka publikuar edhe më herët materiale të krijuara me inteligjencë artificiale në rrjetet sociale, të cilat shpesh kanë shkaktuar polemika dhe kritika. Në disa raste, ai ka përdorur të njëjtin term, "Trump Derangement Syndrome", për të sulmuar kundërshtarët dhe kritikët e tij.