
Në konferencën me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Lajen, kryeministri Edi Rama u pyet nëse mban përgjegjësi politike për emërimin e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, pas hetimit ndaj saj nga SPAK. Rama e cilësoi si të gabuar idenë se përgjegjësia për veprimet e një personi të emëruar duhet t’i atribuohet automatikisht edhe atij që e ka emëruar.
Kryeministri tha se qeveria ka detyrimin të shpjegojë objektivat e saj dhe të japë llogari për mënyrën se si i zbaton ato, ndërsa personat që shkelin ligjin duhet të përballen me institucionet e drejtësisë. Rama gjithashtu tha se askush nuk merret në mbrojtje kur veprimet e tij hyjnë në sferën e hetimit.
“Kjo e përgjegjësisë politike është një avaz i përsëritur në pafundësi në mjedisin e diskutimit publik. Unë nuk pretendoj që t’ju bëj të ndryshoni kuptim. Përgjegjësia ime politike është vetëm një, reforma në drejtësi të mos ndalet që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha ngacmimeve që i bëhen organizmit të shtetit nga veprime që bien ndesh me ligjin të zhvillohet si mision i sistemi.
Kemi qenë në këtë vend, edhe pse ju jeni më të rinj, por kur gjërat që shohim sot dhe ndodhin sot as nuk mund të imagjinoheshin. Dhe kjo ka qenë vetëm deri përpara se sa ne të bënim reformën në drejtësi. Nëse pyetja juaj nënkupton që për përgjegjësi individuale duhet të përgjigjemi si në komunizëm, unë u them se atë sistem e kemi ndryshuar.
Dhe nëse mendoni që kur një emërim bëhet dhe lind përgjegjësia e atij që emëron si rezultat që i emëruari mund të bëjë gabim, kjo është mënyrë e të pari si në kohën e komunizmit. Ne kemi detyrë të ndajmë me publikun qëllimet dhe të tregojmë se çfarë duam të bëjmë me mbështetjen e publikut, të japim llogari se si e bëjmë dhe cilido që tradhton qëllimin e përbashkët duhet të përballet me pasojat në anën tjetër të sistemit që është pushteti i pavarur gjyqësor.
Askush nuk merret në mbrojtje kur vjen puna për t’i përballur me pasojat e nje veprimi që hyn në sferën e hetimit", - tha Rama. /LAPSI.al