
Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përgatitet të revokojë vizat për biznes dhe turizëm të shtetasve të huaj që kanë aplikuar ose që aktualisht po kërkojnë azil në SHBA, bëri të ditur Departamenti i Shtetit. Ende nuk është bërë e ditur se sa viza do të preken, por sipas vlerësimeve të Associated Press, që u referohen dokumenteve të Departamentit të Shtetit dhe dy zyrtarëve amerikanë, ky numër mund të shhkojë deri në 200.000. Nëse zbatohet kjo, ky do të ishte revokimi më masiv i vizave që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e SHBA-së.
Departamenti i Shtetit pritet t’i njoftojë revokimet në javët e ardhshme. Fjala është për të ashtuquajturat viza B1 dhe B2 të lëshuara gjatë periudhës 2016–2026 për persona që kanë kërkuar ose po kërkojnë aktualisht azil. Këto viza lëshohen përgjithësisht për udhëtime pune, turizëm, vizita familjare ose trajtim mjekësor.
“Ne po bashkëpunojmë me Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) për të identifikuar dhe revokuar vizat e shtetasve të huaj që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara duke deklaruar se janë vizitorë afatshkurtër, por më pas kanë paraqitur kërkesë për azil për të qëndruar këtu në mënyrë të përhershme”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, duke iu referuar Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ai nuk pranoi të jepte një numër të saktë, duke thënë se numri “mbetet dinamik dhe mund të ndryshojë në mënyrë të vazhdueshme”.