
Të paktën 47 persona kanë humbur jetën dhe 97 të tjerë janë plagosur si pasojë e një vale sulmesh ajrore izraelite që goditën zona të ndryshme të Liban gjatë natës dhe orëve të para të ditës së premte.
Sipas përditësimit më të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë e Libanit, mes viktimave ndodhen edhe dy fëmijë. Autoritetet shëndetësore raportuan se numri i të vdekurve është rritur ndjeshëm krahasuar me bilancin paraprak, i cili fliste për 21 viktima dhe 39 të plagosur.
Ministria bëri të ditur se shifrat e reja lidhen me sulmet intensive të kryera nga mesnata deri në orët e pasdites, të cilat prekën kryesisht rajonet jugore dhe lindore të vendit.
Ekipet e emergjencës dhe mbrojtjes civile vijojnë operacionet në zonat e goditura, ndërsa ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej, pasi disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë.
Përshkallëzimi i fundit vjen në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe shmangie të një zgjerimi të mëtejshëm të konfliktit.