Hetimet e Prokurorisë së Posaçme mbi dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë zgjeruar dhe tashmë kanë hyrë edhe në fazën e verifikimeve pasurore, ndërsa priten masa sigurie ndaj dy funksionarëve të lartë publik. Gjatë këtyre hetimeve, SPAK ka konstatuar ekzistencën e një jahti luksoz të tipit Predator 50 Skyfall, me vlerë tregu mbi 950 mijë euro, i ankoruar në portin e Durrësit, i cili lidhet me biznesmenin e shpallur në kërkim, Ermal Beqiri.
Sipas prokurorisë, jahti rezulton i regjistruar në emër të Xhenila Tamizit, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por dyshohet se blerja e tij është kryer realisht nga Ermal Beqiri. Nga aktet hetimore, Tamizi dyshohet se ka pasur një rol kyç në menaxhimin e rekrutimit dhe trajnimit të stafit për kompanitë e lidhura me Beqirin, ndërsa më pas punonjësit janë transferuar te një tjetër shoqëri e kontrolluar nga biznesmeni Ergys Agasi, i cili gjithashtu ndodhet në kërkim.
Dëshmitë e marra nga punonjës të shoqërisë “EA Solutions” shpk tregojnë se ata kanë gjetur njoftimet për punë në internet dhe janë trajnuar nga Xhenila Tamizi. Pas përfundimit të trajnimeve, kontratat e punës janë lidhur jo me “Soft & Solutions”, ku Tamizi rezulton e punësuar, por me shoqërinë “EA Solutions”, e cila është një subjekt i ndryshëm. Ndërkohë, jahti luksoz Predator 50 Skyfall rezulton i regjistruar pikërisht në emër të Tamizit.
Në dosjen e SPAK thuhet se “me qëllim verifikimin e të dhënave të konstatuara nga ushtrimi i kontrollit, është proceduar me marrjen në pyetje të disa punonjësve të shoqërisë ‘EA Solutions’ shpk. Këta shtetas kanë deklaruar se njoftimet për punë i kanë parë në internet, ndërsa trajnimet janë kryer nga shtetasja Xhenila Tamizi. Nga aktet, kjo shtetase rezulton e punësuar në shoqërinë ‘Soft & Solutions’ shpk, madje në emër të saj rezulton edhe mjeti lundrues Predator 50 Skyfall. Pas përfundimit të trajnimeve, punonjësit kanë lidhur kontratat e punës me shoqërinë ‘EA Solutions’, e ndryshme nga ‘Soft & Solutions’”.
Paralelisht, SPAK bën me dije se Ergys Agasi dhe biznesmeni Ermal Beqiri akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme përmes dhunës, shkeljen e barazisë në tendera, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për të dy është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, e cila ende nuk është ekzekutuar, pasi ata nuk ndodhen në territorin e Shqipërisë.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar gjithashtu urdhër arreste për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, për Ergys Agasin dhe për Ermal Beqirin. Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar për Karçanajn masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Agasin dhe Beqirin masën “arrest me burg”.
Mëngjesin e 16 dhjetorit, dy grupe agjentësh të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të shoqëruar nga forca të Policisë së Shtetit, kanë ushtruar kontrolle në katër ambiente në pronësi të Ergys Agasit, përfshirë banesa në Durrës dhe Tiranë, si edhe biznese të tij.
Po ashtu, SPAK ka vendosur masën e pezullimit nga detyra për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismaili. Në total, prokuroria ka vendosur masa sigurie për tetë persona, konkretisht Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirilinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, shtetasin me iniciale G.H dhe Rogers Rryta.
Akuzat kryesore në këtë dosje lidhen me krijimin e një grupi të strukturuar kriminal, shkeljen e barazisë në tendera dhe heqjen e paligjshme të lirisë. SPAK prej afro një viti ka hetuar procedurat e 12 tenderave, të cilat dyshohet se janë zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
Ndërkohë, personat e mësipërm, si edhe zyrtarë të tjerë për të cilët janë caktuar masa sigurie, por emrat e të cilëve ende nuk janë bërë publikë, akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirilinda Karçanaj, u paraqit më 3 dhjetor në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për abuzime me tenderat e zhvilluar nga institucioni që ajo drejton, ndërsa banesat dhe ambientet e biznesit të Ergys Agasit janë kontrolluar me urdhër të SPAK që në muajin qershor.