
Botërori i vitit 2030 mund të zhvillohet me 64 kombëtare. Nuk pati asnjë njoftim nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, pas fitores së Spanjës ndaj Argjentinës në finale. Megjithatë, mesazhi i publikuar në rrjetet sociale nga presidenti i CONMEBOL, Alejandro Dominguez, ka hapur diskutimin për një tjetër ndryshim rrënjësor në historinë e Kupës së Botës, e cila pas katër vitesh do të festojë 100-vjetorin e turneut të parë, të zhvilluar në Uruguai në vitin 1930. “Botërori i ardhshëm luhet në shtëpi! Në vitin 2030 vjen Kupa e Botës e Uruguait, Argjentinës dhe Paraguait. Një mundësi e madhe për futbollin, për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës me 64 skuadra.”
Nëse kjo konfirmohet, do të ishte një tjetër zgjerim i madh, dyfish krahasuar me Botërorin e Katarit 2022, i fundit me 32 kombëtare. Turneu do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa tre ndeshjet hapëse do të zhvillohen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai për të përkujtuar 100-vjetorin e garës.
¡El próximo se juega en casa! En 2030 se viene el Mundial de Uruguay, Argentina y Paraguay, Una gran oportunidad para el fútbol, para celebrar el Centenario de la Copa del Mundo con una competencia con 64 equipos pic.twitter.com/ocIjHYCN5f
— Alejandro Domínguez (@agdws) July 20, 2026
Si do të ishte Botërori me 64 skuadra
Ende nuk ekziston një format zyrtar, por bazuar në modelet aktuale mund të imagjinohet një skemë me 16 grupe nga katër skuadra. Dy vendet e para të secilit grup do të kualifikoheshin në fazën e 1/16-ave, duke eliminuar llogaritjet për vendet e treta më të mira. Turneu do të zgjaste rreth shtatë javë dhe do të përfshinte 128 ndeshje, 24 më shumë se edicioni i fundit.
Një ndarje e mundshme e vendeve mund të ishte:
Evropa: 20 kombëtare
Afrika: 13
Azia: 12
Amerika e Jugut: 9
Amerika e Veriut dhe Qendrore: 8
Oqeania: 2
Megjithatë, nuk mungojnë dyshimet. Kalendari do të bëhej edhe më i ngarkuar, kostot organizative do të rriteshin ndjeshëm, ndikimi mbi klubet dhe futbollistët do të ishte edhe më i madh, ndërsa mbetet e paqartë nëse të ardhurat do të justifikonin një zgjerim të tillë. Vetë Infantino ka lënë të kuptohet se tema është në diskutim. “Është një çështje që do të shqyrtohet nga komisionet pas këtij Botërori. Kur organizon një Kupë Bote, duhet ta organizosh për gjithë botën, jo vetëm për Europën dhe Amerikën e Jugut.”
Pse CONMEBOL këmbëngul për formatin e ri
Propozimi nuk ka vetëm motive sportive. Edhe pse organizatorët kryesorë të Botërorit 2030 do të jenë Spanja, Portugalia dhe Maroku, FIFA ka vendosur që tre ndeshjet hapëse të zhvillohen në Montevideo, Buenos Aires dhe Asunción, për të nderuar 100-vjetorin e turneut. Një Botëror me 64 skuadra do t’i jepte Amerikës së Jugut më shumë ndeshje dhe një rol më të madh organizativ.