Në përpjekje për të gjetur gjenezën e “Shqipërisë së re” Andi Bushati i vishte dje Lëvizjes Bashkë një petk që kam frikë se asaj i rri pak i gjerë.
Duke rikujtuar protestat e kaluara të lëvizjes Bashkë përballë një sistemi hermetik që revoltës së tyre u ka vënë shkopinj nën rrota në mënyrë metodike e sistematike, që nga censura në media, damkosja e tyre si antikapitalistë (lexo si armiq) e deri te dhuna e strukturuar e policisë a truprojave private, Bushati argumenton se kjo lëvizje ka qëndruar e palëkundur në parimet e saj.
Më domethënëse, sipas tij, ka qënë vendosmëria e tyre sidomos kur rrethanat dukeshin të pashpresa dhe pa asnjë dritëdalje. Vështrimi i sotëm i realitetit, dëshmon se koha dhe ngjarjet po u japin të drejtë atyre që refuzuan kompromisin me sistemin kur askush nuk besonte te ndryshimi.
“Në këtë kuptim,” shkruan Bushati, “ne po përjetojmë sot revoltën në emër të Shqipërisë së re edhe sepse Arlind Qori dhe Lëvizja Bashkë e përkundën ëndrrën e saj, kur ende askush nuk besonte në të”.
Duke qenë se protesta e këtyre ditëve “na ka stërvitur të dimë të pikasin ata [si Lëvizja Bashkë] që mbajnë flakën ndezur edhe atëhere kur shumica janë të fjetur”, vazhdon më tej Bushati, “i ka shndërruar ata [pra Lëvizjen Bashkë] në pasqyrën me të mirë për të parë skicimin fillestar të asaj për të cilën sot flasin të gjithë: Shqipërisë së nesërme”.
Problemi me këtë argument të paplotë është se rrezikon ti japë lëvizjes Bashkë peshën e rëndë që akoma nuk e ka për të reflektuar Shqipërinë e nesërme. Jo se lëvizja Bashkë nuk e përfaqëson Shqipërinë e nesërme, por se nuk e bën dot këtë e vetme. Përpjekja për ta identifikuar ama, ndoshta edhe hartëzuar në shoqëri shkëndijën e zbehtë (ose shkëndijat) që duhet për ti dhënë energji shoqërisë në një momentin kur kushtet piqen e kërkojnë një flakë, është megjithatë ambicioze. Ndaj debati për të është i rëndësishëm.
A ka qenë lëvizja Bashkë i vetmi flakadan nga ku shqiptarët kanë ndezur shpresën e ndryshimit? Dhe a ruan ajo shëmbëlltyrën e plotë sipas së cilës do të farkëtohet Shqipëria e re?
Si votues i lëvizjes Bashkë, mënyra si kjo forcë është rritur dhe aftësia e saj për tu shndërruar nga një grup hermetik ideologjik në një parti moderne social demokrate më bën edhe më shumë entuziast për votën time. Por kam frikë se qoftë entuziazmi im, qoftë romantizimi politik që i bën Bushati, nuk mjaftojnë, as për ta zvogëluar Shqipërinë, e as për ta zmadhuar lëvizjen Bashkë që t’i rrijë Shqipëria më mirë.
Sigurisht, po të hedhësh kokën pas për të kërkuar shkëndijën, gjasat janë që më kollaj do të gjesh ndonjë protestë të censuruar të lëvizjes Bashkë se rezistencën e heshtur të mijëra e mijëra shqiptarëve të paorganizuar.
Siç kam shkruar diku tjetër, John Holloëay, sociolog e filozof i së majtës e lidh çmontimin e status-quosë – atë që Shqipëria po përpiqet të bëjë sot – me ushtimën si një moment me ngarkesë të madhe emocionale që mbledh bashkë në hapësirën publike këdo që ndjen për detyrë të denoncojë një padrejtësi dhe me shpresën. Vetëm ushtima nuk mjafton, e shpresa pa aftësinë për ta artikuluar padrejtësinë nuk pjell gjë.
Lëvizja Bashkë i ka të dyja, por përtej saj njerëzit i rezistojnë padrejtësisë çdo ditë në kontekstet lokale të tyre. Pyetja është a kanë patur ata mundësinë ta kultivojnë shpresën në një kontekst shqiptar ku tjetërsimi apo alienimi (po të përdorim një koncept marksist) ka qenë një mënyrë jetese? Kur flas për alienim/tjetërsim kam parasysh sistemin që na ka tjetërsuar nga njëri-tjetri përmes mosbesimit, që na ka tjetërsuar nga aftësia jonë për të kontribuar në shoqëri sidomos në një ekonomi që nuk na favorizon, dhe që në fund na ka tjetërsuar edhe nga vetvetja, duke na mpirë aftësinë për të imagjinuar se mund të jetohet ndryshe.
E megjithatë shpresa ka qenë aty përtej dhe pavarësisht Lëvizjes Bashkë. Shikoni rrotull te rezistenca pa emër e pa asnjë flamur partie e atyre njerëzve që pavarësisht pamundësisë përballë mafias që pastron paratë sërish besojnë te aftësia për ta ruajtur çdo copëze të mbëtur të qytetit.
Rezistenca paemër e shqiptarëve të përveçëm apo grupimeve pa emër e brand janë referenca më solide e shpresës që nuk ka munguar kurrë në shoqërinë shqiptare edhe atëherë kur është ndotur e mbuluar nga grija e manipulimit dhe zia e shfrytëzimit e korruptimit masiv. Madje edhe vetë kreu i Lëvizjes Bashkë e përshëndet natyrën postmoderniste – ku realiteti është kontekstual dhe lokal/i pavarur - të Revolucionit të Flamingove.
Që nga Osmani, për shembull, i cili ushtimën edhe shpresën e ka kthyer në të vetmen armë që u ka mbatur atyre që janë duke parë ndoshta ditët e fundit në korridoret e Onkologjikut; te pasioni i një grushti të rinjsh që bashkë me profësorët e tyre kanë mundur jo vetëm të ngrejnë vetëdijësimin mbi çështje të mjedisit por edhe të ndërkombëtarizojnë kauzat mjedisore shqiptare; mendoni për shembull për Isën, Enkelejdën, Klodianën, Lorinin, e dhjetëra gazetarë të jashtëzakonshëm që pavërësisht se jetojnë e punojnë në mjedisin me të korruptuar mediatik që mund të ketë ndonjë vend, sërish gjejnë forcën e përditshme për të hedhur dritë në errësirën që krijon ky sistem; mendoni për qindra qytetarë që nuk i kanë lidhjet as me patronazhistët as me mafiozët e pushtetit e sërish prodhojnë ide, ndërtojnë biznese të vogla e shkruajnë histori frymëzuese - shpresa për ta nuk është veç një aftësi karakteriale e brendshme, është një mjet i domosdoshëm që ata vendosin ta përdorin për të mbijetuar; madje mendoni Bushatin vetë, mendoni persistencën e editorialeve te Lapsi, që në ditët më të errëta të Shqipërisë kanë skanuar realitetin dhe na kanë dhënë neve që jetojmë larg jo vetëm një fabul përmes së cilës të kuptojmë vendin qe kemi lënë pas, por edhe një mundësi për tu pozicionuar në çështjet e atdheut e kështu për të mbajur gjallë lidhjen me të; mendoni për kolektive të vogla, shpesh të padukshme të shoqërisë qytetare shqiptare të vajzave e grave të cilat përpiqen të suportojnë njëra tjetrën e të rrisin vetëdijësimin mbi forca të ndërlidhura patriarkale që ende u përforcojnë mbi kokë atë tavanin e xhamtë që nuk i le të shkojnë përtej një hapësire të caktuar – është betejë e padukshmë, dhe shumë e shëmtuar ajo që kërkon një dozë të madhe shprese.
E kështu me rradhë, shembujt do të ishin të pambarimtë, edhe pse natyra e përveçme e tyre i bën të duken të papërfillshme.
Shqipëria e re pra, ka një ushtimë të fortë të përbashkët që po dëgjohet tashmë në nivel global. Por atë fabul përbashkuese të një padrejtësie kombëtare që na ka afektuar të gjithëve e mban ndezur një ekosistem shprese që nuk ka sot asnjë çertifikatë pronësie.

