Flash

Mesazhi i Von der Leyen për vendet kandidate në BE: Kapeni këtë mundësi!

Lapsi.al 16 November 2026

Mesazhi i Von der Leyen për vendet kandidate në BE: Kapeni

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi nga Brukseli se Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duke folur në Forumin e II-të të Zgjerimit, me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, ajo kërkoi që BE-ja dhe vendet kandidate të shfrytëzojnë momentin për të çuar përpara procesin.

“Talentet e reja të Ballkanit Perëndimor do të sjellin vlera në tregun e përbashkët evropian. Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e BP-së, vendet po bëjnë hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi. Të shfaqim të njëjtën ambicie si liderët e 30 viteve më parë, që ta kthejmë në sukses”, tha mes të tjerash von der Leyen.

Në forum, ku merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama, në qendër të diskutimeve janë përparimi i vendeve kandidate, Paketa e Zgjerimit e këtij viti dhe perspektiva e një Bashkimi Evropian më të zgjeruar dhe më rezistent.

Von der Leyen theksoi se përgatitjet për anëtarësime të reja nuk janë detyrë vetëm e vendeve kandidate. Sipas saj, edhe vetë BE-ja duhet të përgatitet, duke nisur nga mënyra se si funksionon dhe merr vendime.

Ajo nënvizoi gjithashtu se reformat e vendeve kandidate duhet të shoqërohen me hapa konkretë drejt anëtarësimit dhe me përfitime nga integrimi në tregun e përbashkët evropian.

“Duhet të përgatitin edhe Unionin. Fillon me vendimmarrjen e BE-së. Traktatet tona po bëjnë që tani punë për afrimin. Shtetet duhet të dinë që progresi në reforma sjell progres në anëtarësim dhe në tregjet e përbashkëta për të dyja palët. Bashkë mund të hedhim hapin e radhës në bashkimin e familjes sonë evropiane”, shtoi von der Leyen.

Për të ilustruar ndikimin e zgjerimit, presidentja e Komisionit Evropian iu referua përvojës së vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ajo kujtoi debatet e 30 viteve më parë dhe transformimin ekonomik që pasoi zgjerimin e vitit 2004, duke sjellë si shembull krahasimin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.

Krahas përfitimeve ekonomike, von der Leyen e lidhi zgjerimin edhe me sigurinë e Bashkimit Evropian dhe aftësinë e tij për t’i bërë ballë Rusisë.

“30 vite më parë debatohej për zgjerimin më të madh ndonjëherë të BE-së. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore nisën të gjenin rrugën e tyre për në “shtëpi”. Zgjerimi transformoi jetën e miliona njerëzve duke nisur që nga viti 2004. Zgjerimi solli transformim të jashtëzakonshëm ekonomik. Polonia dhe Bjellorusia ishin të dyja njësoj. Sot GDP-ja e Polonisë është 3 herë më e madhe sesa e Bjellorusisë.

Zgjerimi prodhon më shumë prosperitet. Shtimi i anëtarëve të rinj na bën më të fortë. Nëse vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore do të kishin mbetur jashtë, a do t’i kishim bërë dot ballë sot Rusisë? Ato sot forcojnë kufirin tonë lindor, sepse është një kufi i BE-së. Shtetet që përgatiten për t’u futur në BE kanë shumë për të na ofruar”, tha mes të tjerash Ursula von der Leyen.

Në të njëjtin forum, komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se procesi është rikthyer në qendër të debatit politik. Sipas saj, rezultatet e arritura këtë vit tejkalojnë ato të 25 viteve të fundit.

Kos paralajmëroi edhe për përpjekje të aktorëve kundërshtarë për të dëmtuar vendet kandidate, duke theksuar se BE-ja nuk do të lejojë pengimin e procesit.

“Sot zgjerimi është sërish në një debat të gjerë se si. Kemi dhënë rezultate për zgjerimin këtë vit më shumë sesa në 25 vitet e fundit. Kemi kundërshtarë që duan të dëmtojnë kandidatët për anëtarësim. Nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha mes të tjerash Marta Kos.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

90.71

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI