
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka shënuar një tjetër përshkallëzim, pasi autoritetet ruse kanë raportuar një sulm të ri ukrainas ndaj Urës së Kerçit, që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë. Në të njëjtën kohë, kryeqyteti ukrainas, Kievi, është goditur nga raketa balistike ruse. Kreu i autoriteteve lokale në Krime, Sergei Aksyonov i emëruar nga Moska, njoftoi se ura është vënë sërish në shënjestër të një sulmi ukrainas, duke bërë të ditur se trafiku i automjeteve është pezulluar përkohësisht.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin udhëtimet drejt zonës së urës. Ura e Kerçit, e gjatë rreth 19 kilometra, ka rëndësi të veçantë strategjike për Moskën, pasi përbën një lidhje të drejtpërdrejtë rrugore dhe hekurudhore mes territorit rus dhe Krimesë, gadishull të cilin Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Ndërkohë, situata është përkeqësuar edhe në Kiev, ku pak para mesnatës janë dëgjuar shpërthime pas aktivizimit të alarmit për sulme me raketa balistike ruse. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko njoftoi fillimisht se dy ura ishin goditur, ndërsa më pas bëri të ditur se sulmet kishin shkaktuar dëme në infrastrukturën kritike të qytetit.
Sipas tij, në disa zona të kryeqytetit janë raportuar ndërprerje të furnizimit me ujë dhe ngrohje, si pasojë e dëmtimit të infrastrukturës jetike. Zhvillimet vijnë pas paralajmërimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës, kishte njoftuar se Rusia po përgatiste një valë të re sulmesh ndaj Ukrainës. Tensionet në të dyja frontet mbeten të larta, ndërsa sulmet ndaj infrastrukturës strategjike tregojnë se konflikti vazhdon të prekë edhe objektiva me rëndësi jetike për të dyja palët.