Flash

Goli nuk mjafton për Hysaj: “Sikur të ishte të firmosja me një ekip”. Shehu, Mitaj e Uzuni shohin larg

Goli i shënuar ndaj Bjellorusisë ishte një moment i veçantë për Elseid Hysajn, por pas triumfit në Budapest mbrojtësi shkodran nuk e fshehu se çfarë do ta kompletonte këtë periudhë.

Lapsi.al 15 November 2026

Goli nuk mjafton për Hysaj: “Sikur të ishte të firmosja me

Goli i shënuar ndaj Bjellorusisë ishte një moment i veçantë për Elseid Hysajn, por pas triumfit në Budapest mbrojtësi shkodran nuk e fshehu se çfarë do ta kompletonte këtë periudhë. Pas gjashtë muajsh pa një skuadër, prioriteti i tij mbetet rikthimi në futbollin e klubeve. Megjithatë, përtej aspektit personal, Hysaj vlerësoi rrugëtimin e Shqipërisë në këtë edicion të Ligës së Kombeve dhe faktin që objektivi u arrit me paraqitje bindëse.

“Qershia mbi tortë do të ishte të firmosja me një ekip. Mjaftojnë 6 muaj pa një ekip. Po të isha me një ekip do të ishte më e lehtë, por faleminderit Kombëtares, që mu gjend në këto momente. Një objektiv i arritur. Ishte obligim për të fituar Grupin B. Kemi bërë paraqitje shumë të mirë në të gjitha ndeshjet. Për këtë jam i kënaqur, sesa për ngjitjen në Ligën B. Kemi disa çuna në moshë të madhe. E rëndësishme është që të gjithë të japim maksimin. Do t’iu hapim rrugën edhe çunave të rinj që do të na zëvendësojme. Ne tani e rëndësishme është të japim maksimumin”, u shpreh Hysaj.

Mitaj e raporti me Pilon: "Një armë e fortë në krahun e majtë"

Një nga elementet që ka spikatur në lojën e Shqipërisë është bashkëpunimi në krahun e majtë. Mario Mitaj ndalet pikërisht te harmonia me Pilon, duke vlerësuar mënyrën se si të dy futbollistët plotësojnë njëri-tjetrin në fazën sulmuese dhe në mbulimin e hapësirave. Mbrojtësi kuqezi shpjegon gjithashtu se qetësia në fushë është një tipar që e shoqëron prej fëmijërisë, ndërsa suksesi në grup ka sjellë natyrshëm edhe atmosferën e festës në skuadër.

“Luajmë shumë mirë me Pilon, është lojtar që luan mirë, merr mirë krahun dhe mënyra si më mbulon e bëjmë këtë punë në krahun e majtë. Sa i përket qetësisë, e kam thënë shumë herë që e kam pasur që kur kam qenë i vogël. Më pëlqen futbolli, argëtohem duke luajtur futboll. Normale, gjithmonë kur fitojmë, ka gjithmonë festë, sidomos kur kemi fituar grupin. Jemi të gjithë shumë pozitiv dhe të lumtur, vetëm komplimente”, tha Mitaj.

Shehu: "Pa presion, pavarësisht nëse luan titullar apo nga stoli"

Mungesa e Ylber Ramadanit krijoi një hapësirë në mesfushën e Shqipërisë, por Juljan Shehu e shfrytëzoi mundësinë e dhënë nga trajneri Maran. Mesfushori u përshtat me detyrat e kërkuara dhe ndihmoi skuadrën në një ndeshje ku objektivi ishte vetëm fitorja. Pas takimit, ai theksoi se nuk e kishte ndier aspak presionin e përgjegjësisë, duke nënvizuar gatishmërinë për të kontribuar në çdo rol që i besohet.

“Nuk kam pasur fare presion. Në çdo moment që do të më jepet mundësia, do të jap përherë maksimumin. Edhe po luajta nga fillimi edhe nga stoli, gjithmonë do të jem i njëjti. Kemi më shumë cilësi, jemi ekip i bashkuar dhe luftojmë të gjithë së bashku, për të arritur qëllimin. Jemi gati për të ecur përpara me rezultate të mira. Mezi po pres të shënoj golin e parë me ekipin Kombëtare, por më e rëndësishme është të ndihmoj ekipin dhe të marrim sa më shumë rezultatet positive”, e mbylli prononcimin e tij Shehu.

Uzuni: "Kemi ndryshuar në sulm, krijojmë më shumë raste"

Për Myrto Uzunin, fitorja në transfertë ndaj Bjellorusisë ishte konfirmimi i forcës së grupit dhe i besimit me të cilin kuqezinjtë hynë në këtë përballje. Sulmuesi beratas e konsideroi ndeshjen si një finale, ku Shqipëria duhej të tregonte cilësitë e saj për të siguruar objektivin. Ai vlerësoi edhe mbështetjen e tifozëve, ndërsa vuri në dukje një aspekt të rëndësishëm të lojës së skuadrës: krijimin e më shumë rasteve në fazën sulmuese.

“Kemi bërë një ndeshje shumë të madhe sot, ka qenë një finale për ne. E dimë kualitetit tonë, erdhëm për të fituar, çunat kanë bërë një ndeshje të madhe sot. Tifozët kanë qenë forca jonë më e madhe. Të dy fitoret kanë qenë mëse të merituara. Gjithmonë i marrim ndeshjet një nga një. Krijojmë më shumë raste tani përpara. Gjithë lojtarët japin maksimumin”, deklaroi Uzuni pas ndeshjes.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

90.71

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI