Flash

Shpërdorim dhe korrupsion/ “New York Times”: Ukraina humbi 1.2 miliardë $ në blerjen e armëve

Lapsi.al 7 September 2026

Një auditim i brendshme qeveritar ka zbuluar të meta serioze në sistemin e prokurimeve të sistemeve të mbrojtjes të  Ukrainës. Një investigim i “New York Times”, vlerëson se vendi humbi rreth 1.2 miliardë dollarë vetëm në vitin 2024 për shkak të mashtrimeve, shpërdorimit dhe keqmenaxhimit në blerjen e armëve dhe municioneve.

Raporti përshkruan një sistem në të cilin paralajmërimet për tejkalimet e kostove, dështimin për të ekzekutuar kontratat dhe korrupsionin nuk i kanë penguar shumë kompani të sigurojnë kontrata të reja të mëdha.

Sipas raporteve të auditimit qeveritar dhe dokumenteve gjyqësore të cituara nga gazeta amerikane, 7 nga 10 furnizuesit më të mëdhenj ushtarakë të Ukrainës morën porosi të reja, pavarësisht faktit se ata po përballeshin me hetime penale për mashtrim, akuza për mospërmbushje të kontratave të mëparshme, apo edhe arrestime të drejtuesve të tyre për raste korrupsioni.

Sipas “New York Times”, teksa forcat ruse sulmonin pozicionet ukrainase në lindje të vendit në vitin 2024, artileritë hapën zjarr, por disa nga predhat ose ranë nga tubat e lëshimit pa funksionuar siç duhet ose nuk shpërthyen. Drejtori i fabrikës, Leonid Shiman, u arrestua më vonë dhe u akuzua për korrupsion.

Megjithatë, sipas auditimeve të cituara nga gazeta, edhe pasi agjencitë përkatëse u vunë në dijeni se po dërgoheshin municione me defekt, Shërbimi Ukrainas i Prokurimit të Mbrojtjes vazhdoi t'i jepte kontrata të reja fabrikës. Shiman ishte tashmë nën hetim nga autoritetet antikorrupsion, përfshirë për përvetësim dhe mashtrim, kur siguroi kontratën e parë të madhe për furnizimin me predha mortajash.

Marrëveshja kishte një vlerë prej rreth 280 milionë dollarësh dhe u nënshkrua kur ai ishte liruar me kusht në një rast tjetër korrupsioni. Auditorët vunë re gjithashtu se Pavlohrad fillimisht kishte deklaruar se nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm prodhimi për të përmbushur kontratën, por më vonë ndryshoi shifrat e saj mbi kapacitetet e saj pa dhënë asnjë shpjegim.

Pavarësisht problemeve, uzina më pas mori edhe më shumë kontrata, duke përfshirë një porosi për të furnizuar pothuajse të gjitha predhat e artilerisë 122 milimetra që i nevojiteshin ushtrisë ukrainase në vitin 2025.

6 kompani nuk kishin plotësuar asnjë kontratë

Auditimet konfidenciale nga Zyra e Auditimit të Shtetit dhe njësia e auditimit të brendshëm të Departamentit të Mbrojtjes kanë paraqitur një pamje të keqmenaxhimit sistematik, sipas NYT. Auditorët gjetën 18 kompani që morën kontrata të reja pavarësisht se nuk i kishin përmbushur detyrimet e tyre të mëparshme. Nga këto, 6 kompani nuk kishin përfunduar asnjë nga kontratat që kishin ndërmarrë.

Auditimet, të cilat mbulojnë vitet 2024 dhe 2025, raportojnë gjithashtu se rreth 126 milionë dollarë u humbën për shkak se ofertat më të ulëta u injoruan dhe armët u blenë me çmime më të larta. Në një rast tjetër, kompanitë janë ende në një mosmarrëveshje ligjore mbi fatin e të paktën 100 milionë dollarëve, të cilat u paguan paraprakisht si pjesë e një marrëveshjeje që përfundimisht dështoi.

Ata paguan më shumë për të njëjtat municione turke

Përmendet veçanërisht edhe një tender për blerjen e municioneve për raketa të prodhuara në Turqi. Tre kompani paraqitën oferta për saktësisht të njëjtin produkt, i cili u prodhua në të njëjtën fabrikë. Një kompani ofroi shitjen e një rakete për rreth 4,200 dollarë, e dyta për 4,600 dollarë dhe e treta për 5,100 dollarë.

Kompania turke Arca Defense, e cila ishte edhe prodhuese, kishte paraqitur ofertën më të ulët, gjë që sipas auditorëve vërtetoi se ishte e mundur të blihej direkt nga fabrika. Pavarësisht kësaj, kontrata iu dha ofertës më të shtrenjtë, një dege të grupit të madh çek Czechoslovak Group, që i blinte raketat te kompania turke dhe ua shiste ukrainasve.

Në këtë mënyrë, qeveria ukrainase zgjodhi të blinte përmes një ndërmjetësi në vend që të blinte direkt nga prodhuesi. Auditorët thanë se nuk kishte justifikim të mjaftueshëm për këtë zgjedhje, ndërsa auditimet e mëparshme kishin paralajmëruar tashmë për barrën shtesë të shkaktuar nga blerjet përmes ndërmjetësve. Sipas llogaritjeve të New York Times, ky vendim rriti kostot për Ukrainën me rreth 130 milionë dollarë.

Rasti "Spetstechnoexport"

Raporti përmend gjithashtu një përpjekje për të blerë raketa të dizenjuara në stilin sovjetik nga një prodhues serb në vitin 2024. Për shkak të qëndrimit politik të Serbisë ndaj Rusisë, Kievi përdori një zinxhir ndërmjetësish për t'i siguruar ato. Qeveria nënshkroi një marrëveshje me tregtarin shtetëror ukrainas të armëve Spetstechnoexport.

Megjithatë, auditorët vunë re se kompania tashmë kishte një histori të dështimit të ekzekutimit të kontratave dhe se ish-drejtuesit ishin nën hetim për përvetësim të mundshëm dhe pastrim parash. Kompania gjithashtu nuk kishte një licencë serbe eksporti për raketat. Në vend të kësaj, thanë auditorët, ajo ofroi një "letër garancie" nga shërbimet e inteligjencës ushtarake ukrainase.

Auditorët zbuluan se ky trajtim preferencial nuk kishte bazë ligjore. Spetstechnoexport më pas nënkontraktoi kompaninë amerikane të armëve Regulus Global. Marrëveshjet totale midis dy kompanive ishin me vlerë rreth 1.7 miliardë dollarë. Megjithatë, marrëveshja e raketave dështoi.

Drejtori ekzekutiv i Regulus, William Somerdyk Jr., pretendoi se ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Rustem Umerov, kishte kërkuar të kufizonte rolin e ndërmjetësve në tregun e armëve dhe i kishte kërkuar kompanisë amerikane të punonte drejtpërdrejt me agjencinë shtetërore të prokurimit. Spetstechnoexport u përjashtua kështu nga procesi dhe, në fillim të vitit 2025, ishte bërë debitori më i madh ndaj Agjencisë Ukrainase të Prokurimit të Mbrojtjes, me më shumë kontrata të pazgjidhura se çdo furnizues tjetër.

Pasuan betejat ligjore, me qeverinë ukrainase që kërkoi gjoba dhe interesa nga Spetstechnoexport dhe kjo e fundit që ndërmori veprime financiare kundër Regulus. Kompania amerikane mohon çdo shkelje dhe pretendon se u gjend "në mes" të riorganizimit të sistemit ukrainas të prokurimit të mbrojtjes.

Dobësi serioze në sistemin e prokurimeve

Investigimi i “New York Times” arrin në përfundimin se, pavarësisht reformave që janë promovuar vitet e fundit dhe forcimit të mekanizmave të kontrollit, sistemi i prokurimit ukrainas ende tregon dobësi serioze.

Kompanitë me histori problematike, kontrata të paplotësuara ose përfshirje në hetime për korrupsion duket se kanë vazhduar të kenë qasje në kontrata qeveritare me vlerë të lartë, në një kohë kur vendi është në luftë dhe varet shumë nga furnizimi i shpejtë dhe efikas i armëve dhe municioneve.

Kostoja e këtyre dobësive, sipas auditorëve, nuk kufizohet vetëm në humbje financiare prej miliarda dollarësh, por ndikon drejtpërdrejt edhe në kapacitetin operacional të forcave ukrainase në terren. ©Përgatiti LAPSI.al

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

92.12

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI