
E ardhmja e Kristjan Asllanit te Interi duket gjithnjë e më larg. Mesfushori shqiptar, i lindur në vitin 2002, ka pasur eksperienca huazimi, fillimisht te Torino nga gushti 2025 deri në janar 2026, ku regjistroi 16 paraqitje, dhe më pas te Besiktas deri në qershor, ku luajti 17 ndeshje dhe shënoi dy gola. Ai është kthyer në klub, por megjithatë, nuk bën pjesë në planet e trajnerit Cristian Chivu, dhe objektivi kryesor i drejtuesve zikaltër është t’i gjejnë një sistemim para mbylljes së merkatos. Askush në Serie A nuk ka treguar intgeres për mesfushorin e kombëtares kuqezi, edhe pse 24 vjeçari do ti shihte me prioritet.
Fillimisht, një pistë e mundshme ishte transferimi te Monza, por ky opsion u ftoh menjëherë, duke lënë të hapur mundësinë për një largim jashtë kufijve italianë. Sipas informacioneve të fundit, një mundësi konkrete po materializohet nga Lindja e Mesme. Klubi i Al Jazira-s, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ka shfaqur interes të fortë për shërbimet e mesfushorit dhe ka nisur tashmë kontaktet e para me Interin.
Al Jazira synon ta marrë Asllanin në formë huazimi, por nga ana e tij, klubi zikaltër ka një preferencë të qartë: një shitje përfundimtare. Interi e vlerëson talentin shqiptar rreth 10-12 milionë euro, një shifër kjo që do të ndihmonte arkën e klubit dhe do të zgjidhte përfundimisht situatën e lojtarit. Zhvillimet pritet të jenë të shpejta në orët dhe ditët në vijim, ndërsa të gjithë presin të shohin se ku do të vazhdojë karrierën mesfushori i kombëtares shqiptare.