
Një zjarr i madh pyjor ka përfshirë një zonë natyrore në juglindje të Holandës, ku qindra zjarrfikës janë angazhuar për vënien nën kontroll të flakëve. Zjarri shpërtheu pranë fshatit Ostrum, në provincën e Limburgut, duke përfshirë një sipërfaqe prej të paktën 1 mijë hektarësh.
Autoritetet kanë mobilizuar forca të shumta në terren për të frenuar përhapjen e zjarrit, ndërsa kushtet e motit dhe terreni i zonës e kanë vështirësuar ndërhyrjen. Deri tani nuk janë raportuar viktima, ndërsa operacionet për shuarjen e flakëve vijojnë.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, mëngjesin e sotëm autoritetet provinciale deklaruan se zjarri nuk ishte vënë nën kontroll dhe se ishte djegur një sipërfaqe prej 1.000 hektarësh. Të paktën 300 personel i shërbimeve të emergjencës u mobilizuan gjatë natës për të shuar zjarrin. Helikopterët e zjarrfikësve, të cilët u mobilizuan për t'u përballur me zjarrin, pritej të rifillonin operacionet në orën 07:00 sipas orës lokale.
"Për shkak të thatësirës, zjarri mund të përhapet shpejt në rezervatet natyrore", thanë autoritetet lokale, pa specifikuar shkakun e saktë të zjarrit.
Vendet evropiane po përballen me një thatësirë të rëndë, të shënuar nga tharje të përrenjve, kufizime të ujit dhe zjarre shkatërruese në pyje pas një vale historike të të nxehtit në qershor.