Flash

Plumb gome pas shpine/ A u urdhërua polici të qëllonte deputetin?

Pasi një efektiv qëlloi me plumb gome në shpinë deputetin demokrat Kliti Hoti para Kryeministrisë, Berisha akuzoi se polici kishte marrë urdhër për të vrarë, ndërsa ministri Ervin Demo kërkoi pezullimin e efektivit dhe hetimin e asaj që e cilësoi si një rast të dyshuar individual.

16:22

Plumb gome pas shpine/ A u urdhërua polici të qëllonte deputetin?

Pasi një efektiv qëlloi me plumb gome në shpinë deputetin demokrat Kliti Hoti para Kryeministrisë, Berisha akuzoi se polici kishte marrë urdhër për të vrarë, ndërsa ministri Ervin Demo kërkoi pezullimin e efektivit dhe hetimin e asaj që e cilësoi si një rast të dyshuar individual.

Lapsi.al 29 November 2026

Mënyra si polici i armatosur u kthye papritur, drejtoi armën nga deputeti demokrat Kliti Hoti dhe e qëlloi me plumb gome, ndërsa ky vraponte pa shfaqur ndonjë kërcënim të dukshëm, e bën të pashmangshme pyetjen: A mori polici urdhër për të qëlluar apo e tërhoqi këmbëzën në një çast nervozizmi, pasi u ndje i provokuar nga thirrjet që vinin nga turma?

Në videon e filmuar nga protestuesit, deputeti i Shkodrës shihet thejsht duke vrapuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Në sfond dëgjohet një aktivist pranë tij që i thërret disa herë efektivit “Hajde më gjuj, hajde me gjuj”. Eshtë ky momenti kur polici kthehet, drejton armën nga Hoti dhe e qëllon atë. Një çast para goditjes, deputeti kthehet instinktivisht për t’u mbrojtur. Plumbi i gomës e godet në shpinë dhe e rrëzon në tokë. Në pamje, Hoti nuk shihet të mbajë ndonjë send në duar apo të bëjë ndonjë lëvizje kërcënuese ndaj efektivit.

Në momentin që është qëlluar përreth deputetit ishin rreth 20 a 30 vetë, protestues si ai. Hoti mbante një xhup të gjelbër dhe dallohej mes protestuesve të veshur me të zeza. Përse polici e drejtoi armën pikërisht nga ai? A mori urdhër të qëllonte mbi Hotin, a e zgjodhi vetë si shënjestër apo qëlloi rastësisht drejt turmës së njerëzve që po e ndiqte nga pas?

Plumb gome pas shpine/ A u urdhërua polici të qëllonte deputetin?

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi menjëherë duke akuzuar direkt kryeministrin Rama. Ai tha se polici ishte urdhëruar të vriste dhe ia ngarkoi drejtpërdrejt kryeministrit përgjegjësinë për goditjen e deputetit.

“E pa e gjithë Shqipëria, deputeti po ecte, nuk kishte asgjë në dorë, polici e qëlloi si kriminel. Policët sillen si kafshë ndaj protestuesve. Rama beson se me një grusht horrash do mund t’ja dalë ndaj qytetarëve, që kërkojnë të drejtat e tyre. Plaga ka djegie të pazakontë. Doktor Kliti Hoti qëndronte i vendosur dhe i pamposhtur në misionin dhe vendosmërinë e tij. Rama është përgjegjës personal për këtë tentativë vrasjeje ndaj deputetit të PD-së”, tha kreu i PD.

Edhe në protestën e së shtunës, disa protestues u goditën në fytyrë apo në trup me plumba gome, disa prej tyre në mënyrë të përsëritur. Rasti më i rëndë deri më tani mbetet ai i Erjon Vishkullit, protestuesit nga Elbasani që humbi njërin sy dhe u trajtua në Itali. Pak ditë më parë, ai dëshmoi në prokurori për çastin kur u godit duke kërkuar dënimin e autorit në radhët e policisë.

Edhe sikur goditja e Vishkullit të ketë qenë aksidentale, pasojat e saj duhej t’i kishin bërë drejtuesit e policisë të rishikonin udhëzimet për përdorimin e këtyre armëve në protestë. Në fakt ka ndodhur e kundërta. Policia nuk është kursyer me plumbat e gomës dhe disa prej tyre kanë rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, u distancua menjëherë nga veprimi i efektivit që plagosir deputetin e Shkodrës. Ai tha se i kërkoi kryepolicit Skënder Hita pezullimin e menjëhershëm të policit dhe nisjen e një hetimi të plotë. Efektivi u pezullua nga detyra.

“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë”, tha Demo.

Në reagimin e tij, ministri foli për një “rast të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale”. Me fjalët “në mënyrë individuale”, Demo e vendosi përgjegjësinë te efektivi që qëlloi, që në reagimin e parë.

Por këtë duhet ta vendosë një hetim që duhet të përfshijë edhe eprorët e tij dhe të sqarojë kush i komandonte grupet e armatosura me pushkë me plumba gome, çfarë udhëzimesh u ishin dhënë dhe nëse efektivi mori ndonjë urdhër para se të qëllonte.

Me çdo plagosje të re në protestë, policët po marrin gjithnjë e më shumë pamjen e një trupe jashtë kontrollit, që është e gatshme t'i bindet çdo urdhri nga Rama, edhe pse në shkelje të ligjit. Me veprimet e fundit reputacioni i uniformave blu është në nivelin më të ulët që ka qenë ndonjëherë. Jo më kot, sa herë dalin në rrugë dëgjojnë që qytetarët e Tiranës i konsiderojnë si "legena"./Lapsi.al

Të këshilluara

Plani për kontrollin e bashkisë/ Çfarë loje po luan Veliaj

Ç ’fshihet pas valës së spastrimeve në bashki? Çfarë simbolizon zëvendësimi në IKMT i një militanti patronazhist si Rigers Sheqeri me një besnik të Lalit si Halit Valteri? Pyetja që shtrohet: A mos Veliaj po mendon të dalë me një kandidat të mbështetur prej tij në garën për Tiranën?

14:39

Koordinimi/ Çfarë tregoi përjashtimi i Spiropalit për Ramën dhe Ballukun

Nga mungesa e Spiropalit në votimin që mbrojti Ballukun te kontrollet e Tatimeve në bizneset e familjes dhe përjashtimi nga PS, Rama luajti për muaj rolin e kryetarit tolerant para se të kërkonte vetë largimin e saj, ndërsa Balluku mori mbi vete koston e akuzave për presion, një ndarje rolesh që, të paktën tani për tani, e bën të kotë pyetjen se "Kush mban peng kë?"

20:24

ide

28 nëntori, një fitore simbolike kundër Ramës

Protesta e sotme, e zhvilluar pas miratimit të ligjeve represive tregoi se autokrati e ka humbur fuqinë për të shantazhuar. Shpresa qesharake se mund të trembte përmes nenesh ata që s’pyesnin për gazin dhe plumbat e gomës, rrëzoi iluzionet e një njeriu të mbyllur në kullën e vet të fildishtë  

18:30 Andi Bushati

Si evropianët legjitimuan korrupsionin dhe represionin ndaj revolucionit të flamingove

Nëse përfshirja e familjes Trump e bëri protestën të denjë për vëmendjen e mediave të mbarë botës, pse udhëheqësit evropianë nuk treguan të njëjtën vëmendje ndaj protestuesve shqiptarë? Pse Macroni dhe von der Leyeni u dukën më të shqetësuar për të dëshmuar vazhdimësinë e marrëdhënieve të tyre të mira me Ramën sesa për të kuptuar arsyet e atyre që kërkonin largimin e tij?

11:34 Fatos Lubonja

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

89.76

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

28 nëntori, një fitore simbolike kundër Ramës

Protesta e sotme, e zhvilluar pas miratimit të ligjeve represive tregoi se autokrati e ka humbur fuqinë për të shantazhuar. Shpresa qesharake se mund të trembte përmes nenesh ata që s’pyesnin për gazin dhe plumbat e gomës, rrëzoi iluzionet e një njeriu të mbyllur në kullën e vet të fildishtë  

18:30 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI