
Që Luciano Spalletti nuk është i kënaqur – ndoshta edhe kjo është një eufemizëm – me merkaton e Juventusit në repartin ofensiv, u kuptua nga fjalët që i rezervoi Kolo Muani pas ndeshjes me Frosinonen, kur përpjekja për të motivuar sulmuesin francez shkoi disi përtej, duke tradhtuar nervozizmin për mosrealizimin e një kërkese që ai e kishte bërë që prej mbërritjes në stolin e bardhezinjve sezonin e kaluar: për idenë e tij të futbollit nevojitet një numër 9 i vërtetë.
Juve, rikthehet në shënjestër Mateta
Këtë verë Juve nuk arriti ta mbajë Vlahovic, më pas u rikthye për 50 milionë euro (duke llogaritur edhe bonuset), Kolo Muani, i cili megjithatë ka karakteristika të tjera, ndërsa roli i bomberit mbetet ende i pambuluar. Për këtë arsye, përveç dy emrave që janë lidhur më shumë me bardhezinjtë, Joshua Zirkzee (një dëshirë e madhe e Massara, por që është më shumë fantazist dhe më pak një lojtar zone) dhe Alexander Sorloth (një transferim që mund të lidhet me Nico Gonzalez, i cili mund të qëndrojë gjithashtu për shkak të dëmtimit të Yildiz), trajneri nuk ka hequr dorë së menduari për Jean-Philippe Mateta, i cili ishte kontaktuar edhe janarin e kaluar, por transferimi dështoi për çështje fizike.
Shkëmbim me David?
Sulmuesi francez nuk ka pranuar rinovimin me Crystal Palace dhe kontrata që skadon në vitin 2027 ka bërë që çmimi i kërkuar nga anglezët të ulet me rreth dhjetë milionë euro: tani flitet për rreth 25 milionë. Por çelësi i vërtetë i marrëveshjes, shpjegon Tuttosport, mund të jetë përfshirja e Jonathan David në operacion. Kanadezi vlerësohet nga Juventus pikërisht 25 milionë euro dhe kishte dhënë dritën jeshile për Palace kur klubi anglez kishte shfaqur interes për të, ndryshe nga shumë përgjigje negative të dhëna gjatë javëve të fundit, e fundit ndaj Hull City.
Pra, vëmendje ndaj rikthimit të interesit. Për sulmin e Juventusit hapet rruga e tretë: Zirkzee, Sorloth ose Mateta. Spalletti jo vetëm që shpreson për këtë, por e kërkon me ngulm. Ka mbetur vetëm një javë për t’ia plotësuar kërkesën.