Britney Spears ka folur për herë të parë pas dënimit për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe pas largimit nga një qendër rehabilitimi, duke e cilësuar gjithë situatën si “një bekim të maskuar”.
Artistja 44-vjeçare publikoi në Instagram një foto të një gjarpri të verdhë dhe të bardhë, ndërsa ndau reflektime mbi atë që e quajti “udhëtimi i saj shpirtëror”.
“
Gjarpërinjtë simbolizojnë shëndetin e mirë, ndërgjegjen e lartë dhe fatin e pastër… Jam shumë mirënjohëse për miqtë dhe njerëzit e rinj të mrekullueshëm që kam njohur gjatë këtij udhëtimi shpirtëror… gjithçka ishte një bekim i maskuar”, shkroi ajo.
Spears shtoi se ende po mëson “si të jetë më e mirë me veten” dhe mënyrën si i flet vetes, duke theksuar se procesi i saj personal është “një rrugëtim pa fund”.
Pak ditë më parë, këngëtarja pranoi fajësinë për akuzën e drejtimit të automjetit nën ndikimin e alkoolit gjatë një seance në Gjykatën e Ventura County në Kaliforni. Ajo nuk ishte e pranishme fizikisht në gjykatë, por u përfaqësua nga avokati i saj, Michael Goldstein.
Sipas vendimit të gjykatës, Spears u dënua me 12 muaj provë dhe një ditë burg, të cilën e kishte kryer tashmë. Gjithashtu, ajo duhet të ndjekë një program tremujor për edukimin ndaj alkoolit dhe drogës, si dhe seanca të rregullta me psikolog dhe psikiatër.
Autoritetet i ndaluan konsumimin e alkoolit dhe substancave narkotike, përveç medikamenteve të përshkruara nga mjeku. Pas arrestimit në muajin mars, Spears ishte shtruar vullnetarisht në një qendër rehabilitimi në Maine, ku qëndroi për gati tre javë për trajtim të problemeve me shëndetin mendor dhe abuzimin me substanca.
Ndërkohë, këngëtarja mungoi në një ribashkim familjar gjatë fundjavës, ku familjarët e saj festuan diplomimin e mbesës Maddie, vajzës së motrës së saj Jamie Lynn Spears.
Djali i saj, Sean Preston, ishte gjithashtu i pranishëm në ceremoni, ndërsa djali tjetër, Jayden, reagoi shkurt për mediat lidhur me gjendjen e së ëmës, duke thënë vetëm se ajo “po shkon mirë”.