
Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend. Deri në orën 14:00 të 25 gushtit, janë raportuar 11 vatra zjarri, prej të cilave 5 janë aktive, 5 nën monitorim dhe 1 është shuar.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 65 forca operacionale dhe 2 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 20 efektivë dhe një helikopter.
Pesë vatrat aktive
Mali i Dajtit, Tiranë: Vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, me forca zjarrfikëse, efektivë të ADZM-së dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter. Zjarri vijon të jetë aktiv, por nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ballenjë, Dibër: Zjarri vijon në një terren të vështirë shkëmbor. Në operacion janë angazhuar 5 forca të ADZM Dibër. Edhe në këtë zonë nuk rrezikohen banesat.
Qafë e Helmës, Bulqizë: Vatra mbetet aktive dhe po monitorohet nga 4 efektivë të MZSH Bulqizë. Nuk raportohet rrezik për banesat.
Mali i Dardhës, Librazhd: Zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 hektarësh. Në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd, ndërsa banesat nuk janë në rrezik.
Valikardhë, Bulqizë: Operacioni vijon me një automjet zjarrfikës dhe 6 efektivë. Forcat po punojnë për izolimin e vatrës, e cila favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata aktualisht paraqitet e menaxhueshme, ndërsa përpjekjet janë përqendruar në izolimin e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së tyre.
Ndërkohë, zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive dhe vijojnë të jenë nën monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre, ndërsa kapacitetet operacionale vijojnë të jenë në gatishmëri për ndërhyrje në çdo zonë ku do të jetë e nevojshme.