
Katër persona kanë dalë para Gjykatës Penale në Bruksel, të dyshuar si pjesë e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës me lidhje në Amerikën e Jugut. Në qendër të hetimit janë edhe disa shtetas shqiptarë, të cilët sipas dyshimeve të prokurorisë kishin një rol drejtues në aktivitetin kriminal.
Hetimi nisi në nëntor të vitit 2024, pas një incidenti të dyshuar pengmarrjeje në një garazh në Beersel. Natën mes 26 dhe 27 nëntorit, policia ndërhyri në rrugën Bergensesteenëeg në Bruksel, ku gjeti disa shtetas shqiptarë dhe një shtetas holandez. Asnjëri prej personave të përfshirë nuk pranoi të jepte deklarata.
Pas sekuestrimit dhe analizimit të telefonave celularë, hetuesit dyshohet se zbuluan strukturën e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Sipas hetimeve, të paktën dy nga shqiptarët e dyshuar ishin dërguar në Belgjikë për të zgjidhur konflikte të brendshme të organizatës. Ata dyshohet se kishin përgjegjësi për organizimin e nxjerrjes së ngarkesave të drogës nga kontejnerët që mbërrinin në portin e Anversës.
Në këtë aktivitet dyshohet se ishte i përfshirë edhe një shtetas holandez, i cili merrej me rekrutimin e personave që nxirrnin drogën nga kontejnerët. Ai dyshohet se kishte krijuar borxhe ndaj organizatës pas zhdukjes së një ngarkese droge dhe për këtë arsye ishte mbajtur kundër vullnetit të tij nga shtetasit shqiptarë në garazhin në Beersel.
Seanca gjyqësore shtyhet deri në vitin 2027
Mediat belge shkruajnë se procesi gjyqësor ndaj katër të pandehurve u shty që në fillim të seancës së së hënës, pasi avokati i njërit prej tyre paraqiti kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit nga çështja. Gjyqtari ka 48 orë kohë për të vendosur nëse do të tërhiqet nga procesi. Në rast se refuzon, kërkesën do ta shqyrtojë Gjykata e Apelit. Për pasojë, procesi gjyqësor pritet të rifillojë në fillim të vitit 2027.