
Skuadër e re, qytet i ri, jetë e re. Por për teknikun Mauricio Pochettino ka diçka që nuk ndryshon: edhe te Manchester United, 54-vjeçari argjentinas do të ketë në zyrën e tij tasin e zakonshëm me limonë të freskët, të bukur dhe plot lëng, të cilët shërbejnë për të thithur energjinë negative të njerëzve që hyjnë në kontakt me të. Të paktën, këtë beson trajneri i ri i “Djajve të Kuq”. Larg qoftë, ik ters, syri i keq, majdanozi dhe finoku: arsenali i vjetër i hajmalive dhe kokave të hudhrës zbehet përballë fuqisë “së gjelbër” të limonëve. Për më tepër, që këta të çlirojnë efektin e tyre pastrues, duhet të zëvendësohen rregullisht në tas çdo 7-10 ditë, përpara se të thahen.
Zakoni i teknikut Pochettino për të mbajtur në zyrën e tij një tas me limonë, pasi beson se ata thithin energjinë negative (natyrisht, bëhet fjalë për një besëtytni të pastër, pa asnjë bazë shkencore), daton që nga periudha e tij te Tottenham. Kjo histori tregohet në librin “Brave New World”, i cili zbulon prapaskenat e sezonit 2016/17 të skuadrës londineze, të përfunduar me një vend të dytë të jashtëzakonshëm në Premier League, pas Chelsea, që drejtohej në atë kohë nga Antonio Conte.

Pochettino e teoria për limonët kundër energjive negative
Në atë kohë, një mik i kishte thënë trajnerit se limonët funksionojnë si një sfungjer ose si një barrierë që thith energjitë negative të njerëzve që hyjnë në një dhomë. Në një intervistë të vitit 2019, vetë Pochettino shpjegoi kështu funksionimin e jashtëzakonshëm të këtij agrumi: njerëzit që hyjnë sjellin me vete energji, e cila mund të jetë e mirë ose e keqe. Energjia negative “përfundon te limonët”, të cilët ai i ndërron afërsisht çdo dhjetë ditë, ndonjëherë edhe më herët, kur vëren se kanë filluar të prishen. Kjo teori e ish-trajnerit të Kombëtares së Shteteve të Bashkuara gjen terren të përshtatshëm te bindjet e tij për një “energji universale” dhe rëndësinë e lidhjes me natyrën.
Pochettino nuk është tërhequr kurrë nga kjo bindje, përkundrazi, e ka përsëritur disa herë. Në vitin 2023, kur drejtonte Chelsea, ai deklaroi: “Jepuni kohë limonëve, ata të verdhët funksionojnë më mirë se të gjelbërit”. Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Argjentinës e vazhdoi këtë zakon edhe gjatë drejtimit të përfaqësueses amerikane. Madje, kësaj here shtoi edhe praninë e një qiriu të ndezur. Gjithçka tregon se asgjë nuk do të ndryshojë as te Manchester United. Me shumë mundësi, vendosja e një tasi me limonë në zyrën e tij ka qenë ndër kërkesat e para që i ka bërë klubit, madje përpara ndonjë përforcimi në merkaton e janarit. “Djajve të Kuq” do t'u duhet pak nga të gjitha, si limonë, ashtu edhe blerje të reja, për të dalë nga situata e vështirë pas fillimit katastrofik të sezonit me Carrick: pas 10 javëve të para të kampionatit, ata ndodhen plotësisht në vendin e parafundit, me vetëm 8 pikë, pra praktikisht të rënë nga kategoria.