Flash

Vrasja dhe zhdukja e Artjol Ramajt në Spanjë, Prokuroria kërkon mbi 22 vite burg për autorin

Lapsi.al 15 November 2026

Vrasja dhe zhdukja e Artjol Ramajt në Spanjë, Prokuroria kërkon

Artjol Ramaj, 29-vjeçari nga Vlora, u largua drejt Spanjës në nëntor të vitit 2022, por udhëtimi i tij përfundoi në mënyrë tragjike. Më 2 mars 2023, i riu humbi çdo kontakt me familjen, duke lënë pas një mister që për muaj të tërë mbajti në ankth prindërit dhe të afërmit e tij.

Nëna e tij, Valentina Ramaj, kërkoi ndihmën e autoriteteve shqiptare dhe spanjolle për të zbuluar fatin e të birit. Në atë kohë, dyshimet e familjes ishin se 29-vjeçari mund të ishte rrëmbyer. Për muaj të tërë, familjarët nuk morën asnjë informacion konkret për vendndodhjen e tij, ndërsa shpresa për ta gjetur gjallë mbetej ende e pranishme.

Më vonë, makthi i familjes mori një tjetër kthesë, kur autoritetet spanjolle konfirmuan përmes analizave të ADN-së se mbetjet mortore të gjetura në një zonë pyjore i përkisnin Artjol Ramajt.

Tashmë, më shumë se tre vite pas ngjarjes, gazeta prestigjioze spanjolle “El País” i ka kushtuar një artikull të posaçëm zbardhjes së rrethanave të vrasjes së të riut shqiptar, duke publikuar detaje nga hetimet, provat e mbledhura dhe akuzat ndaj 52-vjeçarit me të cilin ai jetonte.

Sipas “El País”, natën e 2 marsit 2023, Artjol Ramaj u zhduk pa lënë gjurmë. Që prej fundit të vitit 2022, ai jetonte me një 52-vjeçar, të identifikuar me inicialet I. B. dhe të njohur me nofkën “El Seco”, (I thati) në një shtëpi dykatëshe në një kompleks banimi në Riudarenes, në rajonin e Gironës.

Të dy kujdeseshin dhe ruanin një plantacion marijuane që ndodhej në pronën ku bashkëjetonin.

Gazeta shkruan se disa ditë pas zhdukjes, një person i njohur i Artjolit iu drejtua policisë katalanase, Mossos d'Esquadra, për të denoncuar rastin. Ai ishte shqetësuar jo vetëm nga mungesa e informacionit për të riun, por edhe nga ato që Artjoli u kishte treguar më herët të njohurve të tij.

Sipas dëshmive të mbledhura, marrëdhënia mes shqiptarit dhe 52-vjeçarit ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe të dy kishin pasur disa përleshje fizike.

Kur policia mbërriti në banesë, arrestoi 52-vjeçarin, pronarin e pronës, nën akuzën për një vepër penale kundër shëndetit publik. Gjithashtu, autoritetet çmontuan plantacionin e marijuanës, por nuk gjetën asnjë gjurmë të Artjol Ramajt.

Pas disa vitesh hetime, gjykata në Santa Coloma de Farners ka vendosur të mbyllë fazën hetimore dhe ta kalojë çështjen për gjykim me juri.

Sipas dyshimeve të gjykatësit, “El Seco” e ka vrarë të riun pas një tjetër konflikti, pikërisht natën kur ai humbi kontaktet me familjen. Shkak i sherrit dyshohet të ketë qenë një shumë prej vetëm 5 eurosh, për të cilat 52-vjeçari e akuzonte shqiptarin se ia kishte marrë.

Sipas versionit të akuzës, 52-vjeçari e sulmoi Artjolin ndërsa ai ndodhej i shtrirë në shtrat, i papërgatitur për sulmin dhe pa mundësi për t'u mbrojtur. Hetuesit dyshojnë se ndaj tij është ushtruar dhunë e rëndë, e cila i shkaktoi vdekjen.

Një nga detajet më tronditëse të hetimit lidhet me mënyrën se si u trajtua trupi i të riut pas vrasjes së dyshuar.

“El País” shkruan se trupi i Artjol Ramajt nuk u gjet kurrë i plotë. Hetuesit zbuluan vetëm një numër të madh mbetjesh kockore, të shpërndara në një hapësirë që përdorej si vendgrumbullim mbeturinash, në një zonë pyjore pranë banesës ku dyshohet se ndodhi sulmi fatal, në kompleksin e banimit Can Fornaca.

Mbetjet mortore u zbuluan më 17 prill 2023, rreth një muaj e gjysmë pas vrasjes së dyshuar, nga një burrë që po shëtiste qenin e tij.

