Sapo dolën të dhënat e para të atentatit në Shkodër, u përcaktua se në shenjestër të plumbave kishte qenë Erogen Brajoviq, një figurë e njohur në Shkodër jo thjesht për afërsinë me Bajrat.
Në serinë e personazheve që pushtojnë titujt kryesorë të medias sapo ndodh një krim, Erogen Brajoviq, i njohur ndryshe si Erogen Vaso dallon për një ambicie të rrallë dhe po aq të rrezikshme mes njerëzve të botës së krimit; dëshira për t’u përfshirë personalisht në politikë.

Kjo më lart është foto më e përdorur nga mediat malazeze kur raportohet për Erogen Brajoviq. Ajo është shkëputur nga fushata e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në Shkodër, ku kandidat ishte pikërisht Erogen Brajoviq.
Rruga drejt pushtetit tërheq përherë një vëmëndje të shtuar publike dhe në çdo vend të botës, njerëzit e krimit këshillohen t’i qëndrojnë larg prozhektorëve mediatikë. Por në Shqipëri, ku krimi dhe politika e kanë djegur prej kohësh etapën e flirtit, Erogen Brajoviq e ka parë politikën si një shans për të ecur përpara, i pashqetësuar se pak kilometra më tej, në Malin e Zi hetohej dhe gjykohej bashkë me disa nga bandat më të rrezikshme të vendit fqinj.
Kjo jetë e dyfishtë e Erogen Brajoviq, me dy korsi dhe me dy profile, këtej dhe andej kufirit, ia vlen të shihet si lakmus për marrëdhënien e shoqërisë shqiptare me të fortët, lehtësinë me të cilën i pranon në mesin e saj, madje i promovon, qofshin këta njerëz të bandave dhe të krimit, që sapo mbledhin një grusht votash, amnistohen dhe gjejnë mbrojtje nga institucionet shtetërore.
Kështu edhe Erogen Brajoviq me një akuzë për gjobëvënie mbi shpinë, e gjen në mediat shqiptare të prononcohet si përfaqësues i popullit, ndërsa në rrjetet sociale publikon foto me politikanë apo angazhohet të mbrojë votat e Partisë Socialiste ditën e zgjedhjeve megjithëse fare pranë, disa kilometra më tej, mediat e Malit të Zi e përshkruajnë si një ndër aktorët kryesorë që organizojnë atentate në vendin fqinj.
Erogen Brajoviq dhe flirti me politikën në Shqipëri
Brajoviq e ka nisur karrierën politike si përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në këshillin bashkiak të Shkodrës. Ende sot në profilin e tij në internet gjen foton me kreun e kësaj force politike, Vangjel Dule.
[caption id="attachment_1028169" align="alignnone" width="1150"]
Erogen Brajoviq dhe Vangjel Dule, foto e publikuar në rrjetet sociale[/caption]
Pasi u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës ai përmendet në media për debatet dhe akuzat që i ka bërë ish-kryebashkiakut të Shkodrës Lorenc Luka në lidhje me financimin e klubit të futbollit “Vllaznia”.
Në kronikat e kohës, të dhjetë viteve më parë në TV1 Channel, Brajoviq shihet teksa kërkon transparencë në mbledhjen e këshillit bashkiak për 150 milion lekë që ishin investuar për "Vllazninë", duke akuzuar Lukën për vjedhje. Në anën tjetër, të Këshillit, kuptohet që askush nuk i përgjigjet akuzave. VIDEO KETU
Me rotacionin e vitit 2013, PBDNJ vazhdoi të mbetej në opozitë, ndërkohë që grupi i Bajrave forcoi lidhjet me socialistët në pushtet. Këtej e tutje, Brajoviq e gjen në kontakte me socialistët.
Ka qenë një celebrim që e çoi Erogen Brajoviqin në zyrën e Erion Veliajt në vitin 2017 dhe duke përfituar nga shansi ai publikon foton me kryebashkiakun në Facebook.
Ndërsa mediat në Shqipëri e kaluan në heshtje këtë fakt, në Malin e Zi, takimi tërhoqi vëmëndjen e gazetarëve.

Deri në atë kohë, mediat malazeze e kishin përmendur emrin e Erogen Brajoviq në kronikat e krimit të organizuar dhe për lidhjet me bandat kryesore të Malit të zi. Gazetat raportonin rregullisht detaje për gjyqin e tij në Podgoricë. Prandaj dhe Vijesti kërkoi një reagim zyrtar nga Bashkia e Tiranës: si kishte mundësi që një njeri që në Malin e Zi ishte shpallur në kërkim për organizimin e atentateve ndaj disa policëve, në Tiranë pritej nga kryebashkiaku dhe foton me të e shpërndante në rrjetet sociale?
