Flash

Është krizë përfaqësimi jo informimi

Deputetët socialistë takohen me qytetarin vetëm kur ia kërkon Rama, sepse atë përfaqësojnë dhe atij i binden. Ndaj takimi i tyre me qytetarët nuk bëhet për të qarë hallin qytetar, por për të zgjidhur hallin e Ramës me pakënaqësinë e qytetare

19:59 Blendi Kajsiu

Është krizë përfaqësimi jo informimi

Deputetët socialistë takohen me qytetarin vetëm kur ia kërkon Rama, sepse atë përfaqësojnë dhe atij i binden. Ndaj takimi i tyre me qytetarët nuk bëhet për të qarë hallin qytetar, por për të zgjidhur hallin e Ramës me pakënaqësinë e qytetare

Blendi Kajsiu 5 September 2026

Në përgjigje të protestës sociale kryeministri Rama ka prodhuar, personalisht (tek pullë), një numër dokumentesh që tingëllojnë si broshura turistike, Pasqyrë Albania, Radar, Prania Besnike dhe Besa. Ndoshta së shpejti do shfaqet edhe Mikpritja Besnike, ku kryeministri do shpjegojë se si administrata duhet ta mirëpresë qytetarin shqiptar sikur të ishte turist.

Emëruesi i përbashkët i këtyre dokumenteve është se protesta sociale buron nga kriza e informacionit. E thënë ndryshe, kriza është në thelb një problem PR, marrdhëniesh me publikun. 

Nga njëra anë, qytetarët nuk dinë atë që ka bërë qeveria për ta, si pasojë e kazanit mediatik dhe e algoritmit dixhital që manipulon mendjet e tyre të brishta dhe të paditura. Nga ana tjetër, as qeveritarët nuk kanë informacionin e duhur rreth qytetarëve sepse shpesh nuk i dëgjojnë me dashuri dhe empati por i trajtojnë me mospërfillje. 

Zgjidhja është e thjeshtë, duhet përmirësuar komunikimi qeveri-qytetar. Qytetari duhet të informohet çfarë po bën qeveria dhe qeveria të informohet se çfarë do qytetari. Ndaj Rama urdhëroi deputetët që të fillojnë takimet me qytetarët nëpër rrethe.

Problemi është se protesta qytetare nuk buron nga mungesa e informacionit por nga mungesa e përfaqësimit, sa majtas edhe djathtas. Në fakt mungesa e informacionit dhe e komunikimit është produkt i mungesës së përfaqësimit.

Deputetët e Ramës nuk takohen dhe nuk komunikojnë me qytetarin sepse nuk kanë asnjë lidhje me të. Në sistemin tonë proporcional me lista të mbyllura deputetët teorikisht zgjidhen nga Partia Socialiste dhe praktikisht nga Edi Rama që e ka privatizuar atë parti.

Ndaj deputetët socialistë nuk i njeh qytetari, madje as Partia Socialiste, por vetëm Edi Rama. Ata përfaqësojnë vullnetin e Edit dhe jo të qytetarit, ndaj nuk kanë asnjë arësye politike të takohen me ta.

Deputetët socialistë takohen me qytetarin vetëm kur ia kërkon Rama, sepse atë përfaqësojnë dhe atij i binden. Ndaj takimi i tyre me qytetarët nuk bëhet për të qarë hallin qytetar, por për të zgjidhur hallin e Ramës me pakënaqësinë e qytetare.

 Politikisht takimi është pa kuptim sepse sistemi ynë politik dhe elektoral është ndërtuar nga Rama dhe Berisha në mënyrë të tillë që deputeti të përfaqësojë kryetarin dhe jo qytetarin. 

Thelbi i sistemit tonë politik, qoftë në dimensionin elektoral, qoftë në dimensionin mediatik dhe ekonomik, është reduktimi i ofertës politike jashtë vullnetit të kryetarit. Të paktën që nga ndryshimet kushtetuese Rama-Berisha të vitit 2008.

Llogjika bazë e sistemit tonë politik është të garantojë stabilitetin e marrdhënies perverse politikë-media-biznes që pasuron dhe mban në pushtet të njëjtën klasë politike dhe ekonomike.  

Ky sistem mbahet vetëm duke reduktuar ose eleminuar kanalet e përfaqësimit politik që e orientojnë vendimmarrjen drejt preferencave të qytetarit dhe jo të pushtetarit dhe klientelës së tij.

Ky është sistemi që ka perfeksionuar zoti Rama, ndonëse themelet e tij janë hedhur kohë më parë nga berishizmi. Rama ka arritur tashmë jo vetëm të eleminojë përfaqësimin politik brenda PS-së, në ekzekutiv dhe në Parlament, por edhe tek presidenca dhe tek pushteti vendor. Si presidenti edhe bashkiakët janë transformuar në nënpunës të kryeministrit. 

Rama i ka marrë pushtetit vendor edhe ato pak kompetenca që kish dikur. Sot pushteti vendor në Shqipëri ka më pak kompetenca se në kohën e komunizmit. Kjo do të thotë se as kryetari dhe as këshilli bashkiak nuk e zgjidhin dhe nuk e përfaqësojnë dot hallin e qytetarit.

E thënë ndryshe, sot qytetari shqiptar përballë pushtetit njeh vetëm Ramën. Ai nuk di kush është presidenti, kush është ministri, kush është deputeti, kush është këshillëtari bashiak dhe madje ka filluar të harrojë edhe kush është kryetari i bashkisë.

Ama ky nuk është problem mungese informacioni por mungese përfaqësimi. Nuk ka asnjë vlerë që deputetët, këshillëtarët bashkiak, kryetarët e bashkive apo ministrat të prezantohen me qytetarët, sepse ata janë krejt irrelevant politikisht, nuk kanë asnjë pushtet real.

Ajo që mungon është një reformë kushtetuese, politike dhe administrative që zgjeron ofertën elektorale dhe përfaqësimin politik dhe institucional të qytetarëve në nivel qendror dhe vendor. 

Duhet ndryshuar kodi elektoral që penalizon partitë e reja dhe procesi zgjedhor që kontrollohet nga partitë e vjetra. Duhen hapur listat si në parlament edhe në këshill bashkiak në mënyrë që qytetari ta zgjedhë direkt përfaqësuesin e vet. 

Duhet decentralizuar pushteti sipas parimit “vendimet të merren sa më pranë qytetarit”. Duhet forcuar institucioni i presidencës si një pol alternativ pushteti. Kjo është ajo që kërkojnë qytetarët dhe që i nevojitet demokracisë shqiptare, jo një tjetër fushatë PR. 

Ama ndryshime të tilla nuk mund të konceptohen nga kryeministri aktual sepse hedhin në erë modelin e tij qeverisës që e ka fshirë nga faqja e dheut përfaqësimin politik jashtë egos së tij.

Rama e ka përqendruar të gjithë pushtetin dhe përfaqësimin politik tek vetvetja, duke ia hequr atë çdo institucioni tjetër në nivel qendror, lokal, shtetëror apo partiak. Ai është origjina, produkti dhe trupëzimi i krizës së përfaqësimit. Ndaj largimi i tij është hapi parë për zgjidhjen e saj.

Shkruar enkas per LAPSI.AL nga Blendi Kajsiu

  

 

 

 

Të këshilluara

Po sikur Lali të dalë nga burgu?

Një pakt është përvijuar mes kryeministrit dhe kryebashkiakut të burgosur për të kthyer këtë të fundit në zyrë. Po cila do të qe konseguenca për një reformë në drejtësi, që pushtetarët e lartë ia shkëlyen dyert e qelive?

16:02 Andi Bushati

Një moment vendimtar për Shqipërinë

Është hera e parë që shqiptarët ndihen se mund ta formësojnë debatin kombëtar pa pritur që partitë politike të marrin drejtimin. Përvoja na mëson se demokracia varet jo vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga qytetaria aktive mes tyre.

15:53 Ditmir Bushati

Ngatërresa e madhe me Ergys Agasin

Ato që tregojnë më pak për historinë e “Gysit” janë pamjet dhe deklaratat e nxjerra nga arkivat për lidhjen e tij me Ramën. Pasi nuk është i pari që njollos të  dytin

10:34 Andi Bushati

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Ndonëse kryeministri e la të hapur fatin e investimit të cilin e etiketoi si testin e parë të platformës Besa, ai nuk është i lirë ta bëjë këtë. Edi Rama e di shumë mirë, se nëse i thotë jo Kushnerit të cilin e yshti të hidhte në Zvërnec paratë e katarianëve, pasoja do të jetë shumë më e madhe se indiferanca përbuzëse që Trump demostroi ndaj atleteve të tij të bardha në samitin e NATO-s.

12:29 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

Pse Rama e lidhi Kushnerin me një trafikant

Edhe familjes Trump, në një vend ku është e pamundur të bësh para pa u bërë pis, nëse nuk do i qëllonte Artur Shehu, patjetër do i binte për pjesë dikush i ngjashëm me të

12:58 Andi Bushati

ide

Është krizë përfaqësimi jo informimi

Deputetët socialistë takohen me qytetarin vetëm kur ia kërkon Rama, sepse atë përfaqësojnë dhe atij i binden. Ndaj takimi i tyre me qytetarët nuk bëhet për të qarë hallin qytetar, por për të zgjidhur hallin e Ramës me pakënaqësinë e qytetare

19:59 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

25°c

KËMBIMI EURO

92.12

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI