Para rreth një muaji më kërkuan që t’i bëja guidë nëpër Tiranë një grupi prej njëzet studentësh norvegjezë të shoqëruar nga pedagogët e tyre. Pranova jo vetëm sepse guida do të paguhej, por në radhë të parë sepse të tilla guida i kam bërë dhe i bëj me kënaqësi edhe pa pagesë për të promovuar vendin, mikpritjen dhe bukuritë tona përrallore te të huajt. Përpara se të vinte dita e vizitës së tyre, me ndjenjë përgjegjësie, lexova, u informova dhe u kulturova edhe pak më shumë për Tiranën.
Duke qenë se bëhej fjalë për njëzet vjeçarë, shtjellova në mendje informacionet që mund t’iu dukeshin më interesante në mënyrë që kjo vizitë të mos ishte e mërzitshme për ta. Mëngjesin kur do të bëhej guida shkova te hoteli tek i cili po qëndronin dhe nisa të bisedoj me pedagogun që i shoqëronte. Më shpjegoi që studentët në fjalë, në bazë të sistemit arsimor norvegjez, po kryenin një program dy-vjeçar i cili më pas do t’i ndihmonte të zgjidhnin degën për të cilën do të studionin në universitet.
Në bisedë e sipër, më tha gjithashtu se disa shtetas të pasur norvegjezë tashmë ishin larguar nga Norvegjia për të jetuar në Zvicër, me qëllimin për të shmangur taksat. Kjo është e padrejtë për shoqërinë tonë, - më tha, sepse ata u pasuruan falë parave të të gjithë norvegjezëve, e tani po largohen nga vendi për të mos kontribuuar në mirëqenien e tij. Sërish me qëllimin për të mos e bërë guidën të mërzitshme, e pyeta se si duhet t’a organizoja atë, se ku duhet të përqendrohesha më tepër, e nëse kishin më tepër interes për historinë e largët apo për atë aktuale. Për habinë time, më tha që interesi i tyre si staf pedagogjik ishte që unë t’u flisja studentëve për realitetin dhe cilësinë e jetesës në Shqipëri sot; por akoma edhe më të interesuar ishin për kullat shumëkatëshe të Tiranës, për ndërtuesit e tyre, për korrupsionin në Shqipëri dhe për pastrimin e parave.
Aty kuptova që synimi i vizitës së tyre nuk ishte që të shihnin Shqipërinë si vend i historisë, i bukurive natyrore, i ushqimit të shijshëm dhe i mikpritjes shembullore. Besoj për shkak të qasjes norvegjeze, synimi i pedagogëve ishte që, përpara se të kishin studentë të diplomuar e të formuar, ata të kishin farkëtuar qytetarë të ndërgjegjshëm. U ndjeva shumë keq për këtë kërkesë, jo sepse nuk përfaqëson realitetin, por sepse kjo është fytyra më e shëmtuar e vendit tonë. U ndjeva keq sepse kuptova që vendi ynë ishte “kavia” e tyre laboratorike. Vendi ynë, me sa duket, ishte për ta shembulli më i mirë – apo më i keq! – për të treguar se si përfundon një shoqëri dritëshkurtër në të cilën individi mendon si të pasurohet e të majoset sa më shumë e me çdo kusht në kurriz të bashkëqytetarëve të vetë, se si përfundon një vend ku politika është oligarki dhe oligarkia është politikë, ku politika është krim dhe krimi është politikë. Teksa drekonim, studentët më pyetën nëse dëshiroj të vazhdoj të jetoj në Shqipëri.
U thashë se Shqipëria është një vend i bekuar me diell; me dete, lumenj, e liqene; me kodra, male, e alpe; por është njëkohësisht e mbytur nga korrupsioni, nepotizmi, e pabarazia. U thashë se, nëse do të më jepej mundësia, do të emigroja në një vend ku ka paqe sociale; ku pasurimi s’është objektiv në vetvete i pakicës në kurriz të shumicës; ku politika është në shërbim të qytetarëve; ku ka siguri për jetën, e jo frikë se mund të ndodhesh në vendin e gabuar në momentin e gabuar; ku s’ka zhvillim e ndërtim kaotik kullash gjithnjë e më të larta; ku ndërtohen parqe, lulishte, e hapësira rekreative, etj. etj. etj. Ky në fakt është realiteti i Shqipërisë së sotme. Ky është realiteti i hidhur në të cilin mbijetojmë përditë.
Desha ta harroj për një moment këtë realitetet, ndaj pata imagjinuar një ditë ndryshe në të cilën Tiranën do e shihja, qoftë edhe për pak orë, me sytë e të huajve që vijnë si turistë, sepse realitetin vrastar unë e shoh dhe e vuaj përditë. Me sa duket nuk qe e thënë, sepse në mesin e shifrave të bumit turistik ekzistoka edhe një lloj “turizmi” i trishtë nga të huaj që vijnë për të parë me sytë e tyre shkatërrimin e një vendi nga babëzia e makutëria. Një lloj “turizmi” ndërgjegjësimi mesazhi i të cilit është “shihni Shqipërinë që të mos përfundojmë si Shqipëria”.