
Kanye West dhe tre raste para tij...
1) Rasti i Air Albania
Air Albania u lançua në 2018 si "krenaria shqiptare e qiejve" — një partneritet mes Turkish Airlines (49%), investitorit privat MDN Investment (41%) dhe ALBcontrol (10%). Rama e promovoi si hapje strategjike drejt tregut ndërkombëtar të aviacionit, me premtime për fluturime transkontinentale dhe rritje të turizmit. Në kulmin e saj, kompania arriti 18% të tregut në 2021 dhe u rendit operatori i dytë pas Wizz Air. Kontributi i saj ekonomik mbeti i kufizuar: tregut i solli pak konkurrencë dhe ndihmoi disi në diversifikimin e lidhjes Tiranë-Stamboll, por nuk realizoi asnjëherë fluturimin e premtuar ndërkontinental.
Problemi qendror ka qenë mungesa totale e transparencës. Air Albania nuk depozitoi asnjëherë bilanc në QKB dhe nuk u auditua asnjëherë. Shifrat dolën nga dokumentet zyrtare të Turkish Airlines: humbje operative prej rreth 52 milionë dollarësh nga 2019–2024, plus 53 milionë dollarë detyrime të papaguara ndaj partnerit turk — një "gropë" totale prej mbi 105 milionë dollarësh. Ndërkohë, pjesa e tregut u tkurr nga 18% (2021) në 3.4% (2024) dhe 2.33% (2025), pasi Wizz Air dhe Ryanair sunduan tregun me tarifa të ulëta. Në nëntor 2025, Turkish Airlines njoftoi shitjen e 49%-it të saj; në dhjetor 2025, Autoriteti i Aviacionit Civil pezulloi licencën.
Ironia e madhe është se gjatë gjithë kësaj kohe tregu i fluturimeve shqiptare shënoi rekorde: 11.6 milionë pasagjerë në 2025, rritje 8.7% krahasuar me 2024. Por kjo rritje u drejtua tërësisht nga kompanitë e huaja me kosto të ulët. Qeveria po tenton sot ta shpëtojë kompaninë, por borxhet janë të paqarta, askush nuk di kush do t'i marrë përsipër, dhe çdo ringritje do të kërkonte subvencione masive shtetërore — pikërisht kundër logjikës së tregut të hapur që premtoi nisja e saj.
2) Rasti i Satelitëve: 6 Milionë Dollarë
Në shtator 2022, qeveria nënshkroi kontratë 6 milionë dollarë me kompaninë amerikane Satellogic USA për dy satelitë ("Albania 1" dhe "Albania 2"), me pretendimin se do të monitoronin territorin dhe do të luftonin ndërtimet pa leje. Çdo satelit kalon mbi territorin shqiptar çdo 6 orë, duke ofruar rifreskimin e hartës 4 herë në vit. Kontrata u zgjat me 11 muaj shtesë në janar 2026.
Çfarë ndodhi me ndërtimet paligjshme? Rezultate konkrete nga monitorimi satelitor nuk janë publikuar. Paradoksi mbetet i qartë: legalizimet vazhdojnë të shërbejnë si instrument elektoral — duke dhënë "amnesti" ndaj ndërtimeve paligjshme pikërisht para fushatave, ndërkohë që satelitët financohen gjoja për t'i luftuar ato.
3) Rasti i "Dhuratës" për Mira Muratin: 10 Milionë Dollarë
Në prill 2025, kryeministri Rama njoftoi se qeveria shqiptare do të bëhej bashkëfinanciuese e startup-it "Thinking Machines Lab", të themeluar nga ish-CTO e OpenAI, Mira Murati — me një vlerë prej 10 milionë dollarësh (rreth 1 miliard lekë). Fondet u morën nga të ardhurat e pasurive të sekuestruara dhe u kanalizuan nëpërmjet Korporatës së Investimeve Shqiptare.
A ndryshoi tregu i IT pas këtij investimi? Sipas një studimi të AADF (dhjetor 2025), tregu vendas i IT karakterizohet nga mungesë talentesh, veçanërisht në zhvillim softueri, siguri kibernetike dhe AI. Investimet qeveritare drejtohen kryesisht drejt prokurimit publik dhe platformës e-Albania, jo drejt ndërtimit të kapaciteteve lokale private. Çfarë mori Shqipëria konkretisht? Asnjë deklaratë zyrtare për transferim teknologjik, vende pune apo pilot-projekte publike nuk ka dalë deri më sot. Ekspertët kanë theksuar se investimi duhej kushtëzuar me angazhime të qarta ndaj sektorit të arsimit dhe tregut lokal të teknologjisë.
4) Rasti i Kanye West (Ye): 4 Milionë Euro
Nga fundi i 2024 deri në 2025, Ye shpërthen me një seri deklaratash hapur antisemite në rrjetet sociale. Agjencia e talenteve e braktis dhe ndaj tij ngrihen disa padi — ndër të tjera nga një punonjëse e dikurshme hebreje që pretendon diskriminim fetar, ngacmim seksual dhe largim nga puna si hakmarrje. Në mars 2026, gjykata e detyron të paguajë 59.25 milionë dollarë dëmshpërblim. Në janar 2026, Ye boton një letër falje me faqe të plotë në Wall Street Journal, ku i atribuon veprimet e tij dëmtimit të trurit dhe problemeve mendore. Albumin e ri "Bully" e lançon në prill 2026 — me debutim në vendin e dytë të Billboard 200. Ndërkohë Britania e Madhe i ka ndaluar hyrjen, ndërsa në Holandë gjykata refuzoi ndalimin e koncerteve pas padisë nga organizatat hebraike. Paradoksi mbetet i hapur: artistikisht dhe komercialit ende i fuqishëm — moralisht dhe ligjërisht i rrethuar nga të gjitha anët.
Sipas mendimit tim, Akti Normativ i javës se shkoi përmes të cilit KM Rama vendosi 4 milionë Euro për të bashkë-financuar stadiumin e përkohshëm ku do të mbahet koncerti i West është nul sepse është ndërmarrë në shkelje te ligjit. Fondi i rezervë i buxhetit të shtetit përdoret vetëm në rrethana të veçanta të përcaktuara nga ligji dhe aktet nënligjore. Rrethanat kryesore kur mund të aktivizohet fondi janë si vijon:
a) Për nevoja të papritura, urgjente dhe të jashtëzakonshme që nuk mund të parashikohen në planifikimin vjetor të buxhetit.
b) Për të përballuar katastrofa natyrore (tërmete, përmbytje, zjarre të mëdha) dhe emergjenca të tjera të shëndetit publik.
c) Për sigurimin e funksionimit të shërbimeve publike të esenciale kur mungojnë burime të tjera të menjëhershme.
d) Për pagesa të domosdoshme që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen e vendit, kur nuk mjafton buxheti i planifikuar.
e) Për t’u përgjigjur ngjarjeve të paparashikuara që rrezikojnë stabilitetin financiar ose ekonomik, sipas vendimit të autoriteteve kompetente.
Shpenzimet duhet të shërbejnë për qëllimin urgjent dhe të dokumentohen; zakonisht kërkohet raportim dhe miratim parlamentar ose auditim më pas. Dmth fondi nuk mund të përdoret për shpenzime rutinë ose për politika afatgjata zhvillimi. Gjithashtu në legjislacionin tonë ka kufizime në lidhje shumën dhe qëllimin e përdorimit; disbursimet zakonisht mbikëqyren nga institucione përkatëse. Në kushtet kur mungon argumentimi për nevojën dhe për emergjencën e këtji shpenzimi buxhetor (njoftimi për koncertin është më 30 Prill) një Kuvend legjitim nuk do ta miratonte kurrë këtë Akt normativ.
Ne përfundim, personalisht mendoj se kështu nuk duhen shpenzuar taksat e shqiptareve. Ja pse mijëra qytetarë dhe bashkatdhetarë që jetojnë jashtë protestojnë në sheshet e Tiranës prej gjashtë javësh. Keq-qeverisja, siç tregojnë rastet e mësipërme dhe qindra të tjerë si këta, janë një faturë që i rëndon të gjithë dhe kështu shuan shpresat për ta bërë Shqipërinë më të jetueshme.
/Marrë nga faqja në Facebook e autorit. Titulli është i lapsi.al