Flash

“Deutsche Welle”: Çfarë fshihet pas protestave në Shqipëri?

Për javë të tëra, imazhet e turmave të shqiptarëve që protestojnë në rrugë janë përhapur në të gjithë botën. Protestuesit thonë se po luftojnë për demokraci. Kryeministri Edi Rama këmbëngul se lëvizja është pjesë e një lufte hibride.

20:55

Keqkuptimi me protestën dhe a i duhet të ketë një alternativë të gatshme

Sead Zimeri 25 June 2026

Prej gati një muaji qytetarët protestojnë në Shqipëri, dhe kundër tyre ngrihet vazhdimisht i njëjti kundërshtim: protesta nuk ka kuptim sepse protestuesit nuk kanë një alternativë ndaj Ramës dhe nuk dinë të thonë se çfarë do të vinte pas tij.

Pyetja që shtrohet këtu nuk është nëse protesta është thjesht zhurmë pa përmbajtje apo e organizuar mirë, por nëse vetë kjo kërkesë, kërkesa që ndryshimi të paraqitet bashkë me alternativën e vet të gatshme, është një kusht i ligjshëm i jetës demokratike. Në pamje të parë ajo duket jo vetëm e ligjshme, por edhe e matur, sepse shpreh kujdes dhe përgjegjësi: të mos rrëzosh diçka pa ditur se çfarë e zë vendin, të mos hapësh një boshllëk që mund ta mbushë diçka edhe më e keqe. Pikërisht ky arsyetim i jep kërkesës gjithë forcën e saj të dukshme.

Ata që e ngrenë këtë kërkesë e pranojnë se ndryshimi mund të ndodhë; ajo që mohojnë është se nga negacioni i thjeshtë, nga largimi i Ramës, mund të lindë një ndryshim i mirë atëherë kur përmbajtja e tij nuk është përcaktuar paraprakisht. Por këtu fshihet një keqkuptim i vetë mënyrës se si ndodh ndryshimi. Çdo ndryshim fillon me një kërkesë mohuese, me largimin e së vjetrës, ose, në gjuhën e Hegelit, me negacionin.

Përmbajtja e re nuk i paraprin këtij akti, por lind pikërisht përmes tij, dhe prandaj nuk mund të kërkohet si kusht i tij paraprak. Të kërkosh që e mira të jetë e njohur dhe e garantuar përpara se dora të ngrihet kundër së vjetrës është të kërkosh që fundi i rrugës të dihet para se rruga të nisë.

Pikërisht ngaqë fillon me mohimin, ndryshimi i vërtetë mbetet i hapur ndaj një të ardhmeje që askush nuk e njeh që më parë, dhe këtë nuk duhet ta fshehim, sepse është çmimi i tij i vërtetë. Çdo revolucion i suksesshëm është njëkohësisht një rrezik i madh, një bast fundi i të cilit nuk dihet. Nuk mund të premtohet se gjendja do të përmirësohet, dhe po aq nuk mund të pohohet se do të keqësohet. E vetmja gjë e sigurt është se status quo-ja do të marrë fund. Dikush mund të kundërshtojë se hapja që e sjell mohimi mund të mbushet edhe me diçka më të keqe, dhe ky shqetësim meriton të merret seriozisht.

Por garancia kundër tij nuk mund të jepet kurrë paraprakisht, sepse asnjë veprim i lirë nuk vjen i siguruar që më parë; e vetmja mbrojtje reale është mundësia që populli ta korrigjojë vetë rrugën që ka hapur, mundësi që një plan i imponuar nga lart do ta zhdukte. Kush e kërkon sigurinë e plotë para se të lëvizë asgjë, në të vërtetë kërkon të pamundurën.

Po ta shohim më nga afër, kërkesa kthehet kundër vetvetes. Njerëzit nuk dalin në rrugë kur gjërat shkojnë mirë; ata dalin sepse bartin ankesa e pakënaqësi të thella dhe sepse e ndiejnë gjendjen e tanishme si të padurueshme dhe të paqëndrueshme. Të kërkosh prej tyre një alternativë të gatshme përpara se t’i dëgjosh është t’u kërkosh të heshtin derisa ta kenë zgjidhur vetë problemin që i nxori në shesh.

Dhe meqë një zgjidhje e tillë e përfunduar nuk ekziston ende, e ndoshta nuk mund të ekzistojë para se procesi të fillojë, kërkesa synon diçka tjetër nga ç’thotë: që asgjë të mos lëvizë, që status quo-ja të mbetet ashtu siç është. Ajo që paraqitet si kujdes del në fund të jetë një logjikë thellësisht konservatore.

