
“Të japim noj lek ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”. Mesazhi i korrikut 2020 ishte një nga komunikimet e zbërthyera nga aplikacioni i enkriptuar Sky ECC që Prokuroria e Posaçme paraqiti si prova të reja në gjyqin ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Gjykata e Posaçme i pranoi provat, të cilat përfshijnë komunikime të vitit 2020 dhe të periudhës pasuese. SPAK tha në seancë se i identifikoi bashkëbiseduesit përmes kodeve që përdornin në Sky ECC. Sipas prokurorisë, mes tyre ishin Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi, Altin Hajri dhe Geraldo Martini.
Akuza e lidhi mesazhin e korrikut me përpjekjet për ta kaluar dosjen nga SPAK në një prokurori të zakonshme dhe për t’i treguar Festim Bexhdilit se çfarë duhej të deklaronte. Sipas prokurorisë, Gentian Funiqi komunikoi për mundësinë e transferimit të çështjes. Bexhdili përmendej edhe në bisedat që Altin Hajri zhvilloi me Funiqin nga 2 deri më 4 prill 2020. Në njërin prej mesazheve, Hajri shkroi: “Ishalla ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”.
Një pjesë tjetër e komunikimeve, sipas SPAK, lidhej me rrëmbimin e Jan Prengës dhe me vjedhjen e një sasie droge, të diskutuar në biseda si motiv i ngjarjes. Prokuroria tha se në mesazhe u diskutua fillimisht edhe mundësia e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por në fund u rrëmbye i vëllai, Jan Prenga. Në komunikime përmendeshin gjithashtu mesazhe që i ishin dërguar vëllait të Jan Prengës, i cili ndodhej në burg në atë kohë. Në një bisedë mes Funiqit dhe Rexhepit u diskutua mundësia që Ndrek Prenga të mbahej nën vëzhgim.
Më 30 janar 2021, sipas komunikimeve të paraqitura në gjykatë, Dritan Rexhepi shkroi: “Paskan dal ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”.
SPAK paraqiti edhe komunikime për një ngarkesë droge në Ekuador. Në një episod tjetër, sipas prokurorisë, të pandehurit diskutuan se çfarë të bënin me një ngarkesë që ishte lagur nga uji i detit.
Mbrojtja e Rexhepit kërkoi t’i viheshin në dispozicion komunikimet konkrete të nxjerra nga Sky ECC për të analizuar përmbajtjen e tyre. Gjykata caktoi seancën e radhës më 11 dhjetor, në orën 10:00, kur mbrojtja do të paraqesë analizën e provave të sjella nga SPAK. Gjykata urdhëroi gjithashtu që për procesin të njoftohej Korado Geshtenja, i cili ndodhet i arrestuar në Londër.