
Një 57-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për tentativë vrasjeje në Austri, është arrestuar nga Policia Kufitare në pikën e kalimit kufitar të Goricës.
Shtetasi me inicialet T. P. u kap në hyrje të Shqipërisë, pasi kërkohej nga Interpol Vjena. Gjykata Rajonale e Vjenës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.
Arrestimi i përkohshëm u krye nga specialistët e Hetimit të Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, me qëllim ekstradimin e tij drejt Austrisë.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet austriake, po vijon procedurat për ekstradimin e 57-vjeçarit.