
Nga Arbër Zaimi
Politikanët e ndjekur nga SPAK për korrupsion apo abuzime të tjera me pushtetin po ndjekin dy strategji:
1. Po e paraqesin përndjekjen si të natyrës politike. Ne jemi kundër Ramës apo/dhe njerëzve të tij, prandaj po hetohemi, akuzohemi, burgosemi. Drejtësia e verbër nuk do të na përzgjidhte vetëm ne që jemi kundër pushtetit.
2. Po e paraqesin abuzimin si me arsye sentimentale. Ishim të dashuruar prandaj gabuam dhe e përdorëm fuqinë ashtu siç s’duhet. Kupidi i verbër nuk e di ku e ngul shigjetën.
Strategjia e parë fillimisht u ndoq nga prijësit opozitarë e ishte edhe më e besueshme kur vinte prej tyre. Së fundi ka filluar të përdoret edhe nga eksponentë të lartë partiakë të Ramës. Rama u tregua i ashpër ndaj tyre. Trembet nga lindja e beftë e këtij guximi për shprehje hapur të kundërshtimit brenda partisë, sepse me siguri e di që nuk është vetëm një Elisë e një Erion që e urrejnë në heshtje. Prandaj edhe mund të jetë e vërtetë ajo që u raportua, se i ka thënë bashkëpartiakëve se s’vlejnë asgjë e se gjithë partia është vetë ai. Ky mesazh demotivues do të thotë thjesht: e di që më urreni, ta dini që ju përbuz, gëlltiteni në heshtje këtë ndjenjë se rebelimi kushton më shumë për ju që s’keni peshë se sa për mua që peshoj sa e tëra.
Çështja me këtë strategjinë e parë është se në përpjekjen për të ruajtur fytyrën e tyre, politikanët e akuzuar e të paraburgosur, marrin fytyrën e SPAK-ut. Ky institucion i posaçëm antikorrupsion duhet ta kuptojë se ka interes politik e ekonomik në qarqe të caktuara me pushtet, që t’ia rrënojnë imazhin. Vetë Rama me gjuhë “berlusconiane” e me statistika paraburgimesh e ka sulmuar SPAK-un duke e portretizuar si përpjekje e prokurorëve për t’iu mbivendosur pushteteve të pavarura ekzekutive e legjislative. Mandej e ka sfiduar edhe duke mos iu përgjigjur pozitivisht kërkesës për dorëzimin e imunitetit të ish-ministres Balluku. Shumë nga ata të strategjisë së parë e përdorin këtë ndodhi për të treguar se SPAK-u ka dy standarde, ata i mori ndërsa Ballukun jo. Por SPAK në fakt ka kërkuar njësoj masa për Ballukun si për të tjerët, e vetmja gjë që ndryshon është gatishmëria e Ramës për t’i dorëzuar imunitetet e tyre por jo për atë të Ballukut. Pra në këtë rast dy standarde i ka treguar Rama e jo SPAK-u.
Edhe strategjia e dytë u kthye në kërcënim. Fjalët e Majkos për mijëra orë inçizime pasionale shërbejnë si përkujtim: mos bëni gërr-vërr shumë kundër këtij se ky ua merr dhe erzin. Publikimet e videove të artistëve e patën efektin “shijues”, që të kuptohet se si reagon publiku kur i serviret ushqim i tillë në media.
Ngjarjet në Serbi tregojnë për institucione të drejtësisë që nuk vepronin dot sa ishte Vuçiqi në pushtet, e që me nxitim po veprojnë ende pa u formuar qeveria e re. Kriminelë të fuqishëm, bankierë, biznesmenë e politikanë po ndalohen e po ballafaqohen me dosje akuzuese, ose po arratisen.
Me siguri do vijë një ditë që do kemi përgjigje dhe për arsyet e Ramës, pse disa i mbrojti nga SPAK-u e disa jo. Nëse ai nuk zgjedh të na hedhë hi syve me strategjinë e dytë.
