Flash

Irani i jep lamtumirën Khameneit me ceremoni pesëditore, djali i tij mungon nga frika e Izraelit

Lapsi.al 3 July 2026

Nga Kian Sharifi, REL

 
Më shumë se katër muaj pasi u vra në ditën e parë të luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, Ali Khamenei, i cili e udhëhoqi vendin për më shumë se tri dekada me grusht të hekurt, më në fund do të varroset.

Duke nisur nga 4 korriku, Irani organizon atë që zyrtarët e përshkruajnë si një nga ceremonitë mortore më të mëdha dhe më komplekse në historinë e vendit: pesë ditë homazhe dhe ceremoni që do të zhvillohen në Teheran, Kom dhe Mashhad, me ndalesa edhe në Bagdad, Karbala dhe Najaf në Irakun fqinj, përpara se trupi i tij të prehet përfundimisht në faltoren e Imam Rezait më 9 korrik.

Ngjarja pritet të ketë përmasa ceremoniale që zakonisht mbahen për figurat themeluese të shtetit. Pas gati 37 vjetësh në pushtet, Khamenei largohet si udhëheqësi suprem me mandatin më të gjatë në historinë e Republikës Islamike dhe si një fuqi përcaktuese e historisë moderne të Iranit.

Sipas Taghi Rahmanit, aktivist për të drejtat e njeriut dhe bashkëshort i fitueses së Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, kjo ceremoni e gjatë synon të shfaqë imazhin e një shteti që “ende qëndron në këmbë” dhe po rikthehet pas luftës. Ceremonia, po ashtu, do të përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga vdekja e dhjetëra mijëra iranianëve gjatë regjimit të Khameneit.

Rahmani shtoi se Republika Islamike po përpiqet të shfaqë forcë si ndaj audiencës ndërkombëtare, ashtu edhe brenda vendit, përmes frikës dhe autoritetit, edhe pse sipas tij, hendeku mes shtetit dhe shoqërisë iraniane është i thellë. Ai e përshkroi popullsinë iraniane si të varfëruar, të dobësuar, të shtypur dhe me plot pakënaqësi, por njëkohësisht të frikësuar nga vala e ekzekutimeve pas luftës.

Funerali ishte planifikuar të mbahej në mars, jo shumë kohë pasi Khamenei u vra më 28 shkurt. Kjo nuk ndodhi dhe arsyet e shtyrjes flasin vetë për gjendjen në të cilën ndodhet Irani.

Planet u rishikuan vazhdimisht menjëherë pas vdekjes së Khameneit, pasi shteti ishte ende në luftë. Zyrtarët u përballën me dilema që lidhen me kërcënimet ndaj sigurisë, pasigurinë për pjesëmarrjen e delegacioneve të huaja dhe çështjen ende të pazgjidhur të pasardhësit të tij.

Si rezultat, trupi i Khameneit u ruajt për muaj të tërë, teksa Republika Islamike përpiqej të gjente një mënyrë për ta varrosur udhëheqësin e saj të dytë suprem pa rrezikuar që ceremonia të shndërrohej në kaos ose të bëhej vetë një çështje që do të rriste tensionet.

Siguria është tani shqetësimi kryesor. Burime i thanë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm rreth kompleksit të faljes Mosala në Teheran, prej nga do të nisë ceremonia mortore.

Organizatorët po përpiqen po ashtu të shmangin përsëritjen e dy tragjedive famëkeqe: shtypjen e turmave që ndodhi gjatë funeralit të ajatollah Ruhollah Khomeini në vitin 1989, kur humbën jetën tetë persona dhe mijëra të tjerë u plagosën, si edhe shtypjen gjatë varrimit të Qassem Soleimani në vitin 2020, ku humbën jetën dhjetëra njerëz. Zyrtarët provincialë në Korasan Razavi, ku do të varroset Khamenei, e kanë përmendur idenë e përdorimit të helikopterëve për të menaxhuar turmat rreth arkivolit.

Edhe funerali i Khomeinit u shoqërua me skena kaotike, kur mijëra pjesëmarrës u vërsulën drejt arkivolit të themeluesit të Republikës Islamike, duke bërë që trupi i tij, i mbështjellë me qefin, të binte jashtë arkivolit. Organizatorët pa dyshim do të duan të shmangin përsëritjen e një incidenti të tillë.

I gjithë organizimi i ceremonisë nuk mund ta fshehë plotësisht atë që sundimi i Khameneit nënkuptoi për njerëzit të cilëve tani u kërkohet ta vajtojnë.

Për më shumë se tri dekada, ai qëndroi në krye të një sistemi që çdo zë kritikë e trajtonte si pjesë të një komploti të huaj dhe i përgjigjej me forcë vdekjeprurëse – nga Lëvizja e Gjelbër e vitit 2009, te trazirat Grua, Jetë Liri e vitit 2022 e deri te vala vdekjeprurëse e protestave që shpërtheu vetëm disa javë para fillimit të luftës.

Prandaj nuk është për t’u habitur që familjet e protestuesve të vrarë nga forcat e sigurisë e pritën me gëzim vdekjen e Khameneit gjatë luftës, pavarësisht se konflikti kishte përhapur frikë dhe ankth në shoqëri.

“Ndjeva se drejtësia kishte triumfuar mbi shtypjen”, tha për Radion Farda Moslem Haqiqi, djali i të cilit, Milan Haqiqi, u vra në vitin 2022. “Kjo solli njëfarë ngushëllimi për plagët që kishin rënduar zemrën time për vite me radhë”.

Video: Shumë njerëz e kujtoijnë Khamenein si lider brutal

Megjithatë, disa argumentojnë se vdekja e Khameneit nga sulmi ndaj rezidencës së tij i dha Republikës Islamike mundësinë ta paraqesë atë si një figurë të shenjtëruar dhe të përpiqet të rikthejë një pjesë të legjitimitetit të saj të rrënuar përmes një funerali edhe më madhështor se ato të mbajtura për ajatollah Ruhollah Khomeini apo Qassem Soleimani.

Rahmani e cilësoi vetë luftën si një fatkeqësi për opozitën politike të Iranit.

“Në fakt, kjo luftë i bëri shumë përpjekje më pak efektive, e dobësoi ndjeshëm shtresën e mesme të Iranit dhe të paktën për momentin, regjimi ka rivendosur autoritetin dhe frikën”, tha ai. Megjithatë, sipas tij, ky dominim është i brishtë dhe mund të shembet nëse forcat opozitare kanë strategjinë e duhur.

Pikëpyetja më e madhe gjatë kësaj jave është nëse udhëheqësi i tretë suprem i Iranit do të shfaqet në publik.

Mojtaba Khamenei nuk është parë në publik që nga fillimi i luftës në shkurt. Që prej emërimit të tij nuk është publikuar asnjë video, audio-incizim apo fotografi e re: janë bërë publike vetëm deklarata me shkrim, të lexuara në televizionin shtetëror.

Madje edhe vjehrri i tij, Gholam Ali Haddad Adel, ka deklaruar publikisht se nuk ka pasur asnjë kontakt me të dhe nuk ka asnjë informacion për gjendjen e tij që para e të niste lufta. Mojtaba nuk mori pjesë as në funeralin e bashkëshortes së tij më 2 korrik, e cila u vra në të njëjtin sulm ku u vra edhe babai i tij.

Zyrtarët që po organizojnë ceremoninë mortore kanë refuzuar të thonë nëse ai do të marrë pjesë.

Nëse ai shfaqet në publik, momenti më i rëndësishëm nuk do të jetë thjesht prania e tij mes turmës, por nëse ai do ta udhëheqë vetë namazin për varrimin e të atit. Disa vëzhgues besojnë se Mojtaba mund ta marrë përsipër këtë rol nëse merr pjesë në ceremoni, megjithëse zyrtarët nuk kanë dhënë asnjë sinjal se kjo do të ndodhë. Nëse ai shfaqet në ballë të ceremonisë për të udhëhequr faljen e namazit për të atin, do të ishte gjëja më e afërt e marrjes publike të pushtetit.

Të këshilluara

ide

Protesta që vrau piktorin dhe prezantoi noterin e krimit

Mjaftoi një muaj marshimi i flamingove për të retushuar në shtypin botëror imazhin e politikanit artist dhe për ti mbivendosur atij portertin e njeriut që lidhi familjen e presidentit të SHBA me një trafikant kokaine

05:06 Andi Bushati

A do prodhojë protesta të njëjtat pasoja si për Vuçiçin?

Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër

09:18 Veton Surroi

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

93.88

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI