Në prill të vitit 2024, një emision i kanalit televiziv publik italian RAI 3 vuri në qendër të vëmendjes një gjeneral në pension, ish-drejtues i Interpolit në Romë. Gazetari i paraqiti atij një dokument që provonte se një shqiptar, Artur Shehu, i arrestuar në Itali për lidhje të dyshuara me mafien, i kishte dhuruar 30 000 metra katrorë tokë në bregdetin shqiptar. Nga përgjigjet e gjeneralit doli një emër tjetër, ai i ndërmjetësit: Engjëll Agaçi, ish-avokat i disa shqiptarëve të dënuar në Itali për trafik droge. Në kohën e dhurimit ai ishte bërë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama. Reportazhi ngrinte kështu dyshimin e arsyeshëm se gjenerali mund të ishte korruptuar për të mbyllur sytë ndaj trafikut të drogës dhe pastrimit të parave të pista, që Interpoli kishte asokohe për detyrë t’i mbikëqyrte në Shqipëri.
Disa ditë më vonë, Giorgia Meloni, kryeministrja italiane, e cila sapo kishte lidhur me Ramën marrëveshjen për qendrat e migrantëve në Shqipëri, shprehu shqetësimin e saj lidhur me këtë emision. Por ajo që e shqetësonte nuk ishte çfarë kishte zbuluar emisioni, por imazhi i keq që ai kishte dhënë për Shqipërinë dhe kryeministrin e saj. «E kanë paraqitur Shqipërinë si të ishte një narkoshtet. Duhet t’i kërkojmë falje Edi Ramës.» Këto ishin fjalët e saj. Kështu, në vend se të kërkonte sqarime lidhur me zbulimet e gazetarisë investigative, ajo bëri reputacionin e kryeministrit shqiptar problemin e vërtetë.
Dy vjet më vonë, Artur Shehu, dhuruesi «bujar», u rishfaq në një histori me përmasa shumë më të mëdha. Kësaj here ai doli se ishte shitësi i tokave të destinuara për një projekt gjigant turistik në Shqipëri, të mbështetur nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhëndri dhe vajza e Donald Trumpit. Ai i kishte shitur Kushnerit, për 120 milionë dollarë, më shumë se një milion metra katrorë tokë në Zvërnec, në jugperëndim të Shqipërisë: pikërisht ato toka nga të cilat, njëmbëdhjetë vjet më parë, kishte shkëputur parcelën që i kishte dhuruar gjeneralit.
Ky projekt u bë në Shqipëri shkëndija e një proteste që askush nuk e kishte parashikuar. Flamingot rozë të lagunës së Zvërnecit u bënë simboli i saj, ndërsa «Shqipëria nuk është në shitje» një nga sloganet më buçitëse. Nën trysninë e lëvizjes, Prokuroria e Posaçme shqiptare (SPAK) «zbuloi» në sirtarët e saj dokumente që flinin aty prej kohësh sipas të cilave tokat e Artur Shehut u ishin grabitur banorëve nëpërmjet falsifikimeve dhe ngriu transaksionin prej 120 milionë dollarësh.
Edhe më të rënda ishin dokumentet e dala nga përgjimet telefonike që Europoli i kishte përcjellë SPAK-ut. Ato zbulonin se Artur Shehu dhe figura të tjera të krimit të organizuar ishin takuar në ishullin Aruba, në Karaibe, si dhe në Gjermani e në Spanjë, për të rënë dakord mbi pastrimin e kapitaleve të tyre në Shqipëri nëpërmjet ndërtimit të komplekseve turistike luksoze dhe rrokaqiejve. Kjo aferë mori emrin «projekti Aruba».
Pikërisht në këtë klimë shpërtheu edhe çështja «Albanian Files», një botim i promovuar nga Rama, ku paraqiteshin projekte kullash dhe kompleksesh turistike të projektuara nga miqtë e tij arkitektë me famë ndërkombëtare. Protestuesit ia dorëzuan këtë botim SPAK-ut, duke i kërkuar të hetonte lidhjet e tij të mundshme me interesat që kishin dalë në pah nga zbulimet mbi «Arubën», si dhe me ndryshimet e bëra në vitin 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura.
Çështja që ngrinte protesta e tejkaloi tashmë atë të pronësisë së tokave të Zvërnecit. Kërkohej të kuptohej se kush po e projektonte të ardhmen e vendit, me paratë e kujt dhe me pëlqimin e kujt. Dhjetëra mijëra shqiptarë denonconin sistemin politik që, prej tridhjetë e pesë vjetësh, u kishte rrëmbyer pushtetin vendimmarrës dhe e kishte shndërruar Shqipërinë në pronë të një pakice kriminale. Kështu, ajo që RAI 3 kishte zbuluar dy vjet më parë – se Shqipëria nuk ishte thjesht një vend ku oligarkët kishin kapur shtetin, por një vend ku një pjesë e madhe e këtyre oligarkëve vinin nga radhët e krimit të organizuar – u bë temë e trajtuar nga shumë media ndërkombëtare, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë.
Por sa më shumë rritej protesta, aq më pak dukej se shqetësoheshin miqtë evropianë të Ramës.
Ndërsa Shqipëria kërkon largimin e tij, Macroni i shtron tapetin e kuq
Në qershor, ndërsa rrugët e Tiranës mbusheshin me deri në 100 000 protestues, zyra e kryeministrit njoftoi se Emmanuel Macron e kishte ftuar Edi Ramën për një «drekë pune» në Elize. Njoftimi nuk përcaktonte ndonjë objektiv konkret që të mund ta përligjte urgjencën e kësaj vizite. Në fakt, takimi i 22 qershorit do të mbetet në kujtesë jo për ndonjë marrëveshje historike midis dy vendeve, por për afërsinë historike midis dy udhëheqësve të tyre. Pas drekës, Rama zbriti shkallët e Elizesë dorë për dore me Macronin, duke marrë pikërisht atë për të cilën kishte më shumë nevojë në atë çast: imazhin e një kryeministri që pritej me nderime në Paris, ndërkohë që në vendin e tij i kërkohej dorëheqja.
Pas Macronit i erdhi radha Ursula von der Leyen. Më 30 shtator, gjatë një konference të përbashkët shtypi me Ramën në Tiranë, presidentja e Komisionit Evropian përshëndeti përparimet «mbresëlënëse» të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian nën udhëheqjen e Ramës. Ironia bëhet edhe më therëse kur lexon raportin e vetë Komisionit Evropian për Shqipërinë, të botuar në nëntor të vitit 2026. Ai e cilëson lëvizjen e protestës si mobilizimin më të madh qytetar që nga fillimi i tranzicionit demokratik dhe shpreh shqetësime lidhur me mungesën e kontrollit parlamentar dhe mbrojtjen e natyrës pas ndryshimeve ligjore të vitit 2024. Por në skenën politike ajo që mbeti në kujtesë qe përqafimi diplomatik dhe fjala «përparim». Kemi një Evropë për raportet, një tjetër për fotografitë.
Deklaratat e von der Leyenit patën efektin e një dushi të ftohtë mbi protestën, brenda së cilës prej disa kohësh kishin filluar të dëgjoheshin thirrje për radikalizim. Krahu i saj euroskeptik kujtoi se studentët serbë e kishin ndërtuar lëvizjen e tyre kundër autokratit Vuçiç duke akuzuar edhe Evropën për mbështetjen që i jepte atij. Të tjerë evokuan formulën e Marksit, sipas së cilës «arma e kritikës nuk mund ta zëvendësojë kritikën me armë», duke argumentuar se zëri i tyre nuk do të dëgjohej kurrë për sa kohë që nuk do të thyenin, shkatërronin e digjnin institucionet e këtij shteti armik.
Pas 13 tetorit, ashtu siç po ndodhte asokohe në Francë dhe Itali, lëvizja mori një kthesë të dhunshme. Midis protestuesve të maskuar që thyenin e shkatërronin kishte edhe njerëz të infiltruar nga qeveria, e cila kishte gjithë interesin t’i krijonte Ramës mundësinë për t’u paraqitur si garant i rendit përballë kaosit.
Ashtu si në Francë, represion ndaj protestuesve
Kështu, Rama, me mbështetjen e diplomacisë evropiane, shumë më e shqetësuar nga dhuna e protestuesve sesa nga dhuna shproporcionale e policisë dhe arrestimet e shumta, përfshirë ato të të miturve, miratoi akte normative me fuqinë e ligjit, duke kufizuar lirinë e lëvizjes dhe të drejtën e protestës. Sipas Kushtetutës, masa të tilla kërkojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ose ekzistencën e disa kushteve të nevojës dhe urgjencës, të cilave ligjet në fuqi nuk mund t’u japin përgjigje. Por ajo që ka më shumë rëndësi sesa mungesa e këtyre kushteve është stabiliteti. Dhe sot mund të thuhet se, me mbështetjen e qendrës së Perandorisë, stabiliteti është rivendosur.
Për ta konsoliduar atë, paralelisht me këto masa ekstreme, Rama vazhdon të përhapë narrativën e tij, sipas së cilës ajo që ndodhi në sheshet shqiptare nuk ishte gjë tjetër veçse një deformim i realitetit, një manipulim që mori përmasa botërore për shkak të armiqve të Trumpit, algoritmeve dhe lëvizjes Antifa. Sepse, në të vërtetë, Shqipëria është një vend që, nën udhëheqjen e tij, po përparon në mënyrë «mbresëlënëse» drejt Evropës.
Vetëm në një pikë Rama ka të drejtë: nëse Shqipëria zuri faqet e para të mediave perëndimore, kjo nuk ndodhi vetëm pse shqiptarët po protestonin, por mbi të gjitha sepse në këtë histori ishin të përfshirë Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Pa praninë e tyre, çështja e Zvërnecit mund të kishte mbetur një nga konfliktet e panumërta për tokat dhe bregdetin shqiptar, që nuk u dëgjohet zëri kurrë deri në qendër. Në periferinë e Perandorisë mund të ndodhin shumë gjëra pa ia prishur gjumin askujt, mjafton që ato të mos ndërhyjnë në luftërat për pushtet që zhvillohen në qendër të saj.
Shqipëria, simboli i trenit Evropë që vrapon drejt katastrofës
E megjithatë, ndër ata që reflektojnë në Shqipëri, një pyetje vazhdon të shtrohet. Nëse përfshirja e familjes Trump e bëri këtë skandal të denjë për vëmendjen e mediave të mbarë botës, pse udhëheqësit evropianë nuk treguan të njëjtën vëmendje ndaj protestuesve shqiptarë? Pse Macroni dhe von der Leyeni u dukën më të shqetësuar për të dëshmuar vazhdimësinë e marrëdhënieve të tyre të mira me Ramën sesa për të kuptuar arsyet e atyre që kërkonin largimin e tij?
Një shpjegim i parë mund të ishte se, për interesa gjeostrategjike dhe ekonomike, është më e lehtë të merresh vesh me një kryeministër që kontrollon të gjithë vendimmarrjen sesa me një demokraci ku qytetarët, institucionet dhe shoqëria civile kanë pushtetin për të thënë jo. Një udhëheqës i tillë mund të pranojë qendra për migrantët, të lehtësojë investimet, të premtojë stabilitet dhe të shpërndajë edhe dhurata. Dhe sa më shumë dobësohet demokracia, aq më shumë ai vetë paraqitet si i domosdoshëm për garantimin e këtij stabiliteti.
Të tjerë, që nuk shkojnë kaq larg në kërkim të shpjegimit, mjaftohen duke kujtuar historinë e ministres së Jashtme franceze Michèle Alliot-Marie, e cila, në vitin 2011, i ofroi Ben Aliut në Tunizi «ekspertizën» franceze për rivendosjen e rendit, për çka më pas doli se në qëndrimin e saj kishte luajtur rol edhe korrupsioni.
Ndoshta këto dy shpjegime janë të bazuara. Por një tjetër më duket se prek më në thellësi të vërtetën.
Duke mbështetur lëvizjen e protestës, udhëheqësit evropianë do të kishin përgënjeshtruar një narrativë që e ushqejnë prej tridhjetë e pesë vjetësh: atë të përparimit të Evropës nën udhëheqjen e tyre dhe, për rrjedhojë, të përparimit të vendeve si Shqipëria, të kapura pas vagonëve të fundit të trenit evropian. Mirëpo protestuesit shqiptarë kërkojnë një «revolucion», domethënë përmbysjen e sistemit që është ndërtuar me ndihmën e Evropës gjatë këtyre tridhjetë e pesë vjetëve. Dhe pranimi i këtij revolucioni do të nënkuptonte ngritjen e një çështjeje që i tejkalon shumë kufijtë e Shqipërisë: Nëse me revolucion nuk kuptojmë atë që Marksi e përkufizonte si «lokomotivën e historisë», por atë që Walter Benjamini e shihte si kryengritjen e udhëtarëve të trenit që përpiqen të tërheqin frenën e emergjencës për të ndalur vrapin e tij drejt katastrofës, a nuk po na tregon vallë revolucioni shqiptar se është bërë e nevojshme të tërheqim edhe frenën e emergjencës së trenit Evropë?
