Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, u bëri thirrje më shumë vendeve që të njohin shtetin e Palestinës.
“Në Nju Jork, së bashku me 14 vende të tjera, Franca nis një thirrje të përbashkët: Shprehim dëshirën tonë për të njohur Shtetin e Palestinës dhe i ftojmë ata që nuk e kanë bërë ende këtë, të na bashkohen,” shkroi Barrot në një postim në X, të shoqëruar nga një deklaratë e përbashkët e ministrave të jashtëm, bërë gjatë një konference të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Deklarata u nënshkrua nga ministrat e jashtëm të Andorrës, Australisë, Kanadasë, Finlandës, Francës, Islandës, Irlandës, Luksemburgut, Maltës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Portugalisë, San Marinos, Sllovenisë dhe Spanjës.
Ministrat dënuan sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023; i bënë thirrje këtij grupi të lirojë menjëherë të gjithë pengjet që mban ende; shprehën mbështetje për zgjidhjen me dy shtete në Lindjen e Mesme; dhe u bënë thirrje vendeve të tjera të njohin shtetësinë palestineze përpara sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. Ata gjithashtu shprehën “shqetësim të thellë” për numrin e lartë të viktimave civile dhe situatën humanitare në Gaza, teksa lufta e Izraelit vazhdon në këtë enklavë bregdetare.
Presidenti francez Emmanuel Macron, javën e kaluar njoftoi se vendi i tij do të njohë Palestinën si shtet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, gjë që shkaktoi dënimin e kësaj lëvizjeje nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se vendimi “shpërblen terrorizmin.” Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi vendimin “të papërgjegjshëm.”
Një zyrtar diplomatik francez reagoi ndaj kritikave, duke argumentuar se kjo lëvizje mund të nxisë “partnerët kryesorë arabë dhe myslimanë” të “marrin hapa” drejt “izolimit të Hamasit”, duke rënë dakord për çarmatim të plotë të këtij grupi islamik dhe përjashtimin e tij nga çdo qeverisje e ardhshme palestineze, në këmbim të njohjes së shtetësisë.
Kryeministri britanik Keir Starmer ndërmori hapa në të njëjtën drejtim me Francën të martën, duke njoftuar se Mbretëria e Bashkuar do të njohë shtetin e Palestinës nëse qeveria izraelite nuk ndërmerr “hapa thelbësorë” për t’i dhënë fund krizës në Gaza.