
“Një përshëndetje për tifozët e Juves? Ciao”. Kështu ishte përshëndetur Michele Di Gregorio me tifozët në aeroport, përpara se të linte përfundimisht Torinon dhe Juventusin për t’u nisur drejt Anglisë, ku e priste skuadra e tij e re: Bournemouth. Këtu DiGre mund të ringrihet pas “refuzimit” nga bardhezinjtë, të cilët në vend të tij zgjodhën Vicario. Synimi parësor i Juventusit ishte zgjedhja e një portieri të ri: nga Dibu Martinez te Suzuki e deri te vetë Vicario, ndoshta për Di Gregorion kjo ishte e tepërt. Të nxirresh jashtë kështu nuk do t’i pëlqente askujt pas dy vitesh me fanellën bardhezi. E megjithatë dikush – nuk është e qartë se kush – ka dashur që kjo të ndodhte. Zhgënjimi i tij ishte i dukshëm në aeroport përpara se të largohej nga Juve në huazim.
Në javët e mëparshme, agjenti i tij kishte menduar të hidhte benzinë mbi zjarr kundër klubit bardhezi me një postim në Instagram. Dhe ndoshta edhe kjo i ka prishur përfundimisht marrëdhëniet mes palëve. Menjëherë pas zyrtarizimit të kalimit të tij te Bournemouth, Di Gregorio mendoi mirë të fshinte çdo gjurmë juventine nga profili i tij në Instagram, ku tani shfaqen vetëm tri fotografi (të gjitha që e paraqesin portierin në ditën e tij të parë në Angli) dhe asgjë tjetër. Më pas theu heshtjen në intervistën e dhënë për kanalet zyrtare të klubit: “Këtu jam në një klub ambicioz, Kelly më këshilloi të vija”. Me pak fjalë, është e qartë se ka ndodhur diçka dhe me siguri postimi i agjentit të portierit, i cili kishte sulmuar ashpër zgjedhjet e klubit në merkato verën e kaluar, ka ndihmuar që marrëdhëniet mes palëve të acaroheshin aq shumë, saqë ndarja u bë e pashmangshme.
Është e qartë se Di Gregorio është gjendur disi në mes, “fajtor” që përfaqësohej nga agjenti i tij, i cili ishte ekspozuar aq shumë kundër Juventusit. DiGre u distancua nga ato fjalë, por qartësisht ishte tepër vonë. Gabimet e kryera nga portieri sezonin e kaluar sigurisht që nuk mund ta justifikonin këtë shitje të menjëhershme të portierit, i cili praktikisht u la mënjanë që në fillim, ndërsa klubi kërkonte vazhdimisht një portier tjetër.
Di Gregorio, nga ana e tij, në njëfarë mënyre e falënderoi Juventusin gjatë intervistës për Bournemouth, duke theksuar se këto dy vite te bardhezinjtë kanë qenë formuese në çdo aspekt. Më pas ai theu heshtjen për largimin nga bardhezinjtë: “Është një nder të jem këtu për të luajtur ndeshje të një niveli shumë të lartë – shpjegon ai – Kam folur me Kelly, i cili ka qenë më parë këtu, më ka folur shumë mirë për klubin, qytetin dhe jetën këtu dhe më këshilloi për këtë zgjedhje. Më tha gjithashtu se Premier League është një kampionat fantastik, më i bukuri në botë”. Lloyd Kelly, aktualisht mbrojtës në pronësi të Juventusit, por që ka luajtur pikërisht te Bournemouth nga viti 2019 deri në vitin 2024, ishte vendimtar për të bindur Di Gregorion të pranonte ofertën e skuadrës angleze.