Flash

Nga Tiki-Taka te Telco: Pas Botërorit, Europa duhet të fitojë sfidën dixhitale

Personalisht e kam dashur futbollin spanjoll që nga koha e Barçës së Guardiolës, dhe gjithashtu punoj në telekomunikacion. Pra po, ky shkrim është i njëanshëm nëse je tifoz me një skuadër tjetër.

Jonida Lakuriqi 23 July 2026

Teksa shihja Spanjën të ngrinte Kupën e Botës në tokën amerikane si kampionët e Europës, ndërsa pamjet përshkonin botën në pak milisekonda përmes rrjeteve 5G, të mbështetura nga mijëra kamera inteligjente dhe sisteme dixhitale në kohë reale, nuk mund të mos mendoja se po ndiqja dy gara njëkohësisht. Njërën e fitoi Europa. Tjetrën, të paktën për momentin, duket se po e udhëheqin Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa vëmendja e botës ishte te trofeu, stadiumi vetë ishte një demonstrim i jashtëzakonshëm i teknologjisë: arbitri me kamera trupi, topi zyrtar i pajisur me sensor që dërgonte të dhëna qindra herë në sekondë për VAR-in, inteligjenca artificiale që vizualizonte në kohë reale pozicionet jashtë loje, ndërsa rrjetet 5G dhe cloud computing bënin të mundur që miliarda njerëz rreth globit ta përjetonin të njëjtin moment pothuajse pa vonesë. Europa fitoi trofeun. Amerika tregoi sesi duket një ekosistem dixhital kur infrastruktura, AI dhe cloud-i funksionojnë si një ekip i vetëm.

Spanja fitoi në mënyrën më karakteristike spanjolle: me talente të rritura në shtëpi, e ndërtuar ndër vite në akademi futbolli, me disiplinë taktike dhe një ekip ku secili luan në pozicion, dhe për tjetrin. Gjenialiteti nuk ishte te lojtari që kalonte tre kundërshtarë, por te skuadra që gjithmonë ofronte pasimin e duhur të radhës. Një sistem, i ndërtuar me durim, disiplinë e vizion, dha më në fund frytet e tij.

Europa ka bërë gjithmonë mirë pikërisht këtë: të ndërtojë sisteme. Nga Airbus, që i dha Europës një kampion global në aviacion, te CERN, ku kërkimi shkencor u bë projekt i përbashkët europian; nga Erasmus, që për tre dekada ka krijuar një brez europianësh që studiojnë dhe mendojnë përtej kufijve, te euroja, ndoshta eksperimenti më ambicioz i integrimit ekonomik në histori; nga standardi GSM deri te rrjetete avancuara mobile 5G. Forca e Europës nuk ka qenë kurrë të fitojë me sprinte, por aftësia për të ndërtuar institucione dhe infrastrukturë që krijojnë vlerë për dekada. Vetëm në telekomunikacion, operatorët europianë si Vodafone, D-Telekom, Orange, Telefonica kanë investuar qindra miliarda euro në fibër, 5G dhe siguri kibernetike, punë që rrallëherë bëhet lajm, ashtu si në futboll, ku pjesa më e rëndësishme- përgatitja, ndodh kohe përpara fishkëllimës së parë të bilbilit.

Këtu fillon kontrasti me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa Europa ndërtoi infrastrukturën, Amerika ndërtoi platformat që i shtojnë vlerën mbi të: Google, Apple, Microsoft, Meta, Amazon, Netflix, OpenAI. Këto nuk janë thjesht kompani të suksesshme por pjesë e një ekosistemi ku kapitali, universitetet, kërkimi shkencor, individët e talentuar dhe telekomunikacioni ushqejnë njëri-tjetrin. Kjo nuk është kurrsesi kritikë: pa to, ekonomia moderne nuk do të ishte ajo që është. Por kontrasti mbetet i qartë: Europa ndërtoi fushën. Amerika “ushqeu” kampionët që fitojnë në të.                                                           

Nëse Europa synon të mbetet konkurruese në epokën e AI-së, nuk mjafton të ndërtojë vetëm infrastrukturën. Duhet të sigurohet që modeli ekonomik në fushën e saj ta bëjë të leverdisshëm vazhdimin e këtij investimi shumëvjecar. Ky është në thelb të një nga debateve më të rëndësishme europiane në lidhje me Aktin e Rrjeteve Dixhitale- draft kuadri modern rregullator që synon të delivroje Axhendën Digjitale Europiane per dekadat qe vijnë. A duhet platformat që gjenerojnë pjesën më të madhe të trafikut – streaming, cloud, AI – ti nënshtrohen të njëjtave rregulla loje si lojtarët e tjere telco që japin shërbime të ngjashme në fushën e komunikimit online. Ketu përfshihet edhe kontributi në koston e rrjeteve që e mbartin atë trafik. Sepse nuk ekziston inteligjencë artificiale pa siguruar lidhje të shpejtë, nuk ka cloud pa rrjete, dhe nuk ka ekonomi dixhitale pa infrastrukturë.

Zgjidhja nuk është kopjimi i modeleve amerikane apo aziatike të ndërtuara në rrethana të tjera. Nëse futbolli fitues është arti i ndërtimit të durueshëm të aksionit, kjo ka qenë gjithmonë edhe superfuqia e Europës: të ndërtojë sisteme që zgjasin më shumë se një ndeshje, një mandat apo një brez. Ajo që duhet të evoluojë janë rregullat e lojës, jo stili i saj.

Ky debat ka rëndësi edhe për Shqipërinë. Ndërsa synojmë integrimin europian dhe investojmë në 5G, fibër optike dhe transformim dixhital, sfida nuk është vetëm të ndërtojmë rrjete moderne, por të krijojmë një mjedis ku ky investim vazhdon të ketë kuptim ekonomik. Ekonomia dixhitale europiane ndërtohet njësoj në Berlin, Madrid apo Tiranë: një kilometër fibër dhe një antenë 5G në çdo hap.

Finalja e Kupës së Botës tregoi se loja e ndershme nuk zbatohet vetvetiu. Kur ndeshja u bë e ashpër, ishte arbitri ai që vendosi kufijtë. Në ekonominë dixhitale, ky rol u takon institucioneve europiane e vendase – jo për të zgjedhur fituesit me dekret, por për të krijuar dhe siguruar kushtet ku kapitali privat, infrastruktura dhe inovacioni shpërblehen nga rregulla të drejta.

Pamja e ceremonisë përmbyllëse të Botërorit u duk se përmblodhi paradoksin: milje larg shtëpisë, në një stadium NewYork-ez, ndërsa presidenti amerikan dorëzonte trofeun, Europa u rikthye në shtëpi si kampione. Avantazhi i fushës, mesa duket, nuk e përcakton gjithmonë fituesin.

Dhe TANI duket se ka ardhur ora e pasimit vendimtar. Europa nuk ka nevojë të ndryshojë ADN-në e saj, por të sigurojë që durimi, investimi dhe ndërtimi afatgjatë shpërblehen po aq sa shpejtësia dhe aftësia për të monetizuar. Vetëm atëherë, ata lojtarë që ndërtojnë “fushën” do të kenë një mundësi reale të konkurrojnë mbi të. 

Në futboll kjo do të thotë të ngresh Kupën e Botës. Në ekonominë dixhitale, të krijosh kampionët e së ardhmes.

* Drejtore e Çështjeve Ligjore, Politikave Publike dhe Marredhënieve me Jashtë, Vodafone Albania

 

Të këshilluara

Lajme si ky duam!

Në ritualin e kafes së mëngjesit, befas lexoj një lajm që më mrekulloi dhe më ‘’turbulloi adrenalinën&rsquo...

09:23 Rexhep Uka

Kur klienti të nxjerr karton të kuq

Kur një pronar biznesi vendos të hyjë në debat publik, të përçmojë ose të fyejë protestuesit, nuk mund të presë që të kthehet qetësisht pas banakut dhe të thotë: politika është politikë, biznesi është biznes.

22:23 Lutfi Dervishi

Disa fakte dhe disa sugjerime për konstituimin e institucioneve

Nëse për konstituuim Kuvendi duhet bashkëveprim me Listën Serbe, për votim qeverie duhet t’i jepen poste ministrore një serbi, një turku, një boshnjaku dhe një egjiptiani, si presim që të votohet Presidenti pa i dhënë asnjë asnjë post asnjë partie shqiptare?! Ose, si mund një subjekt politik me 53 mandate t’ia japë një ministri për vetëm një votë një partie serbe, t’ia japë një ministri për vetëm një votë një partie turke, t’ia japë një ministri për vetëm një votë një partie boshnjake, t’ia japë një zv.kryeministër për vetëm dy vota një partie turke, por të mos ketë gatishmëri t’ia japë asnjë post partive shqiptare, të cilat bashkë i kanë 47 deputetë?! 

17:07 Adriatik Kelmendi

ide

Blendi Kajsiu: Çfarë është “Shqipëria e re”?

Shteti, partia dhe pushteti janë personalizuar tek një lider i vetëm. Sot hendeku mes fasadës së propagandës rilindase dhe realitetit që jetojnë qytetarët është bërë po aq i madh sa hendeku mes propagandës komuniste dhe realitetit qytetar dje

21:40 Blendi Kajsiu

Letër e hapur njerëzve të Drejtësisë: Shtet i së drejtës apo bandë e madhe plaçkitësish

Kambanat e kësaj proteste nuk bien vetëm për Edi Ramën, ministrat, parlamentarët, qeverisësit dhe plaçkitësit e tij, ato bien edhe për gjykatesit dhe prokuroret. Pyetja që ngrihet sot nga njerëzit në proteste është: a jeni ju në shërbim të asaj drejtësie që në Kushtetutën tonë formulohet në trajten “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.” apo, si në kohën e Enver Hoxhës, jeni në shërbim të bandës së plaçkitësve që e shkel përditë kufirin e së drejtës?

16:24 Fatos Lubonja

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.67

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI