
Artem Dzyuba është një legjendë e futbollit rus dhe fjalët e sulmuesit 37-vjeçar nga Moska – i cili e mbylli sezonin e fundit te Akron Togliatti – kanë peshë. Dhe nuk janë aspak të këndshme për Roberto Mancinin, me të cilin ndau sezonin 2017/18 te Zenit Shën Petersburg, një vit zhgënjyes (mes pushimit njëvjeçar pas largimit nga Interi dhe aventurës së parë në pankinën e Italisë), të mbyllur me vendin e pestë në kampionat, rezultatin më të dobët të Zenitit pas shumë vitesh, si edhe eliminime të hershme në Ligën e Europës (në 1/8-at) dhe Kupën e Rusisë (në 1/16-at).
Mancini te Zenit, flet Dzyuba: “Nuk i njihte emrat e lojtarëve”
“Mancini mund të largohej nga stërvitja në mes të saj, nuk dinte si quhej gjysma e lojtarëve dhe nuk dinte kush ishte me të djathtën apo me të majtën”, tregoi Dzyuba, pikërisht në orët kur trajneri 61-vjeçar nga Jesi u prezantua nga Giovanni Malagò, së bashku me Claudio Ranierin, si dyshja që do të ringrejë futbollin italian.
Dzyuba, i cili me golin e shënuar marsin e kaluar në miqësoren e fituar 5-0 ndaj Grenadës u bë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares ruse me 31 gola, është një ikonë e Zenitit, klub me të cilin fitoi katër kampionate (duke u shpallur golashënuesi më i mirë në vitin 2021), dy Kupa të Rusisë dhe pesë Superkupa.

Për të treguar se nuk po bënte shaka me deklaratat e tij për Mancinin, ish-sulmuesi solli një episod që e mban mend ende shumë mirë: “Ndodhi një rast: kishim marrë Yohan Mollo (një anësor i djathtë francez) nga Krylia Sovetov, pasi na kishin mundur 3-0. Në atë ndeshje besoj se kishte shënuar një gol dhe kishte dhënë dy asistime, na kishte shkatërruar plotësisht dhe i kishte pëlqyer dikujt nga drejtuesit. Gjatë një stërvitjeje po godiste goditjet e dënimit dhe Mancini nisi t’i bërtiste: ‘Pse gjuan kështu? Pse e godet me të djathtën dhe jo me të majtën?’. Mollo iu përgjigj: ‘Çfarë do të thoni?’. Mancini i tha: ‘Po ti je i majtë!’. ‘Mister, unë jam me të djathtën’. Dhe Mancini: ‘Ah, vërtet? Dhe gjuan kaq keq me të djathtën?’. Pra, ai nuk e dinte as kush ishte me të djathtën apo me të majtën”.
“Kalonte kohën duke bërë solar, i mungonin vetëm fetat e kastravecit mbi sy”
Ka edhe diçka tjetër, jashtë futbollit, që Dzyuba nuk e ka harruar: pasionin e trajnerit për solarin. “Mancini kalonte kohën në qendrën stërvitore duke bërë solar. Kur kthehej nga stërvitja, ngrinte pantallonat e shkurtra… ishte tashmë krejt i verdhë. Ngjyrë karote. I mungonin vetëm fetat e kastravecit mbi sy. Ndërkohë ne ishim ende në fushë duke u lodhur, ai shikonte orën dhe thoshte: ‘Po ikni tani…’. Kthehej dhe largohej. Kur hynim ne, e gjenim mbi biçikletën stërvitore, duke pedaluar qetësisht dhe duke e shijuar. Ishte një personazh i veçantë, vërtet shumë argëtues”. Të paktën për këtë…
Janë fjalë mjaft të ashpra ndaj Mancinit, i cili në karrierën e tij ka fituar shumë edhe si trajner dhe sigurisht nuk e ka bërë këtë duke mos ditur emrat e futbollistëve apo këmbën e tyre më të fortë. Mbetet për t’u parë nëse tekniku nga Jesi do të vendosë t’i përgjigjet ish-lojtarit të tij, i cili në atë kohë ishte një nga shtyllat e skuadrës, si në fushë ashtu edhe në dhomat e zhveshjes. Gjithsesi, nga të gjitha deklaratat, ndoshta ajo për solarin është më e vështira për t’u mohuar.