Përgjigjia e Erion Veliajt në atë kohë për mediat malazeze ishte se Brajoviq ishte prezent në një dasëm, një moment celebrimi dhe kishte kërkuar një foto me kryebashkiakun i cili nuk e kishte njohur.
“Bashkia e Tiranës sqaron se fotografia e publikuar në gazetën ‘Vijesti’ është bërë në dhjetor 2017 gjatë dasmës së një çifti të ri nga Tirana. Personi i fotografuar me kryebashkiakun Veljaj ishte i pranishëm në atë ceremoni si i ftuar i familjes dhe çiftit të sapomartuar që po martoheshin. Bashkia e Tiranës i hedh poshtë si të pavërteta pretendimet se kryebashkiaku është i afërt me personin e përmendur në gazetën ‘Vijesti’”, shkruhej në reagim në shtator të vitit 2018.
Në po atë vit, grupi i Bajrave do të lidhej me disa nga ngjarjet më të rënda kriminale në vend. Opozita i shtoi akuzat për afërsinë e Bajrave me Partinë Socialiste. Në Shtator të vitit 2018, kohë kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj, grupi mori një goditje të fortë. Në pranga përfunduan Ilir Bajri, Astmer Bilali, Emrah Plaku dhe Erogen Brajoviq.
Pas disa javëve në burg, Brajoviq u la i lirë. Ishte i vetmi që nuk përfshihej në akuzën për grup të strukturuar kriminal. Në po atë kohë ishte në kërkim në Malin e Zi, por autoritetet shqiptare refuzuan ta ekstradonin.
Sërish në shtator të vitit 2018, pas arrestimit dhe fotos me Veliajn del një tjetër njohje e tij; ish-deputeti i Partisë Socialiste Luan Harusha, me të cilin pjestarë të tjerë të Bajrave kanë pranuar miqësinë. Foto më poshtë:
[caption id="attachment_1028176" align="alignnone" width="750"]
Foto e publikuar nga opozita e Erogen Brajoviq dhe ish-deputetit te PS, Luan Harusha[/caption]
Marrëdhënia e grupit të Bajrave me përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Shkodër do të shpërfaqej publikisht disa vite më vonë, pas zgjedhjeve të 14 Majit 2023, kur PS për herë të parë fitoi bashkinë e Shkodrës.
Filmimet e 14 Majit/ Si i kontrolluan Bajrat votimet në Shkodër
Në një filmim që ndau opozita me mediat, tregohej se si në rrugët e Shkodrës ditën e votimit, disa prej personazheve në të njohur të qytetit lëviznin nëpër qendrat e votimit për t'u siguruar që procesi po shkonte "siç duhej". Grupi shoqërohej nga një anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dega Shkodër.
Mes banditëve të tjerë ishte edhe Erogen Brajoviq dhe vëllai i tij Denis Brajoviq që më vonë u arrestua për ekzekutimin me pagesë të Gjin Boriçit.
Filmimi është një nga provat më të forta se procesi i votimit në Shkodër u mbikqyr nga banda e Bajrave, ndërsa fitorja e Bashkisë nga Partia Socialiste dhe Benet Beci u krye falë njerëzve të krimit.
Profili i përmbysur, Erogen Brajoviq sipas autoriteteve malazeze
Gjatë një vëzhgimi që Lapsi.al bëri në mediat e Malit të Zi, gjeti një profil krejt tjetër të Erogen Brajoviq nga ai që shihet në Shqipëri.
Këtej kufirit, atë e sheh të citohet në media si një përfaqësues i popullit, e sheh të ulet në këshillin bashkiak si një qytetar i respektuar i shoqërisë, një njeri që takon rregullisht politikanët dhe përfshihet në mbikqyrjen e proceseve të votimit nga partia në pushtet. Por në Malin e Zi imazhi i këtij njeriu përmbyset.
[caption id="attachment_1028179" align="alignnone" width="1000"]
Ranko Raduloviq, kreu i organizate kriminale në Malin e Zi[/caption]
Brajoviq qëndroi për disa vite në kërkim nga autoritetet malazeze, pasi u akuzua se bashkë me disa kriminelë të tjerë kërkoi të vriste prokurorin special të shtetit Milivoj Katnić dhe djalin e tij.
Gazeta malazeze, "Vijesti" e rendit përkrah një prej kriminelëve më të njohur në Malin e Zi, Ranko Raduloviq (foto lart) i cili bashkë me banditët e organizatës "Skaljari" ka tentuar të ekzekutojë dy ish-oficerë të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në Mal të Zi.
Në dosjet e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, Brajoviq shfaqet si hallka kyçe që lidh grupet kriminale shqiptare me ato malazeze. Në aktakuzën e përgatitur nga SDT-ja, ai del si një nga figurat kryesore që ka financuar dhe koordinuar plane për likuidime të përmasave të rënda.
Sipas dokumenteve të hetimit, raportonte media malazeze "DAN", një nga elementët më të fortë të akuzës është rrëfimi i dëshmitarit të penduar me pseudonimin Jadranko Jonski, sipas të cilit Brajoviq i ka dhënë 20 mijë euro për të blerë një pajisje shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese në Serbi.
Operacioni i blerjes së bombës është përshkruar me detaje: Jonski, së bashku me Stefan Peroviqin nga Nikshiqi, në nëntor të vitit të kaluar, ka siguruar një bombë që u soll në një vend pranë Pljevljes, afër kufirit me Serbinë. Pas kalimit ilegal të kufirit dhe marrjes së pajisjes, ajo u mbajt në Mal të Zi deri në mesin e dhjetorit, e më pas u transportua drejt Shqipërisë, ku iu dorëzua vetë Erogen Brajoviqit. Ky i fundit, sipas aktakuzës, ka bërë pagesën dhe ka marrë në dorëzim mjetin shpërthyes, që do të përdorej në atentate të planifikuara në territorin shqiptar.
Hetimet e zhvilluara paralelisht në Mal të Zi dhe në Shqipëri zbuluan se disa individë shqiptarë, të lidhur ngushtë me grupin e Kotorrit, kishin formuar një rrjet të përbashkët kriminal. Ky rrjet kishte për qëllim organizimin e atentateve dhe, sipas të dhënave, kishte nisur tashmë të zhvillonte operacione të përbashkëta, raportonte DAN në vitin 2018.
Ishte koha kur Brajoviq shihej në shoqërinë e deputetëve të Partisë Socialiste, koha kur u arrestua dhe u lirua pak kohë më pas.
Pikërisht në atë kohë, Shqipëria refuzoi ekstradimin e tij drejt Malit të Zi për gjyqin në fjalë. Po sipas gazetës DAN, që ndoqi me vëmëndje procesin, seancat gjyqësore në Malin e Zi u shtynë disa herë në pritje që Brajoviq, por autoritetet shqiptare refuzuan ekstradimin e tij.
"Dilema rreth gjykimit të Erogen Brajoviqit zgjat tashmë prej më shumë se gjashtë muajsh dhe ende nuk ka pasur një epilog zyrtar. Ky proces është shtyrë disa herë pikërisht për shkak të kërkesave të Gjykatës së Lartë. Gjyqi po zhvillohet me dyer të mbyllura. Gjykata ka vendosur që nga organet kompetente të Shqipërisë të kërkojë një sqarim shtesë, për të përcaktuar në cilën fazë ndodhet procesi kundër Brajoviqit, si edhe më shumë detaje për këtë çështje.Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë i ka dërguar një shkresë Gjykatës së Lartë në Podgoricë, ku thuhet se shtetasi shqiptar Erogen Brajoviq në Shqipëri është i dyshuar për të njëjtën vepër për të cilën akuzohet në Mal të Zi. Kjo shkresë u lexua në seancën e fundit në Gjykatën e Lartë në Podgoricë, ku në bankën e të akuzuarve ndodhen anëtarë të tre grupeve kriminale të organizuara që ngarkohen me disa likuidime" raportonin mediat malazeze.
Erogen Brajoviq nuk u arrestua kurrë për hetimin e Malit të Zi ku akuzohej si bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë i grupeve më famëkeqe kriminale. Nuk dihet kush e ndihmoi t'i shpëtojë drejtësisë, por është e qartë se fakti që ishte në qendër të vëmendjes për shkak të lidhjes me familjen Bajri në Shkodër nuk e penalizoi. Përkundrazi mund ta ketë ndihmuar. Ndaj, nëse fillimisht mund të paragjykohej si një budallallëk ambicia e tij për t'u përfshirë në politikë dhe për t'u ekspozuar publikisht, rezulton krejt e kundërta; vetëm marrëdhënia me politikën mund ta ndihmonte t'i shmangej kërkesës për një ekstrasim, që nuk ndodhi kurrë. /Lapsi.al