
Një gjykatë egjiptiane dënoi me vdekje një prezantuese të njohur televizive dhe 11 të tjerë për prodhim dhe trafikim narkotikësh. Lajmi u raportua nga media zyrtare të shtunën. Prezantuesja, Sarah Khalifa, 39 vjeç, është e njohur për programin e saj “Mission Impossible”, i cili trajton çështje që kanë të bëjnë me sigurinë dhe krimin.
"The Guardian" citon gazetën shtetërore “Al-Ahram” tha se një gjykatë në Kajro dënoi “Khalifan dhe 11 të pandehur të tjerë me vdekje me varje me akuzat për formimin e një bande të organizuar kriminale të specializuar në sigurimin e materialeve të përdorura në prodhimin e narkotikëve, me qëllim trafikimin e tyre, si dhe për posedimin dhe mbajtjen e armëve të zjarrit dhe municioneve pa leje”.

Vendimi erdhi pasi gjykata u konsultua me Myftiun e Madh të Egjiptit për mendimin e tij fetar, një procedurë e kërkuar nga ligji egjiptian në rastet e dënimit me vdekje. Vendimi është subjekt i apelimit. Khalifa zotëron gjithashtu një klinikë kirurgjie kozmetike dhe një kompani prodhimi që specializohet në organizimin e festave dhe eventeve.
Sipas gazetës shtetërore “Akhbar el-Yom”, të pandehurit u akuzuan për “prodhim droge sintetike me qëllim trafikimin, duke importuar materialet e përdorura në prodhim nga jashtë vendit”.

“Al-Ahram” raportoi se autoritetet sekuestruan më shumë se 750 kg narkotikë dhe lëndë të para, dhe gjetën dy apartamente të përdorura si laboratorë, si dhe armë zjarri dhe municione pa leje. Gjykata dënoi gjithashtu Khalifan dhe të tjerët me 5 vjet burg për një rast të veçantë që përfshinte rrëmbimin dhe sulmin ndaj një të riu.
Egjipti zbaton dënimin me vdekje për vrasjet me paramendim, terrorizëm, disa vepra penale të përdhunimit dhe trafikim droge. Sipas Komisionit Egjiptian për të Drejtat dhe Liritë, në vitin 2025 në Egjipt u dhanë 541 dënime me vdekje. ©LAPSI.al