
Në intervistën ekskluzive për ‘Çim Peka Live’ sot në mbrëmje Syri Tv, ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj thotë se PS është mbërthyer nga tentakulat kanceroze të kreut të organizatës, që ai quan Edi Ramën.
Duke bërë ‘mea culpa’ që punoi për të sjellë Ramën në pushtet, Ahmetaj thotë se sot ia ka dalë të jetë qeliza alfa kancerogjene në trupin e Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste.
“Kreu i organizatës ngjan me një kioskë të vitit ’91, që nuk ka çfarë të shesë më. I ka shitur të gjitha. Ja ka dalë!”
Pjesë nga Intervista
Arben Ahmetaj: Për qytetarët, sot unë do të isha 38 muaj në paraburgim. Pra, imagjinoni, të nderuar qytetarë, unë isha deputet. Pra u shkarkova në mënyrë simbolike nga kreu i organizatës, qesharake, perverse, inovacion arkaik, janë kundërshti si fjalë.
Po sigurisht simbolin e kaloi, dhe sot pas 38 muajsh unë do të numëroja dhe familja ime do të numëronte ditët e burgut. Pse? Se donte kreu i organizatës.
ÇIM PEKA: Vetëm se... më fal, të mbaroj këtë kërkesë. M’u drejto mua, jo qytetarëve, sepse qytetarëve i je drejtuar kur kërkoje vota për Edi Ramën. Duke m’u drejtuar mua, qytetarët e ndjekin se kush ka plan dhe kush i beson.
ARBEN AHMETAJ: Unë i kërkoja votat për Partinë Socialiste, për atë Parti Socialiste që akoma unë besoja nuk ishte mbërthyer nga tentakulat kanceroze të kreut të organizatës. Por do të flasim për Partinë Socialiste, më pas po flas për situatën time.
Sot, në gjykatë, ka dy çështje, çështja e “Bukës” dhe pseudo-inceneratorët. Pse i them pseudo-inceneratorët? Do të ta tregoj dhe juve dhe qytetarëve, me fakte.
Brutaliteti ndaj çështjes sime dhe familjes sime ka kaluar në nivel gjenocidi. Gjenocidi! Unë sot e kam familjen të shpërbërë. I kam fëmijët të traumatizuar. I kam pronat e sekuestruara. Vetë, psikologjikisht dhe shpirtërisht, jam në burg prej 38 muajsh.
Nuk janë sekret vuajtjet e familjes sime. Nuk i fsheh dot unë më vuajtjet e familjes sime, siç kam tentuar të bëj. Do të jenë, janë dhe do të jenë në sytë e të gjithë qytetarëve. Dhe është vepër e kreut të organizatës, e plaçkitëses, e Erion Velisë, e një ish-ministri që do të rezervohet sot t’ia them emrin...
ÇIM PEKA: Po pse do të rezervohesh? Për kur e ke?
ARBEN AHMETAJ: Kam të drejtat e mia të vendos, prandaj po jua them. Sepse unë shpresoj që, përpara se të vijë dita që unë të jem në Shqipëri dhe të përballem me një drejtësi të çliruar, dhe i lutem Zotit të më lërë gjallë që të përballem edhe me intrigantët, do të kemi takime të tjera bashkë, sepse e keqja e Shqipërisë sot do betejë për t’u çrrënjosur. As ti, as unë nuk mjaftojmë dot.
ÇIM PEKA: Do të kemi takime të tjera... Zoti Ahmetaj, ju mendoni se deri tek intervista e radhës, që zakonisht ne i kemi pasur një herë në 6 muaj, nuk ka rënë Edi Rama?
ARBEN AHMETAJ: Do të kemi shumë ngjarje, zoti Peka, po ma lër...
ÇIM PEKA: Pra, ti i sheh të nevojshme një intervistë tjetër, pra të bjerë Rama, apo ti mendon se nuk mjafton rënia e tij dhe ne do të vazhdojmë?
ARBEN AHMETAJ: Ti je gazetar me eksperiencë dhe besoj e kupton që intervistat e mia nuk janë për të rënë kreu i organizatës. Kreu i organizatës ka rënë. Kreu i organizatës është si kioskat e vitit ’91, që nuk ka çfarë të shesë më.
ÇIM PEKA: Ka rënë, por ju ka zënë të gjithëve poshtë.
ARBEN AHMETAJ: Të lutem, të lutem. Siç është intervistë është dhe rrëfim dhe ma lër... Patjetër.
Pra, sot kreu i organizatës ngjan me një kioskë të vitit ’91, që nuk ka çfarë të shesë më. I ka shitur të gjitha. Ja ka dalë! Ja ka dalë! Po do të vijmë te ai moment. Ja ka dalë.
Kemi dhe ne gabimet tona. Po jo faje, as krime. Unë po, unë kam përgjegjësi të lartë morale, se e kam theksuar 100 herë, kam punuar pa asnjë hile që ai... ai të fitonte. Dhe Partia Socialiste të fitonte, së bashku me të.
Sepse, do ta them dhe më pas, do ta përsëris sot, ky njeri e filloi rrugëtimin në krye të qeverisë si shpresa e shqiptarëve për të mbyllur tranzicionin. Dhe sot, ja ka dalë të jetë qeliza alfa kancerogjene në trupin e Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste.
Unë nuk e di, është e trishtë, nëse Partia Socialiste do të shpëtojë nga metastazat e tij. Nuk e di!
Çim Peka: Kurrë mos shpëtoftë!
Arben Ahmetaj: Uroj të shpëtojë, nuk e di. Shqipëria, zoti Peka, Shqipëria do të shpëtojë! Edhe një herë, mos ma ndërprit, Shqipëria do të shpëtojë! Shqipëria ka antikorpe fantastike për të mbytur qelizën kancerogjene alfa, që është kreu i organizatës. .../Syri.net