Aktori Floyd Roger Myers Jr., i njohur për rolin e tij si Will Smith i ri në serialin legjendar “The Fresh Prince of Bel-Air”, ka ndërruar jetë në moshën 42-vjeçare.
Lajmin e trishtë e ka konfirmuar nëna e tij, Renee Trice, për TMZ, duke bërë me dije se aktori ndërroi jetë nga një atak në zemër në shtëpinë e tij në Maryland, në orët e para të së mërkurës.
Trice shtoi se djali i saj kishte pësuar tre atake në zemër gjatë tre viteve të fundit, por vdekja e tij ishte “e papritur dhe e beftë”.
Motra e aktorit, Tyree Trice, njoftoi lajmin edhe përmes një faqeje GoFundMe, ku shkroi:
“Ai ishte baba i përkushtuar, vëlla i dashur dhe mik që shpërndante dashuri, të qeshura dhe ngrohtësi tek të gjithë që e njihnin. Roger na la pas katër fëmijët e tij të mrekullueshëm — Taelyn, Kinsley, Tyler dhe Knox — dhe ne po përballemi me një humbje të paimagjinueshme.”
Myers u bë i njohur në vitin 1992 me rolin e tij si Will Smith i ri në serialin klasik “The Fresh Prince of Bel-Air”. Më pas, ai mori pjesë në miniserinë “The Jacksons: An American Dream”, ku interpretoi Marlon Jackson, krahas emrave të njohur si Angela Bassett dhe Vanessa Williams. Roli i tij i fundit ishte në vitin 2000, në serialin “Young Americans”, pas të cilit ai u tërhoq nga aktrimi.
Pas largimit nga skena, Myers bashkëthemeloi organizatën “The Fellowship Men’s Group”, që ndihmon burrat në procesin e udhëheqjes, shërimit dhe zhvillimit personal. Pas ndarjes së tij nga jeta, organizata publikoi një homazh në Instagram:
“U prehsh në paqe, vëllai ynë @rocwonder. Një nga bashkëthemeluesit tanë, i larguar por kurrë i harruar. Misioni do të vazhdojë në nderin tënd.”