Gjykatësi hetues dyshon se i akuzuari e dinte se çfarë po bënte kur transportoi trupin drejt asaj zone. Sipas hetimeve, derrat e egër dhe kafshë të tjera të familjes së qenve që frekuentonin vendin mund të kishin shkatërruar trupin, duke e bërë të pamundur identifikimin e plotë të tij.

Prokuroria shpjegon se gjendja në të cilën u gjetën mbetjet kockore, me skeletizim të pjesshëm, shpërndarje anatomike dhe ndryshime të shkaktuara nga kafshët që ushqehen me kërma, nuk lejoi përcaktimin e numrit të plagëve që mund t'i ishin shkaktuar viktimës.

Ekspertët arritën të identifikonin vetëm një traumë në kokë dhe tru, e cila, sipas palëve akuzuese, ishte një prej dëmtimeve që i shkaktuan vdekjen të riut shqiptar.

Pranë mbetjeve mortore u gjet edhe një thikë.

Hetimet zbuluan gjithashtu një sërë provash materiale që, sipas akuzës, lidhen me vrasjen dhe përpjekjet për të fshehur gjurmët e saj.

Në të njëjtën zonë ku u zbuluan mbetjet mortore, policia gjeti disa sende personale të Artjol Ramajt, mes tyre një peshqir, një këllëf jorgani, një jastëk dhe një qilim, të gjitha të njollosura me gjak pas sulmit të dyshuar.

Gjurmë gjaku u zbuluan edhe në dhomën e gjumit ku qëndronte shqiptari. Sipas hetuesve, i akuzuari kishte tentuar t'i pastronte ato për të zhdukur provat që mund ta lidhnin me krimin.

Gjurmë të tjera gjaku u konstatuan në një furgon, i cili dyshohet se është përdorur për transportimin e trupit drejt zonës ku u gjetën mbetjet mortore.

Por një tjetër detaj u zbulua gjatë kontrollit të banesës. Brenda lavatriçes, policia gjeti një palë pantallona të 52-vjeçarit, të cilat ishin gjithashtu të njollosura me gjak.

Pas përfundimit të hetimeve, çështja pritet të kalojë për gjykim me juri në Spanjë.

“El País” raporton se Prokuroria kërkon 22 vite e 5 muaj burg për 52-vjeçarin, ndërsa dy palët akuzuese që përfaqësojnë familjarët e viktimës kërkojnë një dënim tre vite më të gjatë, pra 25 vite burg.

Njëra palë përfaqëson nënën dhe motrën e Artjolit, ndërsa pala tjetër babanë e tij.

Përveç akuzës për vrasje, familjarët i kanë atribuar të pandehurit edhe veprën penale të përdhosjes së kufomës, për të cilën kërkojnë edhe pesë muaj burg.

Pavarësisht provave të mbledhura gjatë hetimeve, 52-vjeçari i njohur si “El Seco” mohon përfshirjen në vrasjen e Artjol Ramajt dhe pretendon se është i pafajshëm.

Avokatja e tij argumenton se akuza mbështetet kryesisht në prova rrethanore, dyshime dhe interpretime të hetuesve, pa prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë përgjegjësinë e klientit të saj.

Në dokumentin përmes të cilit kërkon pushimin e çështjes, mbrojtja kundërshton mënyrën se si janë ndërtuar përfundimet e hetimit.

Sipas saj, fakti që në dhomën e gjumit kishte gjak nuk provon vetvetiu se vdekja ka ndodhur aty. Po kështu, pretendon se përgjegjësia e të akuzuarit nuk mund të nxirret vetëm nga fakti se ai bashkëjetonte me viktimën.

Mbrojtja kundërshton gjithashtu interpretimin e pantallonave të njollosura me gjak si provë të sulmit, si dhe lidhjen e gjurmëve të gjakut në furgon me transportimin e trupit.

Edhe transportimi i dyshekut dhe i shtresave të shtratit, sipas avokates, i atribuohet klientit të saj duke u nisur nga supozimi paraprak se ai ishte autori i vrasjes.

Në thelb, mbrojtja pretendon se përfundimet e hetuesve ndërtohen mbi njëra-tjetrën, duke e marrë si të mirëqenë fajësinë e të akuzuarit pa pasur prova të drejtpërdrejta që e vërtetojnë atë.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga një juri në Spanjë, ku do të vendoset mbi përgjegjësinë penale të 52-vjeçarit për vrasjen e dyshuar të Artjol Ramajt, një ngjarje që për më shumë se tre vite ka lënë familjen e të riut përballë dhimbjes dhe shumë pikëpyetjeve. 

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

90.71

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI