
Të paktën shtatë persona, mes tyre dy vajza 5 dhe 12 vjeç, humbën jetën nga një valë sulmesh me raketa që Rusia ndërmori gjatë natës ndaj disa qyteteve të Ukrainës. Goditja më e rëndë u regjistrua në Krivyi Rih, vendlindja e presidentit Volodymyr Zelensky. Një raketë balistike goditi një ndërtesë banimi. Gjashtë persona u vranë dhe të paktën tetë të tjerë u plagosën, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja.
Sulme u raportuan edhe në Kiev dhe Lviv, ku u shkaktuan dëme të mëdha dhe disa persona mbetën të bllokuar. Si masë paraprake, Polonia ngriti në ajër avionët luftarakë për të monitoruar hapësirën e saj ajrore. Bombardimet ndodhën vetëm një ditë pasi Zelensky u takua në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, të cilit i kërkoi sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.