
Një prej fustaneve më ikonë të Princeshë Dianës, ai që veshi gjatë vallëzimit të famshëm me aktorin John Travolta në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1985, do të ekspozohet në një koleksion të veçantë kushtuar jetës së saj.
Ekspozita “Princess Diana: Love Life Legacy – A Life of Giving”, e hapur në Bibliotekën dhe Muzeun Presidencial Ronald Reagan në Kaliforni, përmban më shumë se 700 objekte që i përkasin Dianës, duke përfshirë veshje, bizhuteri, letra të shkruara me dorë dhe kujtime personale nga periudha të ndryshme të jetës së saj.
Fustani prej kadifeje blu, me shpatulla të zbuluara, është krijuar nga stilisti Victor Edelstein dhe u bë pjesë e historisë së modës pas mbrëmjes së 9 nëntorit 1985, kur Diana kërceu me aktorin e “Grease” dhe “Saturday Night Fever”.
Por, ajo që shumë pak dinë është se vallëzimi i famshëm për pak sa nuk ndodhi.
Sipas Melissa Giller, drejtoreshës së marketingut dhe programeve kulturore në fondacionin që organizon ekspozitën, në përgatitje të darkës, orkestra e Marinës Amerikane ishte udhëzuar të provonte muzikë nga filmi “Saturday Night Fever”.
Ishte sekretarja sociale e Shtëpisë së Bardhë, Gahl Burt, ajo që organizoi takimin në pistën e vallëzimit, pasi kishte folur me Zonjën e Parë Nancy Reagan. Ajo iu afrua Travoltës dhe e nxiti të ftonte princeshën për të kërcyer.
Aktori fillimisht hezitoi, pasi nuk ishte i sigurt nëse duhej ta bënte një gjë të tillë. Megjithatë, pas pak inkurajimi, ai iu afrua Dianës dhe e ftoi në vallëzim.
Të dy kërcyen për rreth 15 minuta, në një moment që do të mbetej ndër më të paharrueshmit në historinë e familjes mbretërore dhe Hollywood-it.
Travolta ka folur edhe më parë për këtë përvojë të veçantë, duke e cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij. Ai ka treguar se ishte i emocionuar dhe se e konsideronte një privilegj të veçantë mundësinë për të kërcyer me princeshën.
Në ekspozitë do të prezantohen edhe letra që Diana dhe Nancy Reagan i kanë shkruar njëra-tjetrës ndër vite, si dhe dhurata që familja mbretërore u kishte bërë presidentit Ronald Reagan dhe bashkëshortes së tij.
Organizatorët theksojnë se ekspozita nuk synon të tregojë vetëm stilin dhe elegancën e Dianës, por edhe anën e saj njerëzore, përkushtimin ndaj familjes dhe punën humanitare.
Koleksioni do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 31 maj 2027.