Asgjë nuk e tregon më mirë natyrën e këtij arsyetimi sesa fakti që në të mbështetet vetë Edi Rama, sepse për atë që e mban pushtetin kjo është praktikisht e vetmja mbrojtje e mundshme. Nën petkun e ironisë, ai tallet me ish-ministren e tij të Jashtme, Elisa Spiropali, e cila flet për një Shqipëri të re: “Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re, […] por kam frikë se drafti nuk do të vijë kurrë.” Mesazhi nën tallje është i qartë: meqë nuk ke ende një draft në dorë, kërkesa jote nuk vlen. Dhe pse do të thoshte gjë tjetër? Kush e gëzon status quo-në nuk ka si ta kundërshtojë kërkesën për largimin e tij veçse duke kërkuar atë që ende nuk mund të jepet, një alternativë të gatshme; çdo zë që e kundërshton zhvlerësohet kështu pa u dëgjuar.

Në rrënjë të gjithë kësaj qëndron një ngatërrim konceptual: kërkesa e trajton popullin sikur të ishte një parti politike. Detyra e një partie është pikërisht të artikulojë një pikëpamje të caktuar, ta kthejë në program dhe t’ua paraqesë qytetarëve për miratim, dhe prej një partie, pra, ka kuptim të kërkohet një draft. Por populli nuk është parti. Ai nuk del në shesh për të paraqitur një platformë konkurruese, por për të shprehur një vullnet dhe një refuzim. Kur ky vullnet matet me masën që i takon programit të një partie, kërkesa për alternativë duket sikur ka kuptim, ndërsa mbështetet mbi ngatërrimin e dy gjërave krejt të ndryshme.

Madje edhe atje ku protesta ka nxjerrë kërkesa të qarta, dorëheqjen e qeverisë, një qeveri kalimtare teknike e jopartiake, ndryshime kushtetuese me referendum dhe kufizimin e mandateve, këto nuk kanë zbritur të gatshme nga koka e dikujt, por janë formuluar dalëngadalë nga propozimet e qytetarëve gjatë javësh në shesh. Pra alternativa nuk i parapriu protestës si kusht i saj, por doli prej saj si rezultat i deliberimit. Kjo është pikërisht ajo që kritikët nuk e shohin: programi që ata e kërkojnë si kusht paraprak po lind para syve të tyre, vetëm se nga poshtë lart, përmes procesit, dhe jo nga lart poshtë, përmes një drafti të imponuar.

Protestuesit, sigurisht, mund të kenë ide të forta dhe të qarta, por idetë nuk janë programe; ato janë mënyra për t’u orientuar në botë, jo plane gati për zbatim. Çdo revolucion që e ka ngatërruar veten me një parti dhe ka dashur të niset nga një program i mbyllur e ka pasur fundin e keq. Demokracia kërkon diçka krejt tjetër nga një plan i gatshëm: ajo kërkon që qytetarët të vendosin vetë, përmes deliberimit publik, se si duan të qeverisen, me cilat ligje dhe me cilat institucione. Ajo nuk kërkon as që të shembet domosdoshmërisht çdo gjë e rendit të vjetër, as që dikush të zbresë me një alternativë krejt të re e të përfunduar, dhe mbi të gjitha nuk kërkon që njerëzit t’i nënshtrohen një plani të hartuar nga dikush tjetër, qoftë ai edhe vetë aktori revolucionar.

Pikërisht këtë ose nuk e kuptojnë kritikët, ose e keqpërdorin me keqdashje. Një lëvizje demokratike e di mirë se çfarë nuk e do, dhe mënyrën e të qeverisurit për të mirën e vet do ta mësojë hap pas hapi, me provë e me gabim. Prandaj situata mbetet ontologjikisht e hapur. Dhe vetëm kështu arrihet ndryshimi i vërtetë. /Marrë nga profili në Facebook i autorit

Të këshilluara

REPLIKË/Ku duhet kërkuar gjeneza e “Shqipërisë së re”

Problemi me artikullun e Andi Bushatit është se ai rrezikon ti japë lëvizjes Bashkë peshën e rëndë që akoma nuk e ka për të reflektuar Shqipërinë e nesërme. Jo se lëvizja Bashkë nuk e përfaqëson Shqipërinë e nesërme, por se nuk e bën dot këtë e vetme

08:22 Kristi Pinderi

"Turizmi" i trishtë

Para rreth një muaji më kërkuan që t’i bëja guidë nëpër Tiranë një grupi prej njëzet studentës...

15:06 Redi Saliasi

Shqipëria, kur fluturojnë flamingot

Që nga rënia e komunizmit, shqiptarët kanë dalë në rrugë për shumë arsye. Asnjëherë më parë për një flamingo. 

22:37 Fred Abrahams

ide

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

94.22

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI