Flash

Kthesa e menjëhershme: Irani godet Bahreinin! SHBA dhe Izraeli përgatisin sulme të reja

Lapsi.al 15 November 2026

Kthesa e menjëhershme: Irani godet Bahreinin! SHBA dhe Izraeli

Irani sulmon për herë të dytë Bahreinin, rritet rreziku i rikthimit të luftës me SHBA-në
Irani ka ndërmarrë të dielën një sulm me dronë kundër Bahreinit, për herë të dytë brenda pak ditësh, ndërsa negociatat e paqes mes Uashingtonit dhe Teheranit duket se kanë ngecur.

Sipas New York Times, Ministria e Mbrojtjes e Bahreinit njoftoi se forcat e armatosura kishin interceptuar disa kërcënime ajrore iraniane përpara se të godisnin objektivat. Autoritetet u kërkuan qytetarëve të strehoheshin, ndërsa nuk pati raportime të menjëhershme për viktima apo dëme materiale.

Garda Revolucionare iraniane mori përgjegjësinë për sulmin, duke deklaruar se kishte shënjestruar një sistem radarësh në një bazë ajrore të Bahreinit, vend që strehon një bazë të rëndësishme ushtarake amerikane.

Sulmi vjen vetëm dy ditë pasi Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se kishte rrëzuar dy dronë iranianë të drejtuar drejt Bahreinit. Teherani e cilësoi atë sulm si hakmarrje ndaj një goditjeje amerikane mbi një kullë telekomunikacioni në Iran.

Përshkallëzimi i tensioneve vjen pas disa muajsh ngërçi në përpjekjet për një marrëveshje paqeje. Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga New York Times, SHBA-ja dhe Izraeli kanë hartuar plane për sulme të reja kundër Iranit, që mund të përfshijnë infrastrukturën energjetike dhe objektiva të tjera strategjike.

Ndërkohë, përplasjet ushtarake janë rikthyer edhe në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ku janë regjistruar edhe bombardime sporadike amerikane përgjatë bregdetit jugor iranian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se Teherani do të vazhdojë t'i përgjigjet çdo agresioni ushtarak, duke theksuar se Irani nuk po pret askënd për të garantuar sigurinë e tij.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale kontradiktore për mundësinë e rikthimit në një luftë të plotë. Së fundmi, ai ka larguar zëvendëspresidentin JD Vance nga negociatat me Iranin, megjithëse ky i fundit kishte mbështetur përpjekjet diplomatike.

Në një postim në rrjetet sociale, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë më nevojë për një marrëveshje me Iranin.

Ndërkohë, Katari dhe Pakistani po përpiqen të ndërmjetësojnë mes palëve për të shmangur një përshkallëzim të ri ushtarak në Lindjen e Mesme. /NY Times, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

90.71

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI