Flash

AfD fitoi me thuajse 44% të votave në Sanksoni-Anhalt, nis gara e vështirë për formimin e qeverisë gjermane

Lapsi.al 7 September 2026

Rezultati paraprak i zgjedhjeve tashmë është i qartë. AfD-ja ka marrë me 43,8 për qind të votave shumicën e fortë në Saksoni-Anhalt. Megjithatë, kjo nuk mjafton për shumicën absolute të mandateve në parlamentin e landit. Nga 83 vendet në Landtag, 39 i takojnë AfD-së.

CDU-ja arriti 17,2 % të votave, SPD-ja 9,3 % dhe të Gjelbrit 8,9 % - partitë që mund ta imagjinojnë një koalicion së bashku, arrijnë vetëm në 31 mandate. E majta Die Linke me 8,6 për qind fiton tetë mandate në parlamentin e ri. BSW-ja 5,3 % siguron pesë mandate. Pyetja kryesore e ditëve dhe javëve në vijim është se si mund të formohet një qeveri e re.

Deri kur duhet të mblidhet për herë të parë parlamenti i ri i landit?

Parlamenti i ri i zgjedhur i Saksoni-Anhaltit duhet të mblidhet për herë të parë jo më vonë se në ditën e 30-të pas zgjedhjeve, pra deri më 6 tetor 2026. Kjo parashikohet në Kushtetutën e Landit të Saksoni-Anhaltit. Presidenti i parlamentit aktual, Gunnar Schellenberger (CDU), është ai që thërret parlamentin e ri.

Seanca e parë drejtohet nga deputeti me përvojën më të gjatë parlamentare, pra nga personi që ka qenë anëtar i Landtagut për kohën më të gjatë. Në këtë seancë të parë, ndër të tjera: votohet për rregulloren e punës së parlamentit, zgjidhet presidenti i ri i Landtagut dhe hidhen bazat për fillimin e punës së parlamentit të ri.

Kur zhvillohet zgjedhja e kryeministrit të landit?

Në Saksoni-Anhalt nuk ekziston asnjë afat ligjor që përcakton deri kur parlamenti i ri rajonal duhet të zgjedhë një kryeministër të ri. Kjo sepse ndodh që procesi i formimit të qeverisë mund të jetë i vështirë dhe të zgjasë.

Procesi që pritet është: pasi të kenë përfunduar negociatat për një koalicion ose për një formë bashkëpunimi mes disa partive, zgjedhja e kryeministrit futet në rendin e ditës së parlamentit. Megjithatë, është i mundur edhe një skenar tjetër: një grup deputetësh mund të kërkojë që zgjedhja e kryeministrit të përfshihet në rendin e ditës edhe para përfundimit të bisedimeve për formimin e qeverisë.

Javët e ardhshme në Saksoni-Anhalt do të karakterizohen kryesisht nga negociatat politike për gjetjen e një shumice që mund të sigurojë zgjedhjen e një kryeministri të ri dhe formimin e qeverisë së re - shënohet kështu fillimi zyrtar i legjislaturës së re.

Si zgjidhet kryeministri i ri?

Zgjedhja e kryeministrit (Ministerpräsident) bëhet përmes një votimi të fshehtë. Kjo do të thotë se surprizat janë të mundshme dhe sidomos në një situatë me raporte kaq të ngushta forcash, rezultati mund të ndikohet ndjeshëm. Në garë mund të kandidojnë disa kandidatë njëkohësisht.

Në total mund të zhvillohen tre raunde votimi: te raundi i parë zgjidhet kandidati që merr shumicën absolute të votave të të gjithë deputetëve. Kjo do të thotë se në parlamentin me 83 deputetë duhen të paktën 42 vota për një kandidat. Nëse askush nuk arrin shumicën absolute në raundin e parë, brenda shtatë ditësh duhet të mbahet një votim i dytë. Edhe në këtë rast kërkohet shumica absolute e të gjithë deputetëve, pra sërish të paktën 42 vota.

Nëse as raundi i dytë nuk sjell rezultat atëherë parlamenti ka një hap ndërmjetësues: Brenda 14 ditësh, Landtag-u duhet të vendosë nëse do të shpërndahet. Edhe për këtë vendim nevojitet shumica e të gjithë deputetëve. Nëse parlamenti vendos të shpërndahet, pasojnë zgjedhje të reja.

Nëse parlamenti nuk shpërndahet, zhvillohet menjëherë një raund i tretë votimi. Në këtë raund mjafton shumica e thjeshtë. Kjo do të thotë se zgjidhet kandidati që merr më shumë vota se kundërshtarët e tij. Abstenimet nuk llogariten. Në fund mund të zgjidhet një kryeministër edhe pa mbështetjen e shumicës së të gjithë deputetëve, mjafton të ketë shumicën e votave të hedhura./DW

Të këshilluara

ide

Është krizë përfaqësimi jo informimi

Deputetët socialistë takohen me qytetarin vetëm kur ia kërkon Rama, sepse atë përfaqësojnë dhe atij i binden. Ndaj takimi i tyre me qytetarët nuk bëhet për të qarë hallin qytetar, por për të zgjidhur hallin e Ramës me pakënaqësinë e qytetare

19:59 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

92.12

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI