
Kush ishte funksionari i lartë shtetëror që, sipas prokurorëve të SPAK, u takua në Aruba me grupin ku bënte pjesë biznesmeni Artur Shehu?
Kjo është një nga pyetjet që del nga dosja e SPAK, e cila përshkruan takime të zhvilluara në Aruba, Spanjë, Belgjikë dhe vende të tjera europiane mes personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.
Në vendimin e Gjykatës së Posaçme, që bazohet edhe në materiale të ardhura nga autoritetet belge dhe spanjolle, thuhet se Artur Shehu, Adrian Rama dhe bashkëpunëtorët e tyre jo vetëm kanë diskutuar projekte të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, por kanë komunikuar edhe për takime me “funksionarë të lartë shtetërorë” që ishin në Aruba.
Dosja nuk zbulon identitetin e këtyre zyrtarëve, por sipas SPAK, këto kontakte janë pjesë e skemës së dyshuar për transformimin e parave të trafikut të drogës në investime në prona dhe projekte ndërtimi në Shqipëri.
"Nga tërësia e veprimeve noteriale dhe komunikime të kryera rezulton se personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Elton Memeti janë përfshirë në kryerje të veprimeve fillimisht për të zhvilluar pronën, më pas në veprime juridike të maskuara me dhurim me qëllim që me lidhjet e tyre të mund të nxirrnin leje ndërtimi. Për këtë fakt rezultuar të dhënave të dërguara nga autoritetet spanjolle dhe ato belge, personat nën hetim kanë kryer edhe takime me njëri-tjetrin jashtë shtetit në Spanjë dhe në Aruba, ndërsa ata kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë. Nxjerrja e lejes së ndërtimit duket se është penguar nga sekuestrimi që është bërë për pjesën ideale që subjekti Denis Matoshi kishte përftuar me anë të dhurimit, kërkesë e cila ishte dërguar për konfiskim, si dhe fakti që nuk është arritur të revokohej kontrata e lidhur më parë, si dhe pavarësisht këtyre fakteve, grupi kriminal nëpërmjet personit nën hetim Adrian Rama, ndjekin veprimet e kryera edhe në kuadër të ndërtimit të Shkollës së Biçikletave dhe sipas komunikimeve që ai kryen ai për zhvillimin e saj është në pritje të planeve të zhvillimit" thuhet në dosje.
Kjo është hera e parë që SPAK konfirmon takimin e Arubës. Më herët gazetari investigativ italian Nello Trocchia i kushton një kapitull të tërë takimit të zhvilluar në ishullin Aruba në janar të vitit 2019, të cilin e përshkruan si një nga episodet më misterioze dhe më domethënëse të marrëdhënieve mes biznesit, krimit të organizuar dhe politikës shqiptare.
Duke iu referuar dokumenteve hetimore italiane, belge dhe gjermane, Trocchia shkruan se nga 24 deri më 31 janar 2019 në ishullin karaibik të Arubës u mblodhën disa nga figurat kryesore të rrjetit që po hetohej për trafik ndërkombëtar droge dhe investime në pasuri të paluajtshme. Sipas tij, mes të pranishmëve ishte edhe Artur Shehu, të cilin ai e përshkruan si “Perandorin”, figurën qendrore të një sistemi që shtrihet nga trafiku i emigrantëve në vitet ’90 deri tek investimet multimilionëshe në Shqipërinë e sotme.
Elementi më i fortë i rrëfimit të gazetarit italian është pretendimi se në Aruba nuk ndodheshin vetëm biznesmenë dhe persona të lidhur me trafikun e drogës. Duke cituar dokumente hetimore, ai shkruan se në takim kanë marrë pjesë edhe “përfaqësues të papërcaktuar të qeverisë aktuale shqiptare në detyrë”. Identiteti i tyre nuk bëhet publik në dokumente, por sipas Trocchia-s, hetuesit e konsiderojnë këtë detaj aq të rëndësishëm sa e përmendin shprehimisht në materialet gjyqësore.
Trocchia citon dokumentet ku thuhet se objektivi ishte arritja e një marrëveshjeje sipas së cilës do të sigurohej një leje ndërtimi për një kullë në Tiranë, mbi një tokë që, sipas hetuesve, ishte në pronësi ose kontroll të grupeve kriminale.
Gazetari italian ndalet edhe tek arsyet pse takimi, sipas hetuesve, u zhvillua pikërisht në Aruba. Në dokumente thuhet se ishulli ishte zgjedhur si një vend i sigurt, larg vëmendjes publike dhe mediave, ku pjesëmarrësit mund të lëviznin pa procedura të komplikuara hyrjeje. Në këtë kontekst, Trocchia citon hetuesit që e përshkruajnë Artur Shehun si një figurë me ndikim të madh në botën kriminale shqiptare dhe me lidhje që shtrihen në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
Në libër, Aruba nuk paraqitet si një episod i izoluar. Përkundrazi, ajo lidhet me një seri investimesh në prona, toka dhe projekte ndërtimi në Shqipëri, të cilat sipas hetuesve përbëjnë mekanizmin përmes të cilit paratë e gjeneruara nga aktivitetet kriminale mund të futen në ekonominë formale. Trocchia citon gjithashtu vlerësimin e hetuesve se sistemi i kredive dhe financimeve në Shqipëri u ka krijuar mundësi personave të dyshuar të investojnë shuma të mëdha në pasuri të paluajtshme duke e bërë më të vështirë gjurmimin e origjinës së fondeve./Lapsi.al

