Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Farka ku kishte bashkëbisedim me qytetarët tha se opozita e bashkuar ka protestuar dhe do të protestojë sërish. Basha tha se në krye të vendit është Rama dhe banda e tij, e cila qeveris me kërbaç e duke bashkëpunuar me krimin. Në fjalën e tij, Basha paralajmëroi se më datë 11 maj, kjo bandë kriminale do të tundet.
Për ta çuar këtë betejë deri në fund, kemi akoma rrugë për të bërë. Këtë rrugë do ta bëjmë ditë për ditë, të gjithë së bashku, kudo ku ndodhemi, në ambjentet tona të punës, në komunitet, në protestat e përjavshme dhe në protestat kombëtare.
Jam i bindur se të shtunën e 11 majit, dega 12 do dijë ta tundë edhe njëherë flamurin kombëtar dhe kauzën e demokracisë e të lirisë, siç ka bërë me 13 prill, me 16 mars dhe me 16 shkurt, dhe siç do të bëjmë ditë për ditë e javë për javë deri në largimin e kësaj bande, deri në çlirimin e Shqipërisë, nga krimi, nga Edi Rama dhe nga hajdutët e tij grabitqarë", - tha Basha.