Flash

Reagon Luan Muça: Vasil Bedinaj më priti me armë, AZHT dha dy leje mbi të njëjtën pronë!

Lapsi.al 6 September 2026

Biznesmeni Luan Muça ka thyer heshtjen për përplasjen e armatosur me Vasil Bedinajn në Orikum, duke hedhur poshtë versionin se konflikti kishte të bënte me një gjobë prej 5 milionë eurosh dhe duke pretenduar se në themel të ngjarjes qëndron një konflikt pronësie në Palasë.

Në një reagim të gjatë për mediat, pronari i “Delta Group” thotë se konflikti lidhet me një sipërfaqe toke të blerë prej tij, pjesë e projektit për të cilin ka marrë statusin e investitorit strategjik. Sipas Muçës, ai zbuloi rastësisht se mbi tokën që pretendon se është pronë e tij ishte dhënë një tjetër leje dhe, pasi iu drejtua AZHT-së për sqarime, u telefonua nga Bedinaj, i cili i kërkoi të takoheshin në hotelin e tij në Orikum.

Muça pretendon se takimi, ku kishte shkuar “i shoqëruar nga familjarë”, degradoi pasi Bedinaj “thirri njerëz të armatosur”, ndërsa gjatë largimit nga hoteli “njerëzit që ai thirri qëlluan me armë ndaj nesh”. Për këtë arsye, ai kërkon nga Policia e Shtetit “zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e plotë të grupit të qitësve”.

Biznesmeni mohon kategorikisht edhe pretendimin e Bedinajt se i kishte kërkuar një gjobë prej 5 milionë eurosh, akuzë për të cilën thotë se është mbajtur 72 orë i ndaluar nga policia. Në reagimin e tij, Muça përdor tone të ashpra ndaj Bedinajt, duke e cilësuar pretendimin për gjobë si “një fantazi dashakeqe” dhe duke deklaruar se është i gatshëm të publikojë dokumentet që, sipas tij, provojnë versionin e tij për konfliktin e pronësisë.

Më poshtë reagimi i plotë i Luan Muçës:

Pershendetje,

Ne lidhje me ngjarjen e fundit ku kam qene i perfshire dua te jap kete deklarate per mediat.

Kam heshtur deri tani, sepse në pozitën ku kam qenë e kam pasur të pamundur të flas dhe mendoj se publiku ka të drejtën ta dëgjojë të vërtetën drejtpërdrejt nga unë.

Që prej vitit 2019, kam vendosur të ndërmarr një investim në zonën e Palasës. Gjatë kësaj kohe, kam blerë në Palasë, nga shumë pronarë vendas, 97.000 m² tokë. Jam detyruar që, gjatë kësaj periudhe, pjesën më të madhe të tokës ta blej edhe nga dy herë.

Më datë 15.07.2021, kam aplikuar dhe kam marrë statusin e investitorit strategjik, mbështetur mbi një projekt të hartuar nga studioja ndërkombëtare EEA (Emre Arolat Architecture).

Në vitin 2022, mbi një pjesë të kësaj sipërfaqeje (26.000 m²), kam aplikuar për lejen e fazës së parë të ndërtimit të një hoteli me brand ndërkombëtar, me 5 yje.

Në vitin 2024, kam zbardhur lejen dhe kam filluar punimet për ndërtimin e këtij hoteli me brand ndërkombëtar.

Po në vitin 2024, kam bërë aplikim për fazën e dytë të këtij projekti.

Në mënyrë rastësore, nga rrjetet sociale, kam parë se ishte dhënë një leje në tokën që unë kam blerë dhe mbi të cilën ishte dhënë statusi i investitorit, sipas masterplanit të EEA Studio. Madje, po reklamohej për shitjen e njësive, apartamenteve apo vilave të ndryshme.

Pas kësaj, i jam drejtuar AZHT-së për të marrë më shumë informacion rreth kësaj çështjeje. Pas komunikimit që pata, më njoftuan se do të verifikoheshin të gjitha dokumentet e palëve dhe se, deri në momentin e përfundimit të verifikimit të dokumenteve, nuk do të kishte zbardhje të lejes së ndërtimit.

Pas rreth një ore, jam telefonuar nga shtetasi Vasil Bedinaj, i cili më kërkoi të mos i ekspozoja në AZHT pretendimet e mia mbi pronën time. Gjatë kësaj telefonate, u vendos që të takoheshim në Orikum, te hoteli i z. Bedinaj, për të diskutuar rreth kësaj situate. (Z. Bedinaj e kam njohur rreth një vit më parë, pasi ishte paraqitur në kantierin ku unë po ndërtoj në Palasë, duke kërkuar takim me mua në lidhje me disa pretendime që kishte për kufirin e pronës. Kur shkova atje, z. Bedinaj nuk ishte vetëm, por ishte i shoqëruar nga një numër i madh njerëzish të armatosur.)

Kështu, i shoqëruar nga familjarë të mi, kam shkuar, me ftesën e tij, në ambientet e biznesit të tij.

Pasi jemi takuar në Orikum dhe jemi ulur në tavolinë, sapo kam nisur t’i shpjegoj pretendimet e mia, z. Bedinaj e ka tensionuar situatën me pretendimet e veta, duke sharë dhe ofenduar.

Edhe pse nga kamerat që z. Bedinaj i ka servirur opinionit publik kjo nuk duket qartë, në këtë moment ai thirri njerëz të armatosur, të cilët ishin të pozicionuar në vende të ndryshme të ambienteve të tij.

Në këtë moment, situata ka degraduar dhe unë kam kuptuar se z. Bedinaj nuk më kishte thirrur për t’u sqaruar, por për të prodhuar skandalin e tij të radhës. Për këtë arsye, jam ngritur dhe kam ikur.

Duke dalë nga ambientet e z. Bedinaj, njerëzit që ai thirri qëlluan me armë ndaj nesh. Për sa më sipër, kërkoj nga Policia e Shtetit zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e plotë të grupit të qitësve.

Jam çuditur shumë që, gjatë kësaj situate, z. Bedinaj kishte qetësinë dhe përkujdesjen që, në të gjitha mediat mbi të cilat kishte ndikim, të shpërndante lajme të rreme, sipas të cilave unë i kisha vendosur gjobë, si dhe të shpërndante pamjet filmike nga këndet që ai dëshironte.

Kam mësuar këto ditë se nuk është hera e parë që z. Bedinaj manipulon opinionin publik për përplasjet e tij. Këtë gjë ka tentuar ta bëjë edhe në rastin tim.

Çuditërisht dhe paradoksalisht, të vetmit që e kanë besuar këtë gjë kanë qenë punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët më kanë mbajtur të ndaluar për 72 ore me akuzën e gjobëvënies ndaj z. Bedinaj.

Unë nuk mund të flas për veten time, pasi nuk e kam bërë kurrë më parë, sepse kam besuar se për njerëzit flasin punët dhe veprat e tyre.

Besoj se opinioni publik është i njohur me punët, brandet dhe kompanitë që kemi krijuar brenda dhe jashtë vendit.

Modestisht, mund të them se jam krijues dhe zhvillues i një konglomerati kompanish që operojnë në 4 kontinente, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Indinë, si dhe vende si Italia,Senegali, Tunizia, Egjipti dhe, sigurisht, Ballkani, me një qarkullim vjetor multimilionësh.

Në këtë kontekst, fantazia e gjobës ndaj një personi me pantallona të shkurtra, i cili rrihet çdo vit me ndonjë turist, polic apo plazhist, është një fantazi dashakeqe e një grupi personash që mendojnë se, duke vjedhur pronat e të tjerëve, mund të bësh edhe para, të dalësh edhe burrë i mirë dhe të quhesh biznesmen.

Në fund, jam i gatshëm t’i vendos në dispozicion opinionit publik dhe mediave çdo dokument për të cilin kam shkruar në këtë reagim.

Të këshilluara

ide

Është krizë përfaqësimi jo informimi

Deputetët socialistë takohen me qytetarin vetëm kur ia kërkon Rama, sepse atë përfaqësojnë dhe atij i binden. Ndaj takimi i tyre me qytetarët nuk bëhet për të qarë hallin qytetar, por për të zgjidhur hallin e Ramës me pakënaqësinë e qytetare

19:59 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

31°c

KËMBIMI EURO

92.12

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Berisha mbërrin në SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur vizitën e tij në S...

09:38

Me sytë katër

PAPARAZZI