
Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur zonën e Xhamllikut në Tiranë rreth orës 03:00 të mëngjesit të kësaj të shtune. Lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur në katin e parë, në derën e një banese në rrugën “Sadik Petrela”.
Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por ngjarja ka shkaktuar panik te banorët e zonës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Pronaria e banesës është marrë në pyetje nga grupi hetimor. Ajo ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush mund të ketë vendosur lëndën plasëse në derën e shtëpisë së saj.
Sipas informacioneve paraprake, gruaja ishte e divorcuar prej disa vitesh dhe jetonte në banesë së bashku me dy fëmijët e saj, një djalë dhe një vajzë.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorit dhe përcaktimin e motiveve të këtij akti.