Opozita vendos të kërkojë zyrtarisht sqarime nga ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati për çështjen e marrëveshjes me Greqinë. Deputetët e opozitës në Komisionin e Jashtëm kërkojnë shpjegime për çështjen e kufirit detar me Greqinë dhe bisedimet hermetike të mbajtura të fshehta deri tani. Në shkresën e firmosur nga 1/3 e deputetëve të Komisionit të Jashtëm drejtuar Mimi Kodhelit, kryetares së këtij komisioni, shpjegohet arsyeja pse Bushati duhet të informojë jo vetëm deputetët, por gjithë opinioni publik.
“Nga ana e Ministrit të Jashtëm Kotzias pas takimeve hermetike të Kretës dhe të Korçës, është deklaruar “se palët tashmë kanë arritur në marrëveshje për delimitimin e hapësirave detare si dhe pala shqiptare ka pranuar që pala greke të zgjerojë ujërat e saja territoriale deri në 12 milje”. Këto deklarime nuk janë mohuar nga ana e qeverisë shqiptare, ç’ka i bën akoma më të besueshme deklarimet e Ministrit të Jashtëm Grek”- thuhet në kërkesë.
“Pyetjet tona lidhen me kushtet e procedurat se kur deklarohet që është arritur apo ka marrë formë marrëveshja (qe do të thotë se është ngritur grupi negociator), janë zhvilluar negociatat, palët në nivel ekspertësh kanë rënë dakord, dhe më pas zhvillohen diskutimet në nivele politike. Gjithashtu këto pyetje bazohen edhe në faktin se nga Presidenti i Republikës deklarohet që deri më tani nuk është dhënë asnjë Plotfuqishmëri për këtë proces shumë të rëndësishëm. Kjo u konfirmua edhe nga kërkesa e bërë vetëm dje nga Ministri Bushati për të kërkuar Plotfuqishmërinë” – thonë deputetët e opozitës të cilët shtrojnë pyetjet:
a. Përse një marrëveshje e tillë zhvillohet në një mungesë totale të infomimit të institucioneve kryesorë të vëndit, Kuvëndi i Shqipërisë, Opozita, Shoqëria Civile?
b. Tashme qe u qartesua fakti i mospasjes akoma te Plotfuqishmerise, ne kërkojmë të dimë edhe vleresimin tuaj për këtë situate jo normale, si dhe per vlefshmerine e procedurave te ndjekura deri me tani?
c. A eshte kordinuar me Presidentin per hapat e deri tanishme dhe mbi cbaze legale jane bere ato, sidoqoftë përgjigja per pjesën e pare?
d. Cili është grupi negociator, çfarë përbërje ka, cili është niveli i përfaqësimit në këtë grup i ekspertëve të fushave, i ekspertëve nga opozita dhe nga shoqëria civile, në mënyrë që ky grup të jetë i pakontestueshëm dhe të përfaqësojë në mënyrë të drejtë të gjithë interesat kombëtare?
e. Nëse është ngritur ky grup ekspertësh për të negociuar, cili është tagri që ka ky grup? Cilat zona po delimitohen dhe a duhej te përcaktoheshin me pare ato në aktin e Plotfuqishmërise së Presidentit të Republikës?
f. Nëse është arritur marrëveshja në nivel politik sikurse është deklaruar nga ana e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Greqisë, a është kjo një shkeljen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë,kur ka munguar edhe Plotfuqishmëria e Presidentit?
g. Nëse marrëveshja është arritur në nivel politik – çfarë u ngelet ekspertëve të bëjnë? Thjesht çertifikimin e marrëveshjes politike në një kohë që duhet të jetë e kundërta, bëhen negociatat në nivel eksperti e më pas nënshkruhet marrëveshja politikisht?


