
Fluksi i papritur i dhjetëra mijëra migrantëve drejt Ceutës, territor spanjoll në Afrikën e Veriut, rikujtoi skenat e kaosit dhe dëshpërimit në brigjet e Greqisë e Italisë në vitin 2015.
Ajo krizë, kur mbi një milion njerëz, kryesisht nga Lindja e Mesme, hynë në Europën Jugore, forcoi kundërshtimin ndaj emigracionit dhe i dha hov të djathtës ekstreme.
Edhe këtë herë, liderë të saj në Britani, Francë dhe Itali e paraqitën situatën në Ceuta si provë të rrezikut që, sipas tyre, sjell politika më liberale e Spanjës ndaj emigracionit. Por ndryshimi kryesor është se këto forca nuk janë më në periferi, sot janë në pushtet ose pranë tij.
Udhëheqësit centristë, nga frika e reagimit politik, kanë përvetësuar një pjesë të gjuhës dhe politikave më të ashpra për kufijtë. Brenda pak më shumë se një dekade, e djathta ekstreme ka riformësuar narrativën europiane për migracionin.
“Nëse liderët centristë japin përshtypjen se po tejkalohen në këto çështje, humbasin kontrollin e debatit,” tha François Gemenne, ekspert i migracionit dhe klimës në HEC Paris. “Prandaj ndihen të detyruar të duken shumë të fortë për kontrollin kufitar.”
Liderët centristë, nga Danimarka deri në Francë, e dënuan shpejt fluksin drejt Ceutës dhe premtuan forcim të kufijve të tyre, edhe pse shumica e të sapoardhurve u kthyen në Marok brenda pak orësh.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, kërkoi madje që të shqyrtohej pezullimi i Spanjës nga zona Schengen. Reagimi i saj u ngjante deklaratave të kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila tha se imazhet nga Ceuta tregojnë se emigracioni i parregullt dhe i pakontrolluar përbën kërcënim konkret.
Kancelari gjerman Friedrich Merz kërkoi që Maroku t’i pranonte menjëherë migrantët e parregullt. Qëndrimi është shumë larg qasjes së Angela Merkelit në vitin 2015, kur ajo deklaroi se Gjermania “mund ta përballonte” ardhjen e refugjatëve nga Siria. Shumë prej tyre sot janë qytetarë europianë dhe pjesë e shoqërive ku jetojnë.
Këto reagime tregojnë forcimin e përgjithshëm të politikave europiane për migracionin. Spanja e qeverisë së majtë tani shihet si përjashtim. Vende që dikur konsideroheshin më mikpritëse, si Suedia, kanë shtrënguar rregullat për azilin dhe qëndrimin e përhershëm. Ndërkohë, masat më agresive në det kanë ulur ndjeshëm migracionin detar krahasuar me vitin 2015.
Analistët thonë se toni i ashpër lidhet edhe me fuqinë e pamjeve dramatike. Edhe pa një përsëritje të krizës së 2015-s, imazhet e anijeve të vogla në brigjet britanike apo të të rinjve që kapërcejnë gardhe në territorin spanjoll ndikojnë fort në opinionin publik.
“Problemi është mungesa e dukshme e kontrollit,” tha Sunder Katwala, drejtor i institutit British Future. “Kjo i prek drejtpërdrejt votuesit kryesorë të partive populiste.”
Numri i migrantëve që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla ka rënë ndjeshëm këtë vit, por partia britanike kundër emigracionit Reform U.K. vazhdon të kryesojë shumicën e sondazheve. Në Europë, migracioni neto ra në vitin 2025 në Britani, Gjermani dhe Spanjë, ndërsa pati rritje të lehtë në Francë dhe Itali.
“Gjërat e dukshme shihen dhe raportohen; ato të padukshme jo,” tha Katwala për kaosin në Ceuta.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez mbetet ndër të paktët liderë centristë ose të majtë që përpiqen të ruajnë publikisht një qëndrim më mikpritës. Qeveria e tij lejoi mbi një milion migrantë pa dokumente të aplikonin për status të rregullt.
I akuzuar se këto politika nxitën krizën në Ceuta, Sánchez tha se është e mundur të priten migrantët dhe njëkohësisht të mbahet nën kontroll kufiri. Ai theksoi se, nga viti 2021 deri në 2025, më shumë hyrje të parregullta në BE ndodhën përmes Italisë, Ballkanit Perëndimor dhe Greqisë sesa përmes Spanjës. Ai shtoi se shumica e personave që kaluan në Ceuta të enjten ishin larguar deri të shtunën.
Sánchez tha se kjo u arrit në koordinim të ngushtë me autoritetet marokene dhe me pak mbështetje nga shtetet e tjera europiane, ndërsa Spanja vazhdon një politikë migracioni që synon të jetë njëkohësisht efektive dhe solidarizuese.
Kujtesa e vitit 2015 mbetet e fortë në Europë. Fluksi nga Siria, Afganistani dhe vende të tjera e ndryshoi peizazhin politik: Britania votoi për largim nga BE-ja, Partia Alternativa për Gjermaninë fitoi terren duke shfrytëzuar frikën nga emigracioni i pakontrolluar, ndërsa Marine Le Pen arriti në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2017.
Le Pen e paraqiti krizën spanjolle si temë të mundshme fushate, duke kërkuar forcim të menjëhershëm të kontrolleve në kufijtë francezë. Zëvendësi i saj, Jordan Bardella, pretendoi se rregullimi i statusit të qindra mijëra migrantëve pa dokumente nga Spanja “i ka hapur dyert e Europës ndaj çdo rreziku”.
Në Britani, Nigel Farage paralajmëroi se migrantët që hynë në Ceuta mund të shkojnë drejt Calais dhe më pas drejt Britanisë. Përqendrimi i vazhdueshëm te emigracioni ndikoi edhe në rënien politike të ish-kryeministrit Keir Starmer, i cili dha dorëheqjen muajin e kaluar pas pakënaqësisë publike, pjesërisht sepse nuk bindi votuesit se po zgjidhte kalimet e paligjshme në Kanalin Anglez.
Edhe pse Starmer e ashpërsoi retorikën e tij dhe pati rënie të emigracionit gjatë mandatit, ai nuk arriti të përfitonte politikisht nga kjo. Përgatiti nga The New York Times ©LAPSI